TIRANE- Godina aktuale e Teatrit Kombëtar është në “grahmat e fundit”, dhe rrezikon realisht jetën e artistëve që japin shfaqje aty, por edhe të publikut artdashës.

Prova më e qartë e saj janë këto pamje të siguruara nga redaksia ku shihet se muret e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, nga krahu i godinës ku dikur ka qenë ish-Ministria e Zhvillimit Urban dhe sot ndodhet Kontrolli i Lartë i Shtetit, po shkatërrohen e po bien copa-copa.

Kjo anë e godinës nuk është vënë re më parë sepse ka qenë e rrethuar për shkak të punimeve që po kryheshin deri para disa ditësh, për restaurimin dhe rikonstruksionin e ndërtesës së ish ministrisë së Zhvillimit Urban.

Gjendja e godinës së Teatrit Kombëtar bëhet edhe më alarmante, për shkak se çarja e mureve ka nxjerrë në pah edhe materialet me të cilat është ndërtuar ajo që në kohën e italianëve. Duket qartë se ajo nuk ofron më asnjë kusht sigurie, ndërsa shenjat e lagështirës janë kudo.

Ekspertët dhe arkitektët kanë kohë që japin alarmin për këtë godinë, e cila nuk ofron më asnjë kusht sigurie dhe prova për të gjithë janë këto foto dhe video e xhiruar sot në mëngjes.

Godina e Teatrit Kombëtar u ngrit përkohësisht nga italianët dhe jo për të shërbyer si teatër. Për ndërtimin e saj janë përdorur materiale me kosto të ulët, si populit, tallash e alga deti, ç’ka shihet qartë edhe në video. Materialet e përdorura për ndërtimin e godinës janë një përzjerje substancash vegjetale (të tallashit të drurit të plepit, produkt skarco i fabrikës së shkrepëseve dhe alga deti) të mbrojtur me çimento.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: