Sikur të mos mjaftonte vala e të nxehtit saharian në këtë gusht pushimesh, Presidenti i Kosovës, zoti Hashim Thaçi, i ngriti sa nuk ka ku shkon edhe temperaturat politike me deklarimet për korrigjimin e mundshëm të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në mbështetje të asaj teze të rrezikshme, në një prononcim të ditëve të fundit, ai iu referua edhe një ndryshimi në kufirin belgo-holandez. Le ta sqarojmë konkretisht përse bëhet fjalë, meqenëse veç infove në web, e njoh këtë temë, sepse deri në prill 2017 isha këshilltar i ambasadës sonë në Bruksel.

Në juglindje të Belgjikës, në Provincën e Liezhit, pranë qytetit belg Visé, në kufi me Holandën është një mikrogadishull me një sipërfaqe sa 23 fusha futbolli. Ky rezervat natyror u krijua pas viteve ‘60, për shkak të erozionit dhe devijimeve natyrore të lumit Meuse, që kalon në atë qytet; ai ishte praktikisht i padepërtueshëm dhe nga policia belge. Meqenëse për të kaluar nga territori holandez kërkohej autorizim dhe pastaj duhej t’i bije rreth e rrotull, policia belge dhe stafi i saj ndihmës (mjekë, laborantë, kriminalistë) mund të shkonin atje vetëm me barkë, një odise e vërtetë në mungesë të infrastrukturës përkatëse dhe me shumë mundime fizike mund të dilje në breg. Nga ana tjetër, policia holandeze nuk mund të ushtronte kontroll, pasi ai rrip toke ishte jashtë juridiksionit të saj.

Shkas dhe shtysë për ndërhyrje atje u bë shfrytëzimi i atij rezervati, që është e rëndësishme të theksojmë se ishte i pabanuar nga elementë kriminale, për prostitucion, drogë etj. Kambanat e alarmit për autoritetet belgo-holandeze ushtuan fort në vitin 2014, kur atje u gjet një kufomë njeriu pa kokë.
Kësisoj, filluan menjëherë bisedimet ndërmjet agjencive përkatëse të këtyre dy vendeve dhe në vitin 2016 u ra dakord për një këmbim territori ndërmjet tyre në po atë zonë, diku në mes të lumit Meuse. Mbi bazën e marrëveshjes përkatëse, Holanda përfitoi si kompensim një sipërfaqe prej 16 Ha, duke përfshirë edhe një pjesë toke me burime natyrore, ndërsa Belgjika u kënaq, 3,2 Ha, por u çlirua nga makthi i kontrollit mbi atë zonë.

Shihet qartë se kjo marrëveshje këmbimi apo korrigjimi territori, që hyri në fuqi më 1 janar 2018 u realizua sipas parimit “jep e merr” në kuptimin më të plotë të fjalës dmth., diku me humbje, diku me fitim, por në analizë të fundit të dyja palët dolën të fituara. Faktet dhe faktorët e lartpërmendur tregojnë qartë se krahasimi apo referimi te ky shembull belgo-holandez në rastin e Serbi-Kosovë është fare pavend dhe krejtësisht i gabuar; qysh nga aspekti dhe sipërfaqja gjeografike, motivi, arsyeja e “korrigjimit” e sidomos sfondi historik i marrëdhënieve në rajon dhe elementë të tjerë. Kufiri ndërmjet tyre është miratuar në vitin 1847 në Traktatin e Mastrihtit. Me gjithë uljet dhe ngritjet në raportet Belgjikë-Holandë, pas vitit 1944 brenda një kohe rekord ato u bënë bërë vende mike, aleate dhe partnere strategjike, bashkëthemeluese të BE-së, NATO-s dhe Beneluksit bashkë me Luksemburgun.

Në këtë klimë dhe mjedis lulëzues kanë ndikimin e tyre edhe lidhjet&krushqitë mbretërore, kryeministrat e rinj dhe me mentalitet liberal perëndimor, standardet e spikatura demokratike dhe zhvillimi i lartë social-ekonomik. Formati dhe sidomos besueshmëria ndërkombëtare e Belgjikë/Holandë janë me shumë avantazhe edhe në politikën botërore me kontribute dhe ndihma konkrete në të gjitha fushat, zgjidhjen e konflikteve dhe pjesëmarrjen në operacionet ushtarake kudo në botë, përfshi edhe Kosovën; pa harruar bujarinë e tyre në pritjen dhe integrimin e miliona shtetasve të huaj dhe atyre shqiptarë.
Veç sa sipër, ky këmbim mikroterritoresh në Visè nuk u diktua nga ndonjë nevojë apo domosdoshmëri madhore e sigurisë në atë rajon, apo si kusht për integrimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare; veç shqetësimit të agjencive ligjzbatuese, kurrfarë ndjeshmërie publike nuk kishte në atë rast. Ja pse korrigjimi në kufirin belgo-holandez filloi dhe përfundoi si një formalitet i thjeshtë, pa kurrfarë debati e polemike, edhe pse u deshën dy vjet për ta “kopsitur” edhe nga ana ligjore.

Krejt e kundërta ndodh me Serbinë. Me gjithë demarshet dhe përparimet në dialogun me Kosovën, falë kryesisht mbështetjes së SHBA-ve dhe BE-së, edhe tani, mbi 10 vjet pas pavarësisë, ajo nuk e njeh Kosovën, madje ajo po bën hapa prapa duke intensifikuar fushatën regresive për tërheqjen e njohjeve nga shtete të caktuara, diçka e paparë në praktikat diplomatike; ajo po saboton hapur anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare; ndërsa Frymën e Helsinikit, Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal po i përdor më shumë si dekor politik. Sa për miqësi Serbi-Kosovë dhe tani pas një periudhe të gjatë kohe, nuk mund të bëhet fjalë. Mirëpo siç pohon historiani i njohur ushtarak belg, Luc De Vos, duke iu referuar përvojës ndërkombëtare me plot shembuj negativë, “diferencën në çështjet kufitare e bën miqësia”. Së fundi, siç përmendet sa herë me të drejtë, Kosova është rast “sui generis” pra krejt i veçantë. Ndaj, “zbulimi” mbi kufirin belgo-holandez, ndonëse në pamje të parë joshës, në fakt më shumë prish punë se sa “korrigjon” ndonjë gjë.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/08/07/referim-i-gabuar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: