TOKIO- Në Lojërat Olimpike të Tokyo-2020 do të përdoret një sistem për njohjen faciale shumë të shpejtë për 300 000 atletë, anëtarë të personelit dhe gazetarë, një iniciativë e prezantuar si e pazakontë në historinë e Lojërave Olimpike që synon përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit.

Ky sistem, i prezantuar sot në Tokio, do të vendoset në hyrje të 43 qendrave të kompeticionit, të zonës olimpike dhe qendrave të shtypit, por nuk do të aplikohet për spektatorët, shkruan “ata”.

“Është hera e parë që njohja faciale do të përdoret për të gjithë personat e akredituar në të gjitha qendrat”, theksoi Tsuyoshi Iwashita, zyrtar për sigurinë e Lojërave Olimpike, në një konferencë shtypi.

“Bëhet fjalë për riforcimin e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjeve mes vendeve të ndryshme, që do zhvillohen në mbarë megapolin japonez”, shtoi ai.

“Njohja faciale, që konsiston në konfirmimin e identitetit duke krahasuar fytyrën e përdoruesit me foton e paravendosur në çipin e mjetit të identifikimit, do të shmangë të gjitha ‘hyrjet e rreme’ nëpërmjet një karte të vjedhur apo të falsifikuar”, nënvizoi grupi japonez i pajisjeve komjuterike dhe telekomunikacionit NEC, që ka krijuar teknologjinë.

“Do të duhen vetëm 0,3 sekonda për sistemin për të proceduar verifikimin, një shpejtësi e pazakontë në botë”, theksoi Masaaki Suganuma, zëvendëspresident i kompanisë.

Sipas testeve të kryera, njohja faciale do të mundësojë kryerjen e kontrolleve 2,5 herë më shpejt se procedurat klasike duke kufizuar barkodet dhe kontrollet vizuale, në fuqi gjatë Lojërave Olimpike të mëparshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb