NGA: Aurenc Bebja
Gazeta franceze, ‘L’Intransigeant’, ka botuar të mërkurën e 5 shtatorit 1928, në faqen n°3, intervistën e shkurtër të Ahmet Zogut me korrespondentin e “Corriere della Sera” në Tiranë.
Kurorëzimi i udhëheqësit matjan si Mbret i Shqiptarëve (1 shtator 1928) ka ngjallur asokohe pakënaqësi në Jugosllavi, ku reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm. Gjithsesi, Ahmet Zogut nuk i mungonin ambiciet për krijimin e një Shqipërie të suksesshme. Madje, lideri shqiptar i ka rrëfyer gazetarit planin e mbretërisë së tij për të arritur këtë qëllim. Cili ka qenë ky plan ? Përse ka reaguar Beogradi ? Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Torino, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë). – I dërguari i « Corriere della Sera » në Tiranë, pas marrjes pjesë në kurorëzimin e Mbretit të Shqipërisë, ka realizuar një intervistë me sovranin e ri.
Ahmet Zogu ishte i veshur me uniformë ngjyrë kaki të gjeneralit të këmbësorisë dhe me një kapele (colback) të bardhë. Ai nuk mbante asnjë dekoratë. Fytyra e tij nuk është e vrazhdë (egër), por thjeshtë e vullnetshme. Në sallonin e pritjes, të stilit Rilindas, është varur një pikturë e vetme e portretit të nënës së mbretit.
image
“Vendi im, tha Ahmet Zogu, do të jetë, shpresoj, një element paqeje për shtetet ballkanike dhe për Evropën qendrore ; ai ka luftuar gjithmonë për pavarësinë e tij. Shqipëria është sigurisht një shtet i ri, por ajo është gjithashtu një komb shumë i vjetër. Shpirti i saj i ri inkurajon energjitë individuale dhe unë shpresoj se së shpejti mbretëria ime do të jetë në gjendje të formojë një rini të arsimuar, e vendosur të lulëzojë kombin”. Për të festuar kurorëzimin e sovranit, shqiptarët e të gjitha krahinave kanë mbërritur në Tiranë të veshur me kostumet e tyre të vjetra piktoreske. – S.

Një protestë Jugosllave ?
Londër, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë në telefon). – Tek « Daily Mail » na vijnë lajme nga Vjena, se sipas një organi të mirëinformuar, ‘Graz Tagespost’ qeveria e Beogradit ka bërë një protestë formale kundër shpalljes së Ahmet Bej Zogut si ‘Mbret i shqiptarëve’ në vend të ‘Mbret i Shqipërisë’.
Burimi:https://www.darsiani.com/la-gazette/l-intransigeant-1928-ahmet-zogu-gazetarit-te-corriere-della-sera-shqiperia-eshte-sigurisht-nje-shtet-i-ri-por-ajo-eshte-gjithashtu-nje-komb-shume-i-vjeter-reagimi-i-beogradit-pas-shpalljes-se-matjanit-mbret-i-shqiptareve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb