TIRANE– Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se prodhimi i brendshëm bruto është rreth 3.3%, ndërsa theksoi se ky është një lajm i mirë për ekonominë e vendit. Ai pohoi se një tjetër lajm i mirë është dhe vazhdimësia e rritjes së konsumit.

“Norma prej 3.1% e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë, e çon nëntë-mujorin në rivlerësim prej rreth 3.3% e PBB. Është vërtet një lajm shumë i mirë për ekonominë, vazhdon rritja dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike. Megjithatë dua të theksoj që është një sinjal që ne do të duhet të vazhdojmë domosdoshmërish reformat në gjithë sektorët në mënyrë që rritja të jetë e qëndrueshme dhe të përshpejtohet. Lajm tjetër i mirë është gjithashtu vazhdimësia e rritjes së konsumit, konsolidimi i një sërë sektorëve, përmirësimi i performancës së bujqësisë, përmirësimi i dukshëm i performancës së sektorit të ndërtimit, turizmi me një kontribut shumë serioz dhe pozitiv në rritjen ekonomike, pra këto nuk janë më shenja, këto janë statistika të qëndrueshme që Shqipëria ka hyrë në një cikël shumë pozitiv ekonomik.”, tha Ahmetaj.

Nga ana tjetër ministri tha se qeveria synon një rritje 3.7%-3.8% të PBB.

“Dhe ndërkohë rritja ekonomike e vitit të kaluar është një premisë shumë e mirë qe ne të vazhdojmë për 2017, të synojmë një rritje 3.7%-3.8% të PBB. Sigurisht besoj që në shifrat indikativë të tremujorit të katërt, rritja do të vazhdojë sërish të jetë në këto nivele dhe sërish dua të them që po, është në pritshmëritë që ne kemi pasur me FMN, Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare por edhe në përllogaritjet tona të brendshme.”, përfundoi ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: