TIRANE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nis hetimet për zbardhjen e aksidentit të Kavajës, ku humbi jetën Bujana Bushi, të cilës mendohet se i kanë marrë 100 mijë euro. Burime policore sqarojnë se pjesë e këtij hetimi do të jenë pikërisht efektivët që kanë shkuar të parët në vendin e ngjarjes ku u aksidentua viktima, të cilët dyshohet se janë përgjegjësit për atë që ka ndodhur në vendin e ngjarjes. SHKB-ja do të hetojë të gjitha hapat që kanë ndjekur efektivët, duke nisur që nga ora kur ata janë paraqitur në vendin e ngjarjes, çfarë veprimesh kanë kryer aty, kë kanë lajmëruar, çfarë provash materiale kanë sekuestruar, ku i kanë çuar dhe kush mban përgjegjësi për ato. Ndonëse Policia e Tiranës dy ditë më parë doli në një njoftim zyrtar dhe sqaroi se të gjitha sendet që janë gjetur në vendin e aksidentit i ka marrë prokuroria, sërish kjo deklaratë nuk shpëton nga përgjegjësia shefin e Komisariatit të Kavajës dhe shefin e qarkullimit të Policisë Rrugore të Kavajës. Kjo është edhe arsyeja se përse Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimin për dy shefat e Kavajës, pasi ata janë edhe personat që duhej të kishin dijeni për atë që kishte ndodhur gjatë aksidentit dhe për ato që kanë ndodhur më pas. Të njëjtat burime shtojnë se hetimi ka nisur kryesisht pas pretendimeve që kanë ngritur familjarët e viktimës për zhdukjen e 100 mijë eurove, të cilat mendohet se Bujana Bushi i ka pasur me vete. Bashkëshorti i Bujanës, Vullnet Troka tha në një intervistë për “GSH” se paratë i kishin tërhequr bashkë 3 ditë para aksidentit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: