Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Aksioni kundër makinave të vjedhura zbuloi trafikun e drogës në Kavajë. Pranga djalit të ish-policit

droga ne kavaje

Prokuroria urdhëroi dje arrestimin e dy personave të tjerë në vazhdim të operacionit antidrogë “Pilotët”, i cili tri ditë më parë sekuestroi në Kavajë 1,3 tonë kanabis që po bëhej gati për t’u trafikuar në Itali.

Burime zyrtare të Policisë, thanë se në vazhdim të hetimeve kanë rënë në pranga shtetasit Aristotel Kasa, 23 vjeç dhe Kejvi Hajdari, 22 vjeç.

Ky i fundit mësohet se është djali i ish-shefit të Komisariatit të Policisë së Gramshit, shkruan Panorama. Më herët gjatë veprimeve të para të operacionit, ishin arrestuar shtetasit Arvis Muçaj, 24 vjeç, Joni Sadikaj, 18 vjeç dhe Roland Hysenbelliu, 37 vjeç.

Por, burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë bërë me dije se për këtë rast janë shpallur në kërkim pesë persona si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 4 të tjerë.

Burimet e Policisë thanë se po procedohen në gjendje të lirë shtetasit me iniciale: Q.Ç, H.K, A.M dhe S.M ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit: E.E, E.S, B.R., F.S dhe E.S. Gjatë aksionit mësohet se janë sekuestruar 1 ton e 360 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva si dhe katër automjete, 1 gomone, dhe 1 mjet i rëndë traktor.

Nga këqyrja e pakove të lëndës narkotike mësohet se droga do të kishte të paktën tre marrës të ndryshëm në Itali, pasi ambalazhimi dhe inicialet e vendosura në qeset e drogës kanë qenë të tri llojeve të ndryshme.

Dyshimet janë se rrjeti i trafikimit për nga vetë sasia e drogës që po përgatitej për nisje drejt Italisë, është më i gjerë sesa numri i personave të arrestuar deri tani. Hetuesit kanë dyshime se pjesë e këtij rrjeti janë edhe punonjës të policisë së shtetit, të cilët po hetohen për rolin e tyre në këtë histori.


AKSIONI PËR HAJDUTËT KAPI DROGËN
Asnjë ndjekje apo hetim paraprak nuk ka pasur në lidhje me ngarkesën prej 1.3 tonë kanabis, e cila u bllokua së fundi në Kavajë.

Zbulimi i tentativës për trafikimin e kësaj sasie droge në Itali ka ndodhur rastësisht nga postblloqet e policisë që ishin ngritur në kuadër të masave rutinë kundër vjedhjes së banesave dhe automjeteve në zonën e Kavajës.

Në një raport të Policisë në lidhje me ngjarjen, thuhet se makinat që transportonin drogën janë kapur “më datë 14 korrik 2017 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, të cilat kanë qenë të planizuara me shërbim, në bazë të planit të masave nr.1095/K, datë 10 korrik 2017, të hartuar me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në drejtim të veprave penale kundër pronës “vjedhjeve të automjeteve dhe banesave si dhe autorëve të tyre”.

Më konkretisht, mësohet se shërbimet e policisë, kanë konstatuar fillimisht një furgon me drita të gjata të ndezura që po lëvizte me shpejtësi tej normave.

Policia i ka bërë shenjë për të ndaluar automjetit në fjalë, por furgoni ka rritur shpejtësinë dhe ka tentuar të largohet. Forcat e rendit janë vënë në ndjekje të tij dhe pas rreth 20 minutave ndjekje kanë arritur të ndalojnë mjetin që ishte braktisur nga autorët.

Në këtë furgon që udhëtonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” është gjetur edhe sasia më e madhe e drogës.

“Më datë 14.07.2017, rreth orës 02:20, shërbimet e policisë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur fshati “Bago”, dy automjete, konkretisht një “Land Rover” dhe një furgon mund të transportonin lëndë narkotike”, theksohet në komunikatën zyrtare të Policisë.


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.