Stërvitja e fundit në Perros Guirec, vendgrumbullimin e kuqezinjve, para ndeshjes me Francën i ka shërbyer De Biasit për të provuar formacionin që do të hedhë në fushën e Velodrome, për sfidën me Gjelat e Deschamps.

Ndryshime të rëndësishme në formacionin kuqezi për sfidën me mikpritësit e Europianit, De Biasi ndërron 3/11 e formacionit që luajti me Zvicrën. Ndryshim i detyruar në qendër të mbrojtjes ku për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga kartoni i kuq i Lorik Canës, De Biasi ka votuar Arlind Ajetin, kjo edhe sepse preferon që Kukelin, i cili u paraqit mirë i tërhequr në këtë rol ndaj helvetëve kur Shqipëria mbeti me 10 lojtarë, do të jetë sërish në kabinën e regjisë para qendrës së mbrojtjes, nuk ndërron asgjë në pjesën tjetër të mbrojtjes me Berishën mes shtyllave, Mavrajn përkrah Ajetit e Hysajn e Agollin nga krahët por për sa i përket mesfushës fiton një vend nga minuta e parë Ledian Memushaj, me Taulant Xhakën që pritet ta nisë nga stoli.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me Andi Lilën, futbollisti kavajas do të zërë vendin e Odise Roshit në krahun e djathtë, ndërsa ruajnë pozicionet e tyre Abrashi, mjaft efektiv në mesin e fushës në ndeshjen me Zvicrën, ashtu si dhe Lenjani por edhe Armando Sadiku të cilit De Biasi pritet t’i besojë sërish vendin e sulmuesit të vetëm. Është ky formacioni i provuar nga trajneri në seancën e fundit stërvitore, 11shja anti-Francë, natyrisht duke përjashtuar ndonjë të papritur të minutës së fundit. Si një ndër futbollistët e kuotuar për të fituar një vend titullari ndaj gjelave ishte dhe Ergys Kace, ndëshkuesi i Francës në Elbasan Arena por ndoshta ka qenë gjendja fizike e mesfushorit korçar që ka kushtëzuar zgjedhjen e De Biasit, Kace u stërvit i veçuar në seancën e paradites pas dhimbjeve që ndiente në gju, ndërsa pasdite pas një nxemje të zhvilluar individualisht me përgatitësin atletik Alberto Belle u bashkua me grupin.

Gjithsesi është e kuptueshme që për një ndeshje të një rëndësie madhore De Biasi kërkon futbollistë që të jenë në 100% të formës. Gjatë seancës së paradites trajneri ka preferuar të fokusohet te goditjet standard në fazën sulmuese, duke i ushtruar futbollistët si në skemat e goditjeve të këndit ashtu dhe ato standard. Përballë një skuadre me nivel të lartë teknik janë pikërisht këto situata ku mund të përfitohet më tepër, dhe jo rastësisht të dy golat e shënuar ndaj Francës gjatë ndeshjeve në grupin e kualifikuese kanë ardhur në goditje të tilla, kujtojmë këtu golin e Mavrajt pas një goduitje këndi në Rennes, e natyrisht dhe perlën e Ergys Kaçes në Elbasan Arena. (supersport)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: