Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-I nisur në qeverinë “Berisha” e i përfunduar në qeverinë “Rama”, restaurimi i Hamamit të Krujës ka nxjerrë në pah dy dukuri: e para, e majta nuk tha që të djathtët donin ta shkatërronin (madje po merr ‘meritat’ e projektit) dhe nuk po kritikojnë më dhënien e tij me qira (madje po e vijojnë), ndërsa e djathta po e mbron po kaq sa këta. Përtej këtij konstatimi, duket se liria e fjalës është vetëm një koncept: të djathtët, paçka se ç’mendojnë, nuk e kritikojnë se e nisën vetë, ndërsa të majtët, paçka se ç’mendojnë, nuk e kritikojnë, se e ka vlerësuar kreu i qeverisë. Ky është një nga ato rastet kur për interesat e veta, edhe djalli citon Biblën.
Dhe e dyta, nëse specialistët heshtin, për arsyet e tyre, opinioni publik ‘jokompetent’, është zgjuar, reagon në mënyrën e tij edhe nëse opinionet e tyre fshihen, anipse duket se jemi në një vend që as opinioni publik nuk ka ndonjë farë rëndësie për majën e Olimpit! Dhe për fat të keq, duket se vetëm jokompetentët munden të flasin.
Restauratorja e hamamit, Lejla Hadzic u tregua e hapur për debat dhe tregoi në një intervistë për “GSH” se ka një plan biznesi për të, ndërsa shoku i pësuar nga imazhet e sotme të hamamit, vijon ende.
Në kohën kur ky projekt mori jetë, Arbër Kadia ishte drejtor i Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës (qeveria “Berisha”). Për të, dhënia me qira e rivënia në funksion janë normale. Teksa thotë se kjo nuk është një shpikje e Ramës, ai i ‘jep të drejtë’ kryeministrit sa i takon këtij monumenti.
– Si ish-drejtor trashëgimie në MK, si e sheh përfundimin e restaurimit të Hamamit të Krujës?
Projekti i rijetëzimit, a rivlerësimit, sepse ajo si hapësirë arkitekturore ka nevojë vërtet për një qasje e cila synon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë. Unë kam qenë konsulent fillimisht, kur kam qenë në atë detyrë, dhe e kam marrë nën krahë si projekt sepse më interesonte shumë që zbatimi i tij të ecte e të ishte rigoroz. Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut, sepse ne donim të bënim kështu të gjitha hamamet e Shqipërisë. Hamamet në vetvete janë thjesht banja publike të stilit turk të cilat kanë pasur një funksion të caktuar. Për mënyrën se si janë lënë gjithë këto vite, kanë nevojë të menjëhershme për restaurim.
Çfarë ka ndodhur me restaurimin, nuk mund të shprehem, sepse nuk isha në përurim, por, a ka qenë i nevojshëm restaurimi dhe vendosja në jetë e një monumenti të tillë dhe përftimi i një eksperience turistike? Po. E gjithë kalaja e Krujës ka një muzeum që është tërësisht i ri, që është qesharak, ka një teqe e cila nuk është se ka ndonjë vlerë të jashtëzakonshme dhe ky hamam në vetvete, kthehet në një atraksion turistik, por nga ana tjetër, përforcon edhe pjesën arkitekturore.
-Një monument i kategorisë së parë, nuk ka vlerë si dëshmi historike?
Por, por jo se humbet shumë, po ta shohësh në mënyrë pragmatiste dhe po të mos jemi shumë skolastikë. Nëse jemi skolastikë, në përgjithësi në Shqipëri nuk do të bëhej asnjë restaurim, sepse debatet ndonjëherë i kapërcejnë limitet dhe të gjithë bëhen më katolikë se papa.
-A jeni ju dakord me dhënien me qira të tij?
Kjo është ideja që kemi pasur ne, ideja e rivitalizimit. Ishte ai debati i madh, që ju e dini mirë, për rivitalizimin e kalave dhe monumenteve. Është e njëjta qasje.
-Hamami i Krujës, a ka qenë një ndër objektet që do jepeshin me qira në listën tuaj?
Po. Qasja që kishim ne ishte një nga shembujt më të mirë europianë. Domethënë, kur kam qenë drejtor i Trashëgimisë, duke qenë se kam bërë shumë ‘udhëtime studimi’ në Europë dhe kam qenë në vende të ndryshme të Italisë, e cila ka shumë shembuj bashkëpunimi publik-privat, kjo u gjet si mënyra më e mirë, qoftë për ta ruajtur si monument, edhe për ta kthyer në një gjenerator të ardhurash dhe rritje të eksperiencës turistike. Nuk përfiton vetëm restaurim, siç është bërë më herët. Ky model merr parasysh edhe qëndrueshmërinë e nëse duhet transferuar edhe në Elbasan dhe në Gjirokastër, që këto kala të kenë diçka më të prekshme.
– Si të duket imazhi i ri i hamamit, a nuk është shumë modern?
Unë them se, në mënyrë që një turist ta kuptojë më mirë se si funksionon hamami, i duhet shpjeguar çfarë është hipokausti, t’i jepet ilustrimi, si ishte, si u bë dhe si funksionon një hamam në vetvete. Të shpjegohet edhe kalimi, nga termat romakë te hamamet turke, e nëse janë këto elemente ndihmëse, me një televizor, nuk ka asgjë të madhe. Ato shtesat janë pjesë qeramike. Nëse janë përdorur materiale nga e njëjta zonë, jemi në kufijtë e një debati, por është një debat shumë filozofik. Është filozofia e atyre që janë shumë puritanë për sa i përket restaurimit, në këtë rast edhe atyre njerëzve si Tare e Shkreli, të cilët do na vrisnin nëse do të bënim diçka të kësaj natyre. Ne, një projekt të filluar më parë, e përshëndesim tani, nëse është bërë në mënyrën e duhur. Nuk ka asnjë shpikje nga zoti Rama.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: