NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Artan Shabani është prej pothuaj dy vitesh në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve. Për shkak të kësaj detyre, ai la Italinë ku kish kaluar dy dekadat e pas ’90-ës si piktor dhe u vendos në Tiranë bashkë me familjen. Rikthimi në GKA i veprave të shpërndara në institucione shtetërore, rikonceptimi i linjës, nxjerrja në dritë e fondit kanë qenë tri premtimet që ai ka dhënë në 2013-ën, përmes një interviste në këtë gazetë. Dy vite më pas, ai është sërish në GKA, me katin e tretë të zënë nga ikonat e sekuestruara gjatë një hetimi, me një projekt për linjën muzeale dhe me një shqetësim madhor për gjendjen fizike të fondit, e përkundër këtyre, me një buxhet tejet modest që të pret rrugët. Të gjitha këto, pasi skena e artit bashkëkohor bashkë me të, luftuan të mbanin në jetë konkursin ndërkombëtar “ONUFRI”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai tregon se prej katër vitesh, fondi i GKAsë, thënë ndryshe thesari i kësaj galerie, nuk është dezinfektuar. Mosdezinfektimi lejon rritjen e larvave e insekteve, të cilat dëmtojnë pjesët e drunjta të veprave, duke çuar deri tek dëmet e pakthyeshme. Shembulli që jep ai është i thjeshtë: për shkak të larvave tashmë ka nisur dëmtimi i 152 vizatimeve të restauruara që pamë vjet tek ekspozita “100 vjet vizatimi shqiptar”. Më poshtë, Shabani ndan me ne edhe projektet e tij për GKA-në, dy vite pas marrjes së detyrës.

Cila është gjendja e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe nevojat që ka ai aktualisht?
Duke ju falënderuar për interesin, duhet të them se çdo institucion ka nevoja të vazhdueshme që sipas vizionit të stafit e drejtuesit, duhen ezauruar për të mirën e punës dhe impaktit që duhet të ketë një institucion. Fondi i GKA-së, që fillon qysh mbas viteve 1950, ka rreth 5000 vepra arti: ikona, piktura, skulptura në bronz, allçi, tapete, linoleume, grafika, akuarele, etj. Është i pasur jo vetëm në zhanre dhe në numrin e veprave, por sepse në periudha të ndryshme spikasin vepra dhe kryevepra nga artistët të njohur dhe të panjohur, të cilët më interesojnë në mënyrë të veçantë, pasi kanë qenë në periferi, kanë qenë në Kinostudio, piktorë filmi, etj. Duke i parë sot punët e tyre me një tjetër këndvështrim e me mendje të hapur, me mundësi ballafaqimi me skenën e artit dhe duke biseduar me drejtorë muzeumesh, si nga ‘Pompidu’, ‘Ludvig Museum’, që e njohin sistemin e artit, ky fond dhe periudha e realizmit socialist është jashtëzakonisht interesante. Ne nuk lëmë pa konsideruar as pjesën e artit bashkëkohor.

Në fakt, cila është gjendja fizike e fondit?
Ne kemi një ambient në të cilin konservojmë dhe ruajmë veprat e fondit. Që në ditët e para që unë kam filluar punë në Galerinë Kombëtare të Arteve, kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme ndërtimin dhe krijimin e një mundësie të një godine në pjesën e pasme të GKA-së. Pra, kam kërkuar një godinë tërësisht të re, të termo e hidroizoluar, të klimatizuar dhe të siguruar, me të gjitha kriteret që duhet të ketë një boks, një magazinë dhe një depo ku mbahen veprat e artit e ku konservohen, e ruhen nga ndryshimi i temperaturave, pasi për shkak të lëvizjes së temperaturave zhvillohen gjallesa, insekte që dëmtojnë veprat. Duhet të kemi parasysh që një pjesë e veprave janë në dru, ikonat janë në dru, kornizat janë prej druri. Në mungesë të një godine të re, gjithsesi është patjetër i nevojshëm dezinfektimi i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky institucion ka nevojë urgjente për dezinfektim, në mënyrë që të mbrohen veprat e artit nga insektet. Situata nuk është e mirë.

Në dijeninë tonë, ka katër vite pa u dezinfektuar, përse?
Ka katër vite dhe unë kam dy vite që kërkoj mundësinë e dezinfektimit. Nuk mendoj se po përkoj një projekt të BE, por kërkoj të dezinfektohet fondi i kombit shqiptar dhe të evitojmë dëmet. Cila është shuma që nevojitet për dezinfektimin? Mund të fillojë edhe me 4-5 mijë euro. Mendoj se maksimumi mund të kërkojë 7 mijë euro për të bërë një punë serioze. Megjithatë, shifra mund të mos jetë e saktë, pasi për çdo veprim financiar ne shpallim tender dhe kjo më tej varet nga procedurat e ofertat. Në këtë rast, është urgjente ndërhyrja. Doja t’i bëja thirrje biznesit shqiptar që kush ka mundësinë dhe kush e ndjen, mund të kontribuojë dhe në këmbim publikojmë logon e kompanisë. Dua të them diçka jo me revoltë, por me keqardhje, në Shqipëri është më e thjeshtë të sponsorizohet “Miss Buzëqeshja”, apo “Miss Plazhi”, se sa një koncert, apo një muze.

Ju folët për gjendjen fizike të fondit dhe përse është e nevojshme të bëhet tani, megjithatë, nëse dezinfektimi nuk bëhet, çfarë i ndodh fondit?
Kemi një staf të kualifikuar që është sektori i restaurimit, i cili i ka bërë analiza fondit dhe që e mban në kontroll vazhdimisht. Për çdo ekspozitë që hapim ne, çdo vepër kalon pranë këtij stafi dhe i bëhet analizë. Sektori i restaurimit merret me gjendjen e tij dhe peshën që ka fondi në një pjesë të GKA-së, flas për peshën që vetë veprat kanë në stivat e drurit ku vihen.

Rrezikojmë që të dëmtohet fondi nëse i hyn krimbi drurit, pasi duke e konsumuar drurin, e dobëson atë dhe mund të dëmtohen shumë piktura. Edhe veprat e restauruara kanë nevojë për dezinfektim?
Po. Ndodh që restaurohet një vepër arti dhe nëse nuk e dezinfekton, puna e bërë nuk ka asnjë vlerë, gjë që ne na ndodhi me vizatimin shqiptar, me ekspozitën 100 vjet vizatim shqiptar. Restauruam dhe bëmë me korniza 152 vizatime. Të gjitha këto korniza kanë filluar të dëmtohen, sepse ngaqë janë të padezinfektuara, larvat janë zhvilluar dhe e dëmtojnë drurin.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb