* Foto e shkeputur nga video e kreut te PD

TIRANE – Kreu i opozitës, Lulzim Basha bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama, për futjen në Shqipëri të pajisjes së përgjimit të policisë, që sipas opozitës ka përgjuar opozitën, presidentin, mediat, gazetarët etj.

Në një deklaratë për mediat, Basha theksoi se qytetarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën dhe për këtë arsye opozita ka thirrur nesër në Komisionin e Sigurisë ministrin Tahiri, kryeprokurorin Llalla, kreun e SHISH dhe drejtorin e Policisë së Shtetit.

“Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e prokurorisë njëlloj siç veprojnë organizatat kriminale. Në një vend ku skandali i zë vendin skandalit, ky skandal zë vendin e parë, përgjegjësia shkon drejtpërdrejt tek Rama. Përpjekjet e tij për të larguar vëmendjen nga skandali, janë një konfirmim më shumë se gjendet përpara një mine të madhe paligjshme. Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit. Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krimin, të një shteti mafioz mbi shtetin, që nënkupton asgjësimin e Republikës”- deklaroi Basha.

RAMA REAGON PËR SKANDALIN E PËRGJIMEVE: NGA FRIKA E REFORMËS IU DUKET SIKUR I PËRGJOJNË
Kreu i Qeverisë Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas publikimit të skandalit të përgjimeve nga Policia e Shtetit. Nëpërmjet një reagimi të shkurtër dhe ironik në Facebook, kryeministri Rama, shkruan se e gjitha kjo vjen si rezultat i Reformës në Drejtësi.

“Hall i madh Reforma në Drejtësi tani u bëhet edhe sikur i përgjojnë. Vaj medet PD”, shkruan Kryeministri.

BASHA I KUNDERPERGJIGJET RAMES ME NJE VIDEO

Kreu i PD Lulzim Basha me pas publikon nje video si reagim ndaj deklarates se kryeministrit Edi Rama.
“PO REFORMES! DREJTESI E PA KAPUR!”, shkruan Basha duke iu pergjigjur kreut te qeverise se Reforma ne Drejtesi nuk perben kercenim real per PD, sesa per PS.

DEKLARATA E PLOTE E BASHES
Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.

Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.

Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale.

Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeveria, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.

Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek kryeministri i vendit, Edi Rama.

Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.

Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check-up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie.

Transparenca për ketë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe  shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.

Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të  pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.

Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore.

Mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës.

Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të  gazetarëve, të qytetarëve.

Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës – jo thjesht  të një shteti brenda shtetit, por  të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e  Republikës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: