TIRANE – Bektashinjtë festojnë sot “Sulltan Novruzin” dhe i pari që u ka dërguar urimin ka qënë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, në një ceremoni madhështore solemne në Kryegjyshatë, është lutur sot për ditëlindjen e Imam Aliut dhe me këngën e tij, në gëzim të kësaj dite, e ka bërë ceremoninë të gëzueshme. Ai ka lexuar liturgjinë optimiste me vargje plot kuptim në shqipe të pastër, të shoqëruara nga refreni:

Zot o Zot, të qofsha falë
Ne nuk dimë të vemi tutje
Ki mëshirë e na prano
Këto fjalë e këto lutje.

Ceremonia u zhvillua në sallën e re të Kryegjyshatës Botërore, për të cilën, Kryegjyshi Botëror Brahimaj tha në fund të lutjeve të tij:

“Falemnderit për të gjithë ata që kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj godine mashëtore. Ne do të mundohemi që sivjet të bëjmë inaugurimin e këtij tempulli madhështor. Në emër të Imam Aliut ju uroj paqe e madhështi.”

Për herë të parë, pas 50 vjetësh ndërprerje, Festa e Sulltan Novruzit u festua më 22 mars 1990, me ndryshimin e sistemit totalitar në Shqipëri dhe fillimin e proçeseve demokratike, që sollën një erë të re edhe për besimet fetare në vendin tonë. Atë vit u konfirmua rifillimi i vijimësisë së veprimtarisë së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe mori pjesë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, edhe Shënjtorja e madhe Nënë Tereza, e cila dha një ndihmesë të çmuar për ringritjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

MESAZHI I PRESIDENTIT TE REPUBLIKES

“Të dashur besimtarë bektashianë! Gëzuar festën e Sulltan Novruzit!

Tek ne dhe kudo në botë festën e bukur të Sulltan Novruzit e respektojnë dhe e festojnë jo vetëm besimtarët bektashianë por edhe plot të tjerë, prandaj: Gëzuar të gjithëve Sulltan Novruzin!

Sulltan Novruzi koinçidon me ngrohjen e motit pas dimrit të ftohtë, ardhjen e pranverës, zgjatjen e ditës, shkurtimin e natës, ringjalljen e natyrës, hovin e jetës, gjallërimin e trupit dhe të shpirtit, pra me gjithë të mirat për të cilat ka nevojë njeriu.

Sulltan Novruzi bart në thelbin e vet harmoninë ndërfetare. Lumnimi që kjo festë u shkakton njerëzve me besime të ndryshme, është prova, dhe vetë ne jemi dëshmitarët.

Sulltan Novruzi është një festë shumëfish e rëndësishme.

Të flasësh për Sulltan Novruzin dhe Bektashizmin do ishte tejet e mangët pa përmendur rolin e madh patriotik, rilindas, emancipues, qytetërues që bektashizmi, baballarët, teqetë dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me ta. Mjaft të kujtosh se, jo vetëm gjatë periudhës diktatoriale, por në përgjithësi gjatë stuhive të kohërave, edhe pse jo të vetmit, bektashinjtë kanë qenë nga më të shquarit që i kanë dal zot e i kanë vënë shpatullat situatave nga më të vështirat për fatet tona historike, duke mos i lënë shqiptarët të ligështohen dhe Shqipërinë të vdesë.

Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, janë ende të gjalla kujtimet e gjyshërve tanë të cilët kishin mësuar shkrim e këndim Shqip nëpër teqe të shenjta që ishin shndërruar në shkolla dhe baballarë patriotë në mësues.

Me rastin e kësaj feste të mrekullueshme, me shpirt e me zemër, u uroj të gjithëve: Mbarësi, mirëqenie, begati, mirëkuptim, pajtim, paqe, dashuri, shpresë!”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: