TIRANË – Ish-Kryeministri Berisha deklaron se deputeti Mark Frroku, që kërkohet të arrestohet nga autoritetet shqiptare dhe ato belge, mund të tregojë nesër të vërtetën lidhur me vrasjen e deputetëve Doshi dhe Frroku dhe kjo është arsyeja që Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka njoftuar ta drejtojë vetë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për arrestimin e tij dhe pa praninë e mediave.

Berisha shkruan: “Meta, i akuzuar se porositi vrasjen e dy deputetëve, skenar të cilin për herë të parë Doshit ia tha Frroku, ka frikë se ndaj kërkesës së dytë për arrestim, Frroku mund të thotë të vërtetën për fshehjen nga Meta prej 7 muajve të kërkesës së autoriteteve të Brukselit për ekstradimin e tij në shkëmbim të deklaratës se ai, Frroku, nuk njihte mikun e tij Durim Bami.”

“Jo vetëm që Meta do ta kryesojë vetë mbledhjen, – shprehet ai, – por ai nuk do të lejojë nesër media në sallë, pra do të inskenojë seancë tip shpelle, pikërisht nga frika e ndonjë bombe që Frroku mund të lëshojë gjatë pyetjeve në seancë.

Po kështu, thuhet se Rama dhe Meta kanë porositur Nasipin që Frroku, dëshmitar kyç në akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë, për porosinë e tij për vrasjen me pagesë të deputetëve Doshi dhe Fufi, në asnjë mënyrë të mos ekstradohet në Bruksel, – përfundon hipotezat Berisha. – Kjo sepse atje, ai jashtë kërcënimeve të Metës dhe Ramës, mund të dëshmojë të vërtetën për Metën, Doshin, Bamin, Tonin.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb