Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Paralajmërimi i Berishës: Rama-Vuçiç lojë për të ndarë Kosovën, do hapet kutia e Pandorës

Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar pasardhësin e tij Edi Rama se po mbështet projektin serb për ndarjen e re të Kosovës. Në një status në “Facebook”, Berisha flet për një lojë mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për ndarjen e Kosovës, siç shkruan me shkëmbim territoresh. Madje sipas Berishës, së shpejti Rama dhe Vuçiç do të bëjnë një vizitë në Preshevë.

Për Berishën ky projekt përbën hapin parë të madh për rikthimin e Serbisë së Madhe dhe i bën thirrje Ramës të heqë dorë se është lojë me zjarrin, apo hapja e kutisë së Pandorës.

STATUSI I BERISHËS
Loja Rama-Vuçiç për ndarjen e Kosovës është lojë me zjarrin në Ballkan!
Edi Rama mbështet projektin antikombëtar të Vuçiç për ndarjen e Kosovës!

Të dashur miq, burime diplomatike bëjnë me dije se projekti serb për ndarjen e re në kuadrin e një shkëmbimi territoresh është mbështetur plotësisht nga Edi Rama. Madje në këtë kuadër, burimet diplomatike thonë se së afërmi është planifikuar një vizitë e përbashkët në Preshevë Vuçiç-Rama.

Të dashur miq, ky projekt përbën hapin parë të madh në kuadrin e rikthimit të Serbisë së Madhe. Beogradi, menjëherë pas luftës, kërkoi me insistim të madh që të zgjidhte me Tiranën problemin e aneksimit të Mitrovicës së Veriut dhe shkëmbimit të territoreve, por hasi në një jo kategorike të palës tonë. Një projekt i tillë, po të kemi parasysh se në Ballkan kemi jo një por disa Mitrovica, do të hapë kutinë e Pandorës dhe të ndeze vatra konfliktesh me pasoja të paparashikueshme.

Me këtë rast i them Edi Ramës, që përpiqet të mbulojë me akte të reja tradhtie shitjen e detit Greqisë: hiq dorë nga pazaret e fëlliqura prej aparteidi në veri të Kosovës se do të mbash përgjegjësinë më të rëndë personale.

Ju bëj thirrje SHBA dhe vendeve anëtare të NATO dhe BE të hedhin poshtë çdo projekt për ndarje të reja në Ballkan pasi kjo do shënonte fillimin e një cikli të ri konfliktesh të rrezikshme ne rajon!

Berisha fb

(m.k/BalkanWeb)


Komente ( 3 )