TIRANE-Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) i mbledhur sot ka marrë vendimin përfundimtar për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ka vendosur që ai të mos i nënshtrohet procesit të vettingut duke lënë në fuqi vendimin e KPK. Sipas vendimit të KPA, Llalla nuk mund të ketë poste në drejtësi për një periudhë prej 15 vitesh.

“Janë përmbushur elementët e dorëheqjes nga detyra, pasi është zbatuar një prej rrugëve procedurale të legjislacionit në fuqi. Kolegji çmon se vendimmarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka qenë e drejtë dhe duhet konfirmuar. Kolegji me shumicë votash vendosi ndryshimin e vendimit: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”- thuhet ndër të tjera në vendimin e KPA.
kpa
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk mori pjesë në dy seancat e kaluara si dhe në seancën e sotme, ndërsa u përfaqësua nga avokati Sokol Hazizaj. Avokati tha në seancen e kaluar se klientit të tij i kishte mbaruar mandati i kryeprokurorit dhe shtoi faktin se nëse ai jep dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, rivlerësimi ndërpritet.

Por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha se Adriatik Llalla si magjistrat nuk ka ndjekur procedurën ligjore të dorëheqjes. Sipas tij, megjithëse Llalla ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, ai nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.

“Llalla e gëzon ende statusin e magjistratit për shkak se është ish- kryeprokuror. Ai nuk e ka dhënë dorëheqjen në formën e kërkuar”- tha Ballhysa ne seancen e kaluar.

Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku u kërkua që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.

Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb