Nga: Vjollca Kongjoni*
TIRANË- Ndonëse qeveria, në mbledhjen e fundit për këtë sezon, vendosi të pezullojë për një vit të gjitha lejet e ndërtimit në vend, nga ky rregull janë përjashtuar 14 Bashki të reja, 12 prej të cilave janë të majta. Sipas hartës së publikuar në fletoren zyrtare, në territore të specifikuara të bashkive të mëdha si Tirana, Fieri, Shkodra apo edhe në Durrës e Vlorë do të lejohen ndërtime, lejet e të cilave do të shqyrtohen nga vetë njësitë vendore. Por për objektet mbi gjashtë kate leja e ndërtimit do të jepet nga Këshillit Kombëtar të Territorit.

14 Bashki të konstituuara sipas reformës së re territoriale përjashtohen nga vendimi i fundit i qeverisë për pezullim të lejeve të ndërtimit për një vit, në kuadër të hartimit të planit zhvillimor të territorit në vend. Ndryshimet në këtë vendim të propozuara nga ministria e Zhvillimit Urban dhe të publikuara në fletoren zyrtare, paraqesin hartën e re me 14 zonat ku do të lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit. Sipas kësaj harte vërehet se drita jeshile për të ndërtuar u është hapur 12 Bashkive të fituara nga e majta në zgjedhjet e fundit vendore të 21 qershorit dhe vetëm dy prej tyre Shkodra dhe Kamza janë me kryetarë të djathtë. Për të gjitha këto njësi vendore ndryshimet e reja ligjore përcaktojnë se lejet për zhvillim apo ndërtime do të merren në shqyrtim nga autoritetet përgjegjëse vetëm për ato zona për të cilat janë miratuar dokumentet e planifikimit të territorit, duke përjashtuar vetëm ato zona me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike dhe brezit bregdetar. Gjithsesi në pikën ‘c’ të këtij vendimi thuhet se për objektet mbi 6 kate leja e ndërtimit do të jepet nga Këshillit Kombëtar të Territorit.

Sipas kësaj harte bie në sy, se numrin më të madh për leje ndërtimi e ka bashkia e Fierit, e Shkodrës dhe e Kurbinit por nuk mbeten pas edhe dy bashkitë e zonave bregdetare Vlorë dhe Durrës. Në pikën 2 të vendimit përcaktohen rastet se kur Autoritetet e zhvillimit të Territorit japin leje ndërtimi. Kështu do të lejohen lejet e posacme për banesa individuale, kërkuar nga pronari i truallit për strehimin primar të tij, me sipërfaqe totale ndërtimi deri në 250 m² si dhe shtesat në banesa individuale ekzistuese, deri në masën 50 për qind të sipërfaqes së tyre totale të ndërtimit. Do të jepen leje për struktura me funksion turistik, struktura në funksion të prodhimit, përpunimit dhe shperndarjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu do të lejohen edhe ndërtime për punime në infrastrukturë apo struktura publike.

Në kuadër të zhvillimit të hartimit të planit zhvillimor të territorit në vend Këshilli Kombëtar i Territorit u ka kërkuar 61 njësive vendore të punojnë për planet e reja zhvillimore nga të cilat vetëm 26 prej tyre kanë nisur punën për planet zhvillimore, sikurse është edhe bashkia më e madhe e vendit, Tirana.

Zonat ku lejohen ndërtimet Nr. i Lejeve

Bashkia Himarë 1

Bashkia Lushnjë 2

Bashkia Berat 7

Bashkia Kamzë 8

Bashkia Tiranë 1

Bashkia Fier 36

Bashkia Vlorë 22

Bashkia Kurbin 24

Bashkia Shkodër 27

Bashkia Rrogozhinë 14

Bashkia Krujë 23

Bashkia Bulqizë 13

Bashkia Korçë 12

Bashkia Durrës 13

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: