SHBA-Ka filluar tashmë në New York, Boston dhe në pjesën tjetër verilindore të SHBA ajo që po quhet ‘stuhi e dëborës historike’, e cila pritet të sjellë në vend reshje dëbore me një trashësi mbi 90 cm. Zona që pritet të mbulohen me dëborë do të jenë pjesë e një perimetri deri në 400 km, ndërsa dhjetëra milionë banorë pritet të vuajnë temperaturat e ulëta në këto zona. Shtete si New York e New Jersey kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërkohë që një numër i madh shkollash janë mbyllur si në shtetet e sipërcituara, ashtu edhe në shtete të tjera. Si rezultat i kësaj gjendjeje janë pezulluar shumë fluturime si brenda ashtu edhe jashtë vendit në tri aeroportet në New York. Zyrtarët publik të New York-ut kanë bërë thirrje që të tregohet kujdes me udhëtimet dhe se i gjithë transporti publik do të ndalet pas orës tetë në mbrëmje. Disa shtete kanë urdhëruar ndalesë daljeje pas mesnate, madje ata që dalin me makina mund edhe mund të arrestohen. Në qytetin e New York-ut, kreu i bashkisë Bill de Blasio ka urdhëruar ndalimin e të gjitha automjeteve jo emergjente në qytet pas orës 11 të mbrëmjes. Dy ndeshje të ekipeve në NBA në New York, Brooklyn Nets dhe New York Nicks janë shtyrë për në mars dhe prill. Shumë familje kanë përfituar nga dje që të blejnë dhe të kryejnë sa më shumë furnizime me ushqim, duke pasur kështu rezerva disa ditëshe për të evituar daljet e herëpashershme. Ndërkohë një ndër shqetësimet kryesore është edhe mundësia e ndërprerjes së e energjisë për disa ditë, si pasojë e stuhisë.

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: