Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Brenga e kompozitorit të njohur shqiptar, misteri i vrasjes së babait dhe vëllait 14 vjeç

screenshot-12_1500139716-5951216

Nga XHEVDET SHEHU

Shumëkush mund ta mendojë artistin tonë të njohur Limos Dizdari si një njeri që jeton pambarimisht midis haresë së notave muzikore, në një botë thuajse të ëndërrt, ku ai ka krijuar vepra të mrekullueshme dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Pa asnjë dyshim ai është nga kompozitorët më të mirë të këtij vendi. Vepra të gjinive të ndryshme, çmime dhe vlerësime pa fund. Muzika është një art që në një perceptim vulgar perceptohet si një zeje e njerëzve të qejfit, kur është pikërisht e kundërta. Një krijues i madh i ka më të mëdha edhe ndijimet, edhe shqisat, edhe dhimbjet se sa njerëzit e tjerë të zakonshëm me të cilët mund t’i lidhë vetëm bashkëkohësia. Krijuesit e mëdhenj i përjetojnë brengat e tyre në një mënyrë krejt të veçantë, gati të pakuptueshme. Si tingujt e erës nëpër drurë, si një stuhi dëbore në alpe apo si shkulmet e valëve të detit në mote të mbrapshtë.

Mirëpo, a i kapin dhe perceptojnë të gjithë këta tinguj, valë e dallgë të gjithë njëlloj, dhe për më tepër t’i ndiejnë dhe t’i interpretojnë dhe t’i hedhin në poezi, romane apo pentagrame?

Limos Dizdari është padyshim një nga këta njerëz-artistë me shije tejet të holla. Duke mos qenë i sferës së tij krijuese, nuk më takon mua të japë konsiderata për të si kompozitor. Më ka pëlqyer muzika që ka krijuar dhe besoj në konsideratat që kanë dhënë për të kolegët e tij dhe sidomos ekspertët e muzikës.

Unë këtu po shkruaj për një brengë të pasosur të artistit të shquar. Madje një brengë të dyfishtë të tij.

***
Para dy ditësh miku im Dilaver Goxhaj, një ushtarak i shquar dhe një nga figurat qendrore të UÇK-së në vitin 1999, më dërgoi një shkrim për këtë brengë të madhe të artistit Limos Dizdari. E njoh prej shumë vitesh Limosin, por këtë brengë nuk ma kish treguar asnjëherë më parë. Ndoshta nuk kishte dashur që brengën e tij t’ua transmetonte edhe të tjerëve. Sepse Limosi duket se ka një parim të tij: Secili ka hallet e tij në këtë botë, prandaj mos u shto edhe ti gurët e halleve të tua.

Drama e Limosit me pak fjalë ishte kjo: I ati i tij në vitin 1943 shkon të ndjekë të birin, Baftjarin, i cili kishte dalë partizan pa lejen e tij. Meraku i prindit e shtyu të shkonte dhe ta merrte në shtëpi të birin, pasi ishte ende kalama. 14 vjeç ishte Baftjari. Mirëpo, kur shkoi në Brigadë e takoi të birin, bëri të kundërtën: qëndroi edhe vetë partizan, si intendent i Brigadës… Pas disa muajsh, si sot 73 vjet më parë, më 15 korrik 1944, Hulusi Dizdarin e nxjerrin para togës së pushkatimit dhe e vrasin shokët e tij me yllin e kuq në ballë. Pa gjyq, pa dëshmi, pa motivacion… Pastaj e lënë dhe pa varr!
***
Kur ndodhi tragjedia, Limosi ishte vetëm dy vjeç dhe ai thuajse nuk mban mend asgjë. Pas 73 vjetësh tragjedia i vjen në trajtën e një ulërime, që herë i ngjan një klithme njerëzore, herë një kuje ere në netët dimërore ku nuk merret vesh kush ulërin më shumë: natyra, njeriu apo ujqërit. Ndërsa nëna e tij mund të qante pambarimisht natën dhe ditën duke përsëritur vazhdimisht “O ç’hata, ç’hata e madhe na gjeti!”, foshnja dy vjeç imitonte nënën dhe qante pa e kuptuar pse. Mbase kështu besonte se ia lehtësonte brengën nënës duke i fshirë asaj lotët që nuk iu shterën asnjëherë… Nuk e dinte kuptimin e fjalës “hata” që i dukej si “ata” dhe sidomos nuk e kishte idenë e fjalës vdekje. Babai, të cilit nuk ia kishte fiksuar ende mirë tiparet e fytyrës, si në ëndrra i shfaqej si një engjëll shpëtimtar që do të vinte me doemos me gjithë të mirat një ditë…
“Kur të rritem do t’i mësoj të gjitha”, betohej më vete Limosi.

Por, ata, shokët e babait dhe të vëllait nuk i thanë kurrë se je bir i një tradhtari apo armiku, por as edhe dëshmori. Gjithsesi e trajtuan mirë. E dërguan në shkolla, e bënë edhe komunist më vonë, por të vërtetën nuk ia thanë që nuk ia thanë. Kjo, në vend që t’ia lehtësonte brengën, e mundonte dhe më shumë… Për më tepër kur mësonte se nuk ishte rasti i tij i vetëm. Kishin ndodhur edhe vrasje të tjera në kohën e luftës me dhe pa gjyq, madje dhe pas shpine… Sidomos intendentësh. Gjithsesi atij i rrinte dhe i rri mendja te halli i tij, te brenga e tij e pasosur, e mistershme dhe me shumë pikëpyetje…
Herë-herë ka arsyetuar se trajtimi i mirë që i bëri regjimi, ishte njëfarë ndjese e tërthortë, ndërsa shikimet e buta të ish-shokëve të të atit dhe të vëllait kur e takonin, i dukej se i thoshnin: Mos i hap më ato plagë, janë bërë edhe gabime… Ne do të ndihmojmë të ngjitesh e të kesh kushte sa më të mira në jetë…

Mirëpo ky interpretim sikur bënte efekt të kundërt tek artisti tashmë i shquar dhe kështu, në mënyrën më të natyrshme të mundshme, ajo brengë iu bë pjesë e pandarë e jetës së tij. Kur ishte dhjetë vjeç, kur lidhi për herë të parë shallin e pionierit në qafë, kur mori teserën e anëtarit të rinisë, kur shkoi në shkollë të mesme, kur spikati për veshin e muzikantit dhe shkoi në shkollë për muzikant, kur bëri kompozimin e parë, kur krijonte këngë, mandej muzikën e 35 filmave, si rrallëkush tjetër. Sidomos kur shkruante muzikën e filmave me temën e luftës gjithnjë do të kish para syve babain dhe vëllain e tij, partizanët me një fat tragjik… Studiuesit e muzikës nëse nuk e kanë pikasur deri më tani, mbase do të zbulojnë ndonjë ditë në pentagramet e Limosit brengën e artistit.
***
Limos Dizdarin mund ta përfytyrosh duke dihatur në të përpjetat e jetës së tij prej më shumë se 70 vjetësh. Ajo dihatje me një brengë të pasosur në shpirt, shpesh i kthehej në dënesje e herë në ulërima dhimbjesh të brendshme të cilat më vonë gjeti mënyrën t’i kthente në nota muzikore në pentagrame të pafundmë këngësh dhe simfonish. Ashtu si të gjithë artistët në gjinitë e tyre të krijimit artistik.

Ai gjeti te kompozicioni magjinë për të plazmuar në pentagrame brengën e tij të thellë që në vend t’i fashitej e harrohej, i rritej dhe nuk e linte për asnjë çast të qetë e të ndihej i lumtur. Brengat vetëm të trishtojnë, kurrsesi nuk të lumturojnë… Ndërsa ata nëpër festivalet e këngës, në koncerte simfonike i kërkonin pjesë të bukura me nota gazmore dhe optimiste sikurse trumbetohej se ishte jeta e re socialiste… Me kalimin e viteve ai kuptoi se nuk ishte i vetëm në dhimbjen e tij. Vërtetë ne kishim fituar një luftë, por në atë luftë ishin bërë edhe padrejtësi, kishte pasur dhe shumë viktima të pafajshme. Ai vetë ishte një viktimë e kohës që duhej ta duronte pambarimisht…

Çfarë kërkon artisti pas kaq shumë vitesh udhëtimi me brengën e tij të pasosur? Gjënë më të thjeshtë në botë: Të vërtetën. Dhe një ndjesë publike për krimin e kryer! Njohja e statusit të dëshmorit për të atin është më e pakta. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli.
Dhe artisti Limos Dizdari jam i sigurt se di të falë…

Rruga për tek e vërteta ka shumë armiq!
Kolonel Dilaver Goxhaj*

Kishin kaluar gati dhjetë vite prej botimit të librit “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, me autor Ylli Polovinën, në të cilin trajtohet një pjesë e veprimtarisë sime luftarake në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Midis të tjerave, në disa faqe të atij libri përshkruhet një debat për mospushkatimim e një luftëtari të asaj ushtrie. Me sa duket, ky libër i pat rënë në dorë z.Limos Dizdari shumë më vonë nga viti i botimit, dhe i kishte tërhequr vëmendjen, ndaj dhe më telefonoi. Pasi këmbyem përshëndetjet e rastit në telefon, m’u lut që të pinim një kafe e të shkëmbenim disa mendime.

Kjo ftesë qe e papritur për mua, pasi me kompozitorin e mirënjohur Limos Dizdari njihesha fare pak. Kishim vetëm një njohje zyrtare të para gati pesëmbëdhjetë vjetëve, gjatë periudhës kur ai kishte qenë drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve. Derisa ai kërkoi takim me mua, një ushtarak që s’ka aspak lidhje me profesionin e tij, mendova se donte të rrëfente diçka me rëndësi për atë.

Pasi u ulëm të nesërmen në një prej lokaleve të qeta në Tiranë, z.Limos nxori prej çantës së dorës atë libër dhe m’u drejtua, duke më thënë: “Të lutem, mos ma merrni për asgjë të papëlqyer, por kam një plagë familjare, e cila përngjan pak a shumë me çka trajtohet në këto faqe të këtij libri; dhe e hapa librin në ato faqe ku trajtohet ajo çështje çka përmenda më lartë. Njerëzit që përjetojnë tragjedira, ruajnë ndonjë gjë në shpirt që po t’u jepet rasti do ta tregojnë me gjithë qejf.

Ku qëndron lidhja e brengës tuaj me çka trajtohet në këto faqe?, e pyeta unë.
Dhe z.Limos m’u përgjigj duke më treguar, se edhe babai i tij, Hulusi Dizdari, pat qenë partizan, bashkë me djalin e tij adoleshent, Baftjarin, fillimisht në batalionin “Çamëria”, i cili u formua në shkurt të vitit 1943 e përbëhej me partizanë nga fshatrat e Konispolit, Delvinës, Vurgut etj., e që më pas mori emërtimin “Thoma Lulo”. Në këtë batalion i ishte ngarkuar detyra e intendentit të batalionit, ngaqë ishte ndër më të shkolluarit, kishte qenë në shkollën “Zosimea” në Janinë. Bazuar në origjinën familjare dhe atë ekonomike, ajo që e lidhte Hulusi Dizdarin me luftën çlirimtare nuk ishte interesi material, pasi ai vinte nga një familje e pasur, por thjesht ideja e çlirimit; shkurt, ndershmëria, një materie e një rendi më të lartë, për të përmbysur atë botë të kalbur, të cilën do ta bënte vetëm duke u inkuadruar në rreshtat partizane.

Intendenti është ekonomati i rendimit luftarak. Një organizim i mirë ekonomik në radhët partizane është i nevojshëm si ajri që marrim frymë. Që mund të kryhet prej rendimeve partizane një veprimtari e suksesshme luftarake, e që aksionet të vinë gjithnjë në rritje, duhet që jo vetëm ushqimi por edhe veshmbathja, armatimi e municioni duhet të jenë në domosdoshmërinë e mjaftueshme. Dhe të gjitha këto duhet t’i mendojë, t’i organizojë e t’i kryejë intendenti. Intendentëve, veçanërisht në ushtritë çlirimtare vullnetare, për të kryer këtë detyrë u besohen të gjitha llojet e të mirave materiale, të lakmueshme për shumë njerëz, me dhe pa funksione. Si të tillë, intendentët janë luftëtarët më të shkathët e më inteligjentë, gjë që i bën xhelozë ata pa intelekt. Të qenët në luftë për intendentët është më së shumti një punë që kërkon ndershmëri e përkushtim; intendenti në luftën partizane është puna më e vështirë që njeh njeriu, është një punë pa asnjë lloj pushimi, pa çlodhje, është një punë prej 24 orë çdo ditë, të cilin nuk e zë gjumi edhe kur bie për të fjetur gjumë. Por intendentët kanë një të keqe që i rrezikon: disponojnë të mirat materiale të çdo lloji.

Detyrën e intendentit të batalionit Hulusi Dizdari e vijoi edhe kur një kompani e këtij batalioni u inkuadrua në batalionin e 3 të Br7S, me urdhër të SHP të UNÇSH, të datës 20 shkurt 1944. Hulusiu u detyrua të largohej nga treva e ku kishte familjen, i detyruar të shkonte pas djalit, i cili doli përsëri vullnetar për në Br7S.

Nëse i referohemi historikëve të formacioneve të LANÇ-it, mësojmë se nuk janë të paktë intendentët e vrarë gjatë asaj lufte. Dhe kjo kryesisht për posedimin prej tyre të materialeve me vlerë, përfshi edhe stërlinat e ndihmës angleze. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe shkaku i pushkatimit pa gjyq partizan i Hulusiut, në 15 korrik 1944, në Therepel të Skraparit; edhe pse këtë lloj pushkatimi e ndalonin dhe e dënonin rreptë rregulloret e asj ushtrie çlirimtare. Bazuar në dëshmitë verbale dhe me shkrim që i kanë dhënë z.Limos ish-drejtues të lartë të Br7S si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë të Hulusi Dizdarit, e tërë brigada u indinjua kur mësoi pushkatimin e tij pa asnjë lloj gjyqi e pa asnjë lloj shpjegimi! Prej atëherë e deri tash nuk i dihet as varri Hulusi Dizdarit, edhe pse emri i tij figuron në Historikun e Br7S.

Djali i tij në atë kohë adoleshent, Baftjari, dhe shumë prej shokëve të luftës, bashkëvendas të Hulusiut, kërkuan t’u shpjegohej arsyeja e pushkatimit, por kishin marrë vetëm një përgjigje: “Atë e di komanda e brigadës”. Madje, pas këtyre kërkesave këmbëngulëse të Baftjarit dhe disa partizanëve të tjerë, komanda e brigadës e urdhëron Baftjarin fëmijë të largohej nga Br7S dhe të shkonte në Br19S. Pasi i vranë babanë pa asnjë lloj shpjegimi, “komandantët” e urdhërojnë të lipset edhe ai nga brigada! O Tempora, o Mores! A mund të mundohet kështu një fëmijë?!.. A ka gjë më të tmerrshme… Qoftë edhe sikur ta bënin për hir të lumturisë së pakufishme të të gjithë popullit. Një lumturi e tillë do të ishte e mallkuar…

Ndërsa Baftjarin, vijon tregimin z.Limos Dizdari, me mbarimin e luftës e dërgojnë në Shkollën e “Pionierëve të Luftës” (Shkolla Skënderbej), pastaj kryen Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe titullohet oficer artilerie, ndërsa në vitet 1963-1966 kryen edhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, në Fakultetin e Artilerisë dhe emërohet në Korpusin e Shkodrës me detyrë shef i zbulimit të artilerisë së Korpusit. Në 19 janar 1970, në ora 22.30, sikundër na informuan me shkrim, (ndërsa ne, prokurori na pat thënë se ishte ora 22.05 dhe temperatura -50C), -vijon z.Limos-, Baftjari, duke udhëtuar për arsye shërbimi me një kamion të zooteknikes së Shkodrës, prej Tirane në Shkodër, pasi kalojnë urën e Bahçallëkut shoferi ç’orientohet dhe bie me gjithë makinë në lumin e Bunës dhe, çuditërisht, shoferi paska dalë, edhe pse kamioni përmbyset nga krahu i tij, ndërsa oficeri Baftjar Dizdari humbi!… Dhe nuk u kërkua më!

“U interesuam dhe na thoshnin se nuk dinin asgjë më shumë. Por çuditërisht kolegët e tij komanda e Korpusit nuk i lejoi as të shkonin edhe për ngushëllim në familjen e Baftjarit, madje familjes nuk i çuan as pagën e muajit janar!.. Shoferin e kamionit nuk e lejuan ta kontaktonim ne familjarët e Baftjarit!.. Edhe sot e gjithë ditën nuk dimë asgjë rreth tij… Njësoj si dhe për babanë… Ua tregova këto dy ngjarje tragjike për ne, meqenëse më ngacmoi libri që lexova, si dhe për të mësuar diçka më shumë, nëse a mund të ndodhin të tilla pushkatime në luftë, pasi UÇK-ja, me sa kam kuptuar nga ky libër, ka qenë në stadin që ishte Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare në vitin 1944… Duke qenë i biri i Hulusiut dhe vëllai i Baftjar Dizdarit jam dhënë me mish e me shpirt pas këtyre dy tragjedive, që kanë mbetur ende të pazgjidhura”.

Me kaq e përfundoi tregimin e tij z.Limos Dizdari… Kompozitori heshti, diçka mendonte… Dhe unë shihja se si vuante shpirti i tij, se ç’përpjekje bënte për ta mbajtur veten! Zëri dhe pamja e fytyrës së tij tregonin se ndodhej në një shqetësim të madh. Në tregimin e tij kishte më shumë heshtje se sa fjalë. Në përgjithësi frazat, sado të ndërtuara logjikisht dhe të thella që i kishte, ai më shumë të bindte me heshtjen e tij mes tyre. Ata që kanë përjetuar ngjarje të njëjta e kuptojnë njeri-tjetrin më mirë kur heshtin, ndërsa njerëzve të lumturuar e indiferentë u duket e ftohtë dhe nuk u bën asnjë përshtypje të tilla ngjarje.

Qëndrimi i heshtur i z.Limos Dizdari është një akuzë e madhe, pasi familja e tij pati tre vullnetarë në rreshtat partizane: nënën, babanë dhe vëllanë, ku dy prej tyre nuk u dihet varri, duke mos u kthyer kurrë më në familje! Pyetet e tij janë : “Ku janë? Ku i kanë varret? Ku është shteti?.. Janë dy jetë të munguara, ndërkohë që shoqëria dhe shteti nuk dinë të kërkojnë as ndjesë!”.

Këto dy tragjedi të familjes Dizdari më tronditën kur po i dëgjoja. Asnjë njeri nuk i do aq shumë pjesëtarët e familjes dhe të afërmit e tij se sa kur ata janë zhdukur në mënyrë enigmatike. Dhe enigma mbetet enigmë. Dhe ajo ç’ka më ka bërë më shumë përshtypje: z.Limos Dizdari është një nga kompozitorët më kryesorë që është marrë më gjerësisht me të rënët dhe Luftën Nacionalçlirimtare. Kjo më ka bërë shumë kureshtar për këtë angazhim social e të ndërgjegjshëm të këtij krijuesi të madh. Kjo duhet të jetë një tipar që buron nga një përgjegjësi e lartë ndërgjegjeje. Me sa duket z.Limoz ndjek shembullin e traditës sonë popullore, që i përkujton në këngë të rënët për Atdhe, që të marrin aromën e trupit të këngëtarit e të këngëtarëve.

A janë adaptë e të gatshëm ata që drejtojnë sot prefekturat dhe qarqet përkatëse t’i sqarojnë këto dy tragjedi të lindura nga paraardhësit e tyre shtetarë, kur edhe organizmat e veteranëve janë interesuar për një gjë të tillë? Pyetja është e prerë, përgjigjja e qartë…Vetëm cinikët nuk dinë as ligjet e luftës dhe as ligjet e ndërtimit të shoqërisë njerëzore; vetëm cinikët shkaktojnë të tilla tragjedi enigmatike e i lënë pa përgjigje. Të gjithë ata që kanë vepruar kështu, si në korrikun e vitit 1944 ashtu edhe në janarin e vitit 1970, e deri më sot, jo vetëm që nuk po ua njohin atyre dy çlirimtarëve vlerat atdhetare e njerëzore, por as që denjojnë të japin edhe shpjegimet minimale të zhdukjes së tyre. Nuk kuptohet se ku e gjejnë edhe sot këtë guxim këta nëpunës të shtetit, të cilët sjellin njëmijë e një “argumente”, ndoshta ngaqë nuk gjejnë dot forcë të kërkojnë ndjesë. Sa armiq paska kjo rruga e ndershmërisë dhe e së vërtetës!

Duke kërkuar të mësoja diçka më shumë, e pyeta z.Limos se pse me kaq vonesë, dhe ja si m’u përgjigj: “Kjo jo për neglizhencën tonë si familje, as për neglizhencën time të munguar, pasi kam qenë më i vogli në familje, por ka ardhur kryesisht nga besimi i tepruar tek komisionet përkatëse dhe strukturat shtetërore të të dy periudhave, si rrjedhojë e respektit të treguar prej tyre dhe përkrahjes që kemi pasur si familje pas asaj lufte çlirimtare si dhe më pas, duke u zgjedhur edhe unë disa kohë në instancat më të larta të shtetit shqiptar… Të gjitha këto trajtesa e përkujdesje i kemi marrë si një lloj autokritike e bërë prej vetë shtetit… Por për më shumë, mund të flas herë tjetër”.
Për ata drejtues që kanë krijuar këto dy enigma, thonë se ishin trima. Po trimëria nuk është mençuri, ndryshe të dy këto tragjedi do ta kishin një shpjegim. Pse e kanë fshehur dhe e fshehin të vërtetën?! Ato janë dy vrasje të mpleksura me dinakëri e prepotencë dhe jo me mençuri, si nga komanda e Br7S ashtu edhe nga ata të Korpusit e të Ministrinë e Mbrojtjes, duke i lidhur me nyje të tilla që nuk mund të priten kollaj. Kush mbyt të vërtetën, ka bërë të keqen më të madhe.

Sikundër më shpjegon z.Limos, ata të institucionit të veteranëve i kanë thënë, se “babain tuaj e kemi shpallur dëshmor”. Dhe ai u ka kthyer këtë përgjigje: “Për çfarë mund të dëshmoi Hulusi Dizdari, për luftën heroike çlirimtare, apo si pjesëtar i luftës civile sikundër duan ta quajnë kolaboracionistët? Për veten time e di mirë ku jam inkuadruar, po babanë ku ta klasifikoj?!”

Ata që pushkatuan Hulusiun pa gjyq, e mbyll bisedën kompozitori ynë, ata duhet të kenë qenë me pushtet të lartë, ndryshe nuk do të kishin mundur të organizonin edhe zhdukjen e dëshmitarit partizan të interesuar, Baftjar Dizdarin; ai ka qenë një plan i hartuar nga njerëz dinakë e me shpatulla të mbrojtura. Jo më kotë në jurisprudencë thuhet se krimi lind krimin. /Dita/

* Ish zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

(BalkanWeb)


Komente ( 5 )

  • ” Partia Ime me denon ” – keshtu thoshin shqiptaret kur i pushkatonte partia e sh.Enver. Sa mire ua ka bere kesaj race te poshter qe perpara nenes qe u ka bere koken ata vinin partine e sh. Enver.

  • Ti qe e quan vehten drejtesia je nje nje idjot i lindur dhe nuk mund te behesh tjetdr.

  • “Enver Hoxha tungjatjeta”…
    E ka qare kete kenge !

  • Keshtu eahte zhdukur dhe familja qe dinte per tentativen e Enverit per t’u fejuar me njeren nga motrat e Zogut pse i kishin patur mysafire ne shtepi gjate udhetimit te familjes mbreterore me gjithe eskorte per Greqi… Dikush aksident me makine, dikush vrare mga pakujdesia ne ushtri etj etj.
    Ndoshta babai dinte dicka qe me vone eshte zbuliar se e ka ditur dhe i biri ndersa Limozit i paskan bere nder qe s’i lane treguar gje.
    Por ndoshta babi ka patur kusuret e veta ndersa vellai eshte nisur me sherbim jashte shtetit – ka plot pleq ne amerike edhe sot qe jane nisur si gjoja te arratisur ose me identitet te ri pasi kane “vdekur” andej. Sot mblidhen bashke me komunistet e tjere neper parqet e Bostonit e bejne mbledhje partie…
    Gjithsesi Limozi si i majte qe ka mbetur pas kesaj historie ndoshta e meriton te mos dije gje

  • Po ky qe e beni ju hero ka qen thjesht nje kelysh komunist i vogel qe dilte me mbrapa deshmitar per tu pushkatuar poet e shkrimtar. Nje spiun sigurimi per te ber karrier e shpetuar lekuren etj tema

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.