NGA FATMIRA NIKOLLI
“KROM” rrëfen për një copëz jetë, diku mes maleve, aty ku ka vetëm 6 orë dritë në dimër dhe bën shumë ftohtë, zbulon fasheta ngjyrash mes grisë, sjell pyetje ekzistenciale qëkurse ka lindur njeriu – të cilat nuk përpiqen as personazhet t’i zgjidhin, e për pasojë as unë. Ata enden me to, rriten mes tyre, piqen, bëhen burra mes mungesës së babait dhe dashurisë së re të nënës.

“KROM” është një film rreth pushteteve, dashurisë dhe nevojës së dijes”. Në një rrëfim për “GSH”, regjisori e skenaristi Bujar Alimani zbulon këtë këndvështrim për filmin e tij “KROM”, i cili tanimë përfaqëson Shqipërinë në OSCAR.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka njoftuar dje se Shqipëria nis “KROM” në garën për OSCAR. “Filmi me regji të Bujar Alimanit do të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë ‘Filmi më i mirë në gjuhë të huaj’. ‘KROM’ është bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë-Gjermani-Greqi dhe pati premierën ndërkombëtare në Festivalin Karlovy Vary, në korrik 2015”. Me regji e skenar të Alimanit, fotografi të Ilias Adamis, muzikë të Pjetër Gacit, në film interpretojnë Fredjon Ruci, Klodjana Keco, Mirela Naska dhe Kasem Hoxha.

“KROM” i xhiruar në Bulqizë tregon se si një nënë memece, pas dy humbjeve të bashkëshortëve rrit e vetme fëmijët, duke u përplasur me botë(kuptimin) e tyre, jep mbijetesën mes kromit dhe si fëmijët përballen me mashkullin në jetën e nënës. Provinca shpërfaqet afër dhe larg asaj që njohim, ndërsa rebelimi si edhe bindja alternohen.

ZGJEDHJA
Ndërsa njoftimi mbyllet me kaq, Alimani na tregon se në kohën që “KROM” zgjidhet për të përfaqësuar Shqipërinë në kategorinë “FILMI MË I MIRË I HUAJ” në Akademinë OSCAR, filmi përmbyll festivalin e 15-të të radhës në Aleksandri Egjipt (22-27 shtator). Ai thotë se nuk e di nëse ka pasur kandidatura të tjera, por gjithsesi po të kemi parasysh se para dy vjetësh edhe pse kishte dy filma nuk u zgjodh asnjë prej tyre për çështje kualiteti artistiko-teknik, kjo e bën të ndihet mirë.

“Është hera e dytë që përzgjidhem, dhe më tepër se ëndrrat shpesh nuk bëhen realitet sepse konkurrenca është e jashtëzakonshme. CV-ja ime ‘betonohet’ akoma më fort ngaqë nuk është e paktë të jesh kandidatura zyrtare e përfaqësimit të vendit tënd në OSCAR”.

Prej realizmit të tij, “KROM” kishte një rrugë të gjatë, duke nisur me premierën në 8 korrik të 2015-ës në Karlovy Vary e duke vazhduar në Hamburg, Montpellier, Segovia, Munih, Leçe, Otranto, Aleksandri etj. Dy net më parë, me të u hap java shqiptare e filmit, që bëhet çdo vit në New York.

AUTORI PËRBALLË FILMIT
Mund të ngjajë e pabesueshme, por Alimani tregon një ‘marrëdhënie’ të ftohtë mes tij dhe filmave që bën, ose mbase një distancë reflektimi? “Kisha pa e parë filmin që vjet në Karlovy Vary. Unë nuk i shoh filmat e mi. Është diçka që e bëj tepër rrallë”.

Megjithatë, teksa po e shihte “KROM” për herë të parë në ekran të madh, e pëlqeu. Dhe përtej kësaj, ai pëlqeu edhe një ‘kritikë’ të vëmendshme të një emri të njohur të kinemasë së vjetër shqiptare, ose elitës së kinemasë. “Po kaloja një test sepse në krah kisha regjisorin e vjetër shqiptar me shumë eksperiencë, Kristaq Dhamo. Diskutuam në fund dhe i pëlqeu filmi për vijimin e mënyrës së të shprehurit në kinematografi, ndërtimin e stilit, dhe diçka që më pëlqeu që s’e kam dëgjuar më parë ishte ‘uniteti i interpretimit të aktorëve”. Dhamo, është regjisor i “Fortunës”, “Tanës”, “Brazdave”, “Mëngjeseve të luftës” etj.

Duke sqaruar vërejtjen e Dhamos, Alimani thotë se uniteti i interpretimit të aktorëve, është një metodë e veçantë e të shprehurit të tyre mes fjalës së kursyer dhe veprimit dominues dhe njehsimi i metodës; është thithje prej tyre e një mënyre që është brenda natyrës së gjithë filmit, përfshi komponentët- fotografia, skenografia, muzika etj.

LUFTA PËR TË QENË VETJA
Para se në ekranin e madh të shohim skena, të dëgjojmë zëra, të interpretojmë çka kemi përballë, të kapim nëntekstet dhe linjat, qoftë edhe mesazhet e realitet larg a afër nesh, ka një proces të gjatë që i paraprin dhe që e përbën produktin final, ka një proces që e krijon dhe e shënjon atë.

Alimani ndalet edhe te ky proces siç edhe te vendosmëria për ta ruajtur idenë e zanafillës- prej së cilës lindi mandej vepra. Shpesh, për ta arritur këtë, duhet një luftë e brendshme dhe e jashtme. Regjisori i “KROM” thotë se natyrisht, përpos “pro”-ve dhe “kundra”-ve që ka pasur shumë rreth filmit të tij, sidomos në Shqipëri (për të- këtu bëhet zhurma – më tepër sesa punohet realisht ose analizohet realisht një film), fakti pra që Shqipëria është në garë, që kinematografia jonë nuk tërhiqet, që jemi pjesë e lojës dhe aktivë, është fakti më lumturues për të.

Ai sheh te “KROM” pa dyshim një film thellësisht autor. “Këtë e konstatova edhe një herë dje kur e pashë. Distancohesha dhe përpiqesha të kuptoja çfarë influencash ka pasur mbi mua kinemaja e autorëve të mëdhenj dhe makthi për të qenë vetvetja mes gjithë këtij informacioni që na merr shpesh me vete dhe na bën të mos jemi ata që jemi”. Alimani ndalon për pak dhe mandej, ‘rikthehet’ për të thënë se duhet “të qëndrosh fort me këmbët e tua edhe kur të tjerët, ashtu si thotë poeti nga Kosova Eqrem Basha ‘më kthejnë e më drejtojnë rrugën/e unë e kam rrugën time'”.

Në këtë luftë për të qenë vetvetja, Alimani vë në dukje se duhet “pra të jesh vetvetja, të jesh autor, të mos dëgjosh ‘sirenat’ e modës, sepse edhe në kinematografi ka ‘modë’, duhet të jesh kundër rrymës, jo detyrimisht për snobizëm por me punën tënde, – kjo është devizë, ky është qëndrim. Tekefundit kjo është rezistencë”.

LUFTA MBAROI, RRËFIMI I NJË KRITIKE
Përtej Shqipërisë, mendimin ndryshe për “KROM”, Alimani e ka hasur edhe jashtë, por pa u tunduar. Këtu ai tregon një rrëfenjë në Kanë ku rasti e solli që të takohej me një kritik. “Kur e sheh në kohën që mbaroi montazhi, një kritik me shumë influencë në festivalin e Kanës, i pëlqyen 20 minutat e para dhe nuk binte dakord me mua për shkollën. Aty kuptova se të huajt kanë komplekse me ne. Kanë një kuptim tjetër rreth Shqipërisë, dhe ai nuk mund ta imagjinonte se një mësuese diku mes honeve të Bulqizës të ishte kaq e bukur, kaq e re dhe kaq seksi”.

Porse Alimani, vijoi t’i qëndronte idesë së tij edhe pas kësaj. “Natyrisht nuk e çava kokën, as shkova të rixhiroj. Debatova duke i shpjeguar që shkollat shqiptare nuk janë të Luftës së Dytë Botërore dhe se fëmijët janë realë, të veshur ashtu, se në shkolla bëhet lënda sociale etj. etj.”.

Ai rrëfen se këto janë shpesh ‘tundimet’ në të cilat një autor duhet të jetë kokëfortë, porse përtej kësaj, për të duhet mbajtur një qëndrim i përhershëm. “Ky ishte besimi im i fortë kur shkrova skenarin – kur bëra filmin – dhe është edhe tani mendimi im. Hallakatja mes ‘doktorëve’ të skenarëve është më tepër biznes. Personalisht mendoj se një autor nuk ka nevojë për ‘doktorë'”.

ME FILMIN DHE PËR FILMIN
Alimani ngulmon se realisht ne shkojmë me idenë se jemi për klinikë e për të kjo është e tmerrshme. “Filmi është i regjisorit nga ideja deri te ofrimi në sallën e kinemasë, kjo është bota ime- e ndaj me ju”.

Ai e shpjegon ndryshe me këto fjalë: “Një producenti amerikan që kishte ardhur mbrëmë të shihte filmin i them se nuk pres gjatë, se zakonisht xhiroj shpejt, sepse filmi që qëndron gjatë në duart e një krijuesi ngjet me tavolinën tejet të mbushur me lloj-lloj gatimesh kur ti je i uritur dhe në kafshatën e parë të ka ikur oreksi. S’mund të hash më asgjë”.

“Jam shumë i qetë që vazhdoj të besoj te njeriu dhe vetëm te njeriu, pa askurrfarë zbukurimi, se kështu bëhem më i pëlqyeshëm, s’më intereson dizenjimi rreth figurës sime, as perfeksioni i imazhit. Jetoj thjesht, jam njeri tepër i zakonshëm dhe kaq”, e mbyll bisedën e tij për “GSH” regjisori Alimani.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb