Nga Enkel DEMI
Vetëm disa javë më parë në Foxhia të Italisë bandat rivale të mafias pulieze vranë dy vëllezër bujq, të cilët për fatin e tyre të keq, teksa punonin tokën qëlluan dëshmitarë të ekzekutimit të mafiozit Mario Luçiano Romito dhe kunatit të tij që bënte shoferin, Mateo De Palma. Bujqit që ishin vëllezër lanë në shtëpitë e tyre mos gaboj pesë fëmijë jetimë.

Të nesërmen në Foxhia zbriti ministri i Brendshëm i vendit fqinj, Marko Miniti, i cili urdhëroi 190 e ca forca speciale të instalohen në këtë lokalitet për të goditur përfundimisht mafian e zonës, e cila tashmë për nga rrezikshmëria renditet e katërta në vendin fqinj dhe mendohet se është zgjatim i kamorrës napoletane.

Mafia e Foxhias merret kryesisht me trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve nëpërmjet bregdetit të Adriatikut. Partnerët e tyre në sipërmarrjet kriminale janë shqiptarët. Pra, më shkoqur furnitorët, ortakët dhe burimi i konfliktit a i klaneve është në Shqipëri.

Anipse, ministri Miniti shkoi vetë atje dhe vendosi për çmontimin e mafias 192 oficerë, hetues, specialistë të nivelit superiorë, në Shqipëri nuk ka pipëtirë kush.

Përse e riktheva këtë histori të freskët kronike në këtë shkrim? Për faktin e thjeshtë se gazetat, portalet, mediat, por dhe ambjenti politik u përqendrua në një raport të shërbimit inteligjent amerikan, CIA, i cili ngjante ashtu si u shit si një rrufe e rënë në qiell të pastër. Fill pas kësaj ka ardhur një reagim i kreut të qeverisë i stilit populist “me shtypje koke” apo “sekuestrim pronash” për krimin e organizuar.

Në këto zhvillime të frikshme kryeministri ynë nuk ka luksin të sillet si me drejtorët e hipotekave, vetëm nëse kriminelët i ka vartës si drejtorët në fjalë. Shpërthimet e natyrës populiste nuk pinë ujë këtu, sepse qeveria nuk ka nevojë të presë zbardhjen e cunguar për shtypin të raporteve të CIA-s, pasi i ka ato përpara gjithë të tjerëve dhe në variantin e tyre të plotë. Ashtu si dhe përpara nesh mëson raportin e Departamentit të Shtetit, të cilin e publikuam dy muaj më parë, i cili thoshte akoma më shumë se raporti i CIA-s, por nuk shkaktoi kurrfarë reagimesh me “shtypje kokash”.

Historia e Foxhias që përmenda më lart është po aq italiane, sa dhe shqiptare. Deti nuk i ndan grupet mafioze, përkundrazi i bashkon, sepse është udha e tyre e komunikimit, por këtu tek ne nuk e vë kush ujin në zjarr, jo se nuk njihen banditët, por njihet shumë më mirë partneriteti i tyre me shtetin.

Metologjia e zgjedhur nga qeveria që edhe me partnerët e huaj të përdorë gjuhën kushtuar drejtorëve të hipotekave mund të çudisë ende ndonjë naiv që ia dha votën me dy duar tepsisë, por andej nga bota, ku zullumi është bërë sa një mal tingëllon cinike, më keq akoma si tallje trapi.

Ky është i vetmi sinjal që çojmë në luftën kundër krimit dhe trafikut në Uashington, në Romë, Berlin apo Amsterdam.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: