TIRANE– Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zhvilluar pas marrjes së çmimit në Barcelonë për sheshin ‘Skëndërbej’ kryeministri Rama tha se çmimi është një trofe me rëndësi për Tiranën dhe se sipas tij ky shesh ka qenë prej kohësh shesh betejash politike.

Kryeministri u shpreh se janë thënë shumë lajme të rreme për sheshin, ashtu sic po thuhen për kampin e refugjatëve në Shqiperi. Sipas kryeministrit nuk ka asgjë të vërtetë për pretendimet se në Shqipëri do ndërtohen kampe për 600 mijë refugjatë nga vendet e luftës.

“Ky shesh ka qenë një shesh betejash politike. Mbi këtë projekt për sheshin mund të bëhet një libër i tërë. Çmimi për sheshin është një trofe me rëndësi për Tiranën. Ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bënë Shqipërinë djep të fake-news. Ka qenë një lajm i rremë njësoj siç është sot lajmi për kampin e refugjatëve, që do mbledhë refugjatë nga e gjithë bota këtu në Shqipëri, apo të tjera lajme të rreme që përhapen dita ditës. Problemi i Shqipërisë nuk është buka dhe uria, por shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me fëmijët, me të moshuarit, me gjithë mundësinë për të pasur akses për zhvillimin individual dhe familjar”- tha Rama.

Rama deklaroi se godina e re e teatrit Kombëtar do të ketë të njëjtin sukses sikurse Sheshi Skënderbej apo stadiumi kombëtar që po bëhet gati me shpejtësi për të mikpritur ndeshjet e kombëtares sonë. I pranishëm në ceremoninë e falënderimit për të gjithë ata që ideuan dhe punuan për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, i cili u vlerësua në Barcelonë me çmimin evropian për hapësirën publike urbane 2018, Rama tha se një skuadër e ngjashme me ekspertët më të mirë danezë po punon për projektin e teatrit të ri. Ai e cilësoi projektin për teatrin si një nga projektet thellësisht transformues.

“Një skuadër të ngjashme, një skuadër kombëtare me emigrantë nga bashkimi Europian kemi ngritur edhe për teatrin e ri kombëtar. Por në rast të teatrit nuk janë belgë, janë danezë dhe jam i bindur që edhe projekti i teatrit siç i takon një projekti transformues që është me të vërtetë thellësisht transformues dhe që nuk mund të kalojë përmes kundërshtive, përmes reagimeve, përmes mallkimeve, përmes përbetimeve do të jetë në fund një sukses njësoj si ky i sheshit “Skënderbej”, njësoj si ai i stadiumit të ri kombëtar ku skuadrën e kemi me emigrantë italianë”, deklaroi Rama.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: