TIRANE- Kryebashkiaku i Durrësit është kthyer në retrospektive, duke zbardhur kështu një darkë, në të cilën u tentua përpjekja për pajtim mes kryeministrit Rama dhe deputetit Blushi. Për Dakon, beteja e Ben Blushit për ligjshmërinë e Ramës si kryetar partie nuk është parimore dhe as statutore, por në plan të parë janë interesat personale të tij.

Dako ka rrëfyer një histori që është pasqyruar më parë në media, ku gjatë një darke të shtruar me në Pezë gati 2 vite më parë, Blushi i kishte thënë Ramës se ‘do të shkatërroj’.

“Atje për televizione mund të thuash këto mendime ndryshe, por këtu ne nuk mund të na e thuash. Këto nuk shkojnë. Këto janë sebepe. Është thjesht një mllef. Kam qenë vet me Blushin dhe e tha atje në Pezë që do të shkatërrojë ty, 1 vit e gjysmë para, s’kishte punë atëherë me këtë, do të shkatërrojë. Këto janë ca mllefe personale që mund të ketë”, -kështu pohoi Dako gjatë fjalës së tij të mbajtur në Asamblenë e PS-së para dy ditëve.

Kryebashkiaku i Durrësit theksoi më tej ‘se me ato që Blushi i ka bërë partisë ai nuk ka më vend në të’. Madje ai thotë se ajo që i bënë Blushit në Elbasan ishte shumë pak. “Unë nuk e di si do ndihesha në rast se Blendi Klosi që kryeson listën atje në Durrës mos të vinte të më mbështeste mua në kandidimin tim, por të vinte dhe të thoshte që rilindja falimentoj, të vinte të thoshte ju blini mish nuk blini sapun, të vinte e të më thoshte mua që ti e ke atë kështu e atë ashtu, e unë nuk e di, por ajo që është bërë atje në Elbasan është pak, është shumë pak. Të vijmë tani këtu e të themi statuti e muhabete kot. Pash sot këtu një tërheqje prej tij dhe unë erdha sot këtu shumë i acaruar nga ajo që pash në Elbasan, mendova që Blushi të iki, të mos jetë më anëtar i PS-së, për çfarë duhet të jetë më anëtar. Ne themi këtu Saliu, Saliu por Saliu është personalitet në llojin e vet. Është si Grida, e njëjta histori që kisha unë atje”, -deklaroi Dako.

Nga ana tjetër ai ishte kritik edhe me grupin e punës që hartoi ndryshimet statutore, duke e akuzuar atë për dashakeqësi ndaj kryetarëve të bashkive, të cilët tashmë propozohen që në asamble të mos futen më direkt për shkak të pozicionit. “Ka një problem sepse unë këtu shikoj një dashakeqësi. Kur jemi në opozitë t’i zgjedhim kryetarët e bashkive, t’i japim sa më shumë pushtet se duhet të punojnë këta që të vijmë ne në pushtet. Tani që marrim pushtetin, jo të mbajmë ministrat dhe deputetët, ndërsa kryetarët e bashkive të rrinë atje të pastrojnë kanalet”, përfundoi Dako.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: