Nga XHELAL GJEÇOVI*

Edhe në debatet në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit, çështja e luftës civile zu një vend të konsiderueshëm. Lufta ishte një ndërmarrje e vështirë, një luftë për jetë a vdekje, me dy Fuqitë më të mëdha e më të fuqishme agresore të kohës, me Italinë fashiste e me Gjermaninë naziste. Lufta pati sigurisht koston e vet, humbjet e rënda në njerëz, në radhë të parë por jo vetëm. Njëzet e tetë mijë dëshmorë nuk janë pak për një vend që s’i arrinte as një milion banorë. Një shifër që flet vetë, që flet shumë për angazhimin e për sakrificat. Në një luftë të përmasave të tilla ka pasur sigurisht edhe veprime të nxitura, edhe goditje të pavend, të padrejta e të padëshiruara nga të dyja palët. Në luftë, ato deri në një farë shkalle janë të paevitueshme. Lufta është luftë, është dhunë, por sidoqoftë teprimet në përdorimin e saj ishin të dëmshme, të dënueshme, të papajtueshme me qëllimet e luftës. Prandaj ato duhen evidentuar e analizuar, për të parë shkallën dhe ndikimin e tyre në teatrin e luftimeve, përgjithësisht në ecurinë e luftës, nëse ato kanë sjellë ndryshim e deformim të qëllimeve të luftës, në raportet në mes forcave, e pse jo, dhe në vete rezultatet e luftës. Sqarimi i kësaj çështjeje të ndërlikuar kërkon njohje të mirë të periudhës përkatëse, të problematikave që ajo trajtoi e zgjidhi e, mbi të gjitha, shmangie të politizimit. Nëse respektohen këto, atëherë bëhet e mundur që të sqarohet e të kuptohet nëse lufta ishte apo jo nacionalçlirimtare, apo ajo devijoi e degjeneroi ne Luftë Civile, në luftë vëllavrasëse; shqiptarët u ngritën në luftë për të çliruar atdheun, apo për të luftuar njëri-tjetrin? Lufta çoi në rivendosjen e Pavarësisë apo u shfrytëzua nga PK për të marrë pushtetin e për të vendosur diktaturën? Në ç’raport janë lufta me sistemin që u vendos pas saj? Ky është thelbi i debatit të sotëm mbi luftën. Në sqarimin e kësaj çështjeje të ndërlikuar, duhet mbajtur parasysh se problemet që duhet të zgjidhë një Lëvizje kombëtare apo shoqërore, në çdo kohë e në çdo vend, ia jep situata në të cilën ndodhet vendi. Nga ky rregull i përgjithshëm nuk bën dhe nuk mund të bënte përjashtim as Lufta Nacionalçlirimtare. Nga kjo pikënisje mund të gjykohet, mund të arrihet në përfundimin nëse ajo ishte luftë nacionale e çlirimtare apo luftë civile. Po cila ishte situata? Vendi ishte i pushtuar. Në një vend të pushtuar, nuk bëhet fjalë për luftë civile, luftë për pushtet; nuk mund të dalë kjo çështje, pra lufta për pushtet në plan të parë, pasi pushtetin e kishte, e kontrollonte pushtuesi e jo ndonjëra nga forcat politike shqiptare. Në këto rrethana, nuk ekzistonin kushtet, nuk ekzistonte objekti, baza objektive për luftë civile. Kontradikta themelore ishte kontradikta midis popullit nga njëra anë, që nuk pajtohej me zgjedhën e huaj, që kërkonte ta hiqte qafe atë, që të jetonte i lirë e sovran në vendin e vet, dhe okupatorit nga ana tjetër, që kërkonte ta mbante vendin me zor, me dhunë, nën sundim e nën pushtim. Pa zgjidhur këtë nyjë, këtë kontradiktë, nuk mund të zhbllokohej situata dhe vendi të futej në rrugën e normalitetit. Pikërisht kjo i jepte luftës tiparet e një revolucioni nacional, pasi në themel ishte zgjidhja e çështjes nacionale, rivendosja e Pavarësisë së shkelur nga nazifashistet. Partitë politike kanë sigurisht dhe interesa e synime të tjera, ndër to dhe marrjen e pushtetit, një aspiratë gjithashtu e ligjshme e tyre, pasi pushteti është arma me të cilën ata realizojnë programet, idetë dhe premtimet. Në vitet e luftës këtë objektiv e dëshironin dhe e synonin të gjitha forcat politike që kishin dalë në arenën e historisë shqiptare. Por, arritja e objektivave që dëshiroheshin kishte radhën e vet. Në kushtet e pushtimit, në kuadrin e rendit pushtues, çështja e pushtetit kurrsesi nuk mund të arrihej e nuk mund të zgjidhej, pasi pushtuesi e mban dhe e mbron me çdo kusht e me çdo mjet atë; s’të lë ta prekësh. Prandaj, më së pari duhet shkatërruar ky kuadër, ky rend, duke dëbuar pushtuesit, që vendi të futej në normalitet e në këtë mënyrë t’i hapej rruga dhe luftës për pushtet, e cila, nëse vendoset një rend demokratik, atëherë edhe ajo zgjidhet në rrugë demokratike, me zgjedhje të lira. Në të kundërt, nëse rendi i vendosur pas lufte degjeneron në diktaturë, atëherë forcave kundërshtare u lind e drejta që të organizohen, të armatosen e të hidhen në veprim, duke përdorur dhe armët, për të rivendosur ligjshmërinë e për të zgjidhur në këtë kuadër dhe çështjen e pushtetit. Për sa kohë vendi ishte i pushtuar, në rendin e ditës, si çështje prioritare dhe imediate ishte çështja e Pavarësisë, për të cilën ishin të interesuar shqiptarët pa dallim. Kushdo që tentonte të ndryshonte këtë rend të gjërave, të vinte luftën për pushtet para Pavarësisë, me ose pa dashje, bënte lojën e okupatorit. Çlirimi dhe Pavarësia ishin një aspiratë, jo e një pjese, por e gjithë popullit. Edhe lufta për arritjen e tyre nuk ishte dhe nuk mund të ishte luftë klase, luftë e një pjese kundër tjetrës, e një klase kundër tjetrës, pasi luftohej për Pavarësinë: një çështje e përbashkët, e të gjitha klasave, e të gjithë popullit. Në programin e Frontit Nacionalçlirimtar parashikohej që të luftohej për pavarësinë kombëtare dhe për një rend, për një qeverisje demokratike, formën e së cilës do ta vendoste vetë populli, me vullnetin e tij, pas mbarimit të luftës. Këtij orientimi do t’i përmbaheshin deri në fundin e luftës, Fronti dhe Ushtria Nacionalçlirimtare, krahu i tij i armatosur. Në dokumentacionin që pasqyron veprimtaritë e tyre nuk gjen në asnjë rast, thirrje që të luftohej për komunizëm apo që të goditeshin klasat kundërshtare. Strategjia e kësaj organizate e përpunuar që në Pezë, ishte lufta kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kjo strategji nuk ndryshoi deri në fundin e luftës. Me këtë strategji e me këtë orientim shmangej çdo mundësi për luftë civile, nëse edhe pala tjetër do të bënte, do të tregonte të njëjtin kujdes, të njëjtin vullnet. Shqipëria kishte vetëm një armik dhe ai ishte pushtuesi. Lufta kundër tij duhej t’i bashkonte e jo t’i ndante e përçante forcat politike. Në këtë rrafsh shmangej çdo orvatje për lufte civile. Por nuk duhet harruar se luftë të pastër çlirimtare nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë, në asnjë vend dhe në asnjë kohë. Gjithnjë, në çdo kohë e në çdo vend të pushtuar, okupatorët gjejnë forca e figura që i mbështesin dhe të tjerë që lëkunden, që zënë një pozitë të mesme, brenda apo jashtë radhëve të forcave të organizuara politike. Pikërisht këta përbëjnë bazën objektive, një forcë të prirur për kompromis e për bashkëpunim me armikun. Qëndrimi dhe presioni i tyre bart gjithnjë rrezikun e devijimit të luftës nga qëllimet e nga programi i saj. Te ne kjo nuk ndodhi, pasi Fronti Nacionalçlirimtar, forca kryesore që i jepte tonin luftës që përcaktonte fatin e saj, nuk lejoi hapësira për penetrimin, e aq më pak për organizimin dhe veprimin e elementëve të tillë, duke shmangur kështu çdo mundësi për të ndikuar e devijuar vendimmarrjet e forumeve të tij. Në këtë mënyrë, Fronti ruajti të paprekur vijën, orientimin bazë të luftës, objektivi themelor strategjik i së cilës mbeti deri në fund lufta kundër okupatorit; pra ai nuk ra në grackën që dëshironin ta fusnin okupatori dhe bashkëpunëtorët e tij. Edhe BK fillimisht doli si një forcë antifashiste që premtonte se do të luftonte kundër okupatorit dhe në fazën fillestare pati dhe disa veprime të çetave të para të armatosura kundër okupatorit. Por, në proces, gradualisht ajo u largua nga programi dhe qëllimet e shpallura dhe hyri në rrugën e kompromiseve e të bashkëpunimit me okupatorët, duke shpresuar se në këtë rrugë, me ndihmën e okupatorit do të arrinte të likuidonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare, rivalen e vjetër për pushtet, dhe të merrte vetë pushtetin pas largimit të forcave okupatore. Mirëpo kjo strategji doli e gabuar. Sigurisht, në këtë kuadër, ka pasur dhe ballafaqime me armë në mes forcave partizane dhe nacionaliste. Strategjia e LANÇ-it parashikonte dëbimin e pushtuesit, por dhe vendosjen e kontrollit të Frontit Nacionalçlirimtar në të gjithë territorin e vendit. Forcat që i kundërviheshin kësaj strategjie u goditën, pasi me ose pa dashje bënin lojën e okupatorit, i jepnin kohë e mundësi atij që të kundërvepronte, e pse jo, dhe ta rivendosur situatën në favor te tij. Prandaj ato u goditën, jo për shkak të prejardhjes klasore apo përkatësisë partiake, por si bashkëpunëtore të okupatorit. Xhulian Emeri, ka shkruar se të njëjtën gjë do të bënte edhe Kupi, nëse do të ndërroheshin rolet, nëse do të kishte forcën e Hoxhës. Por gjithsesi, situata e ballafaqime të tilla, për fatin e mirë, kanë qenë të pjesshme, në momente e në zona të caktuara, pa arritur të shtrihen në të gjithë vendin, përndryshe do të kishim pasur zhvillime të tjera, të shoqëruara dhe me rrezikun e shndërrimit të luftës në luftë civile. Ballafaqimet e shfaqura në këtë rrafsh, në zona të caktuara të veriut, janë konsideruar me të drejtë si elementë të luftës civile, pasi ato mbetën të izoluara, pa mbështetjen dhe forcën e duhur për t’u shndërruar në luftë civile, në të gjithë pamjen dhe pasojat e saj. Në rrethana të tilla lufta mbeti deri në fund një luftë nacionale e çlirimtare. Ajo ishte e tillë më së pari, nga shkaqet që provokuan konfliktin në vend, që ndezën shkëndijat e rezistencës antifashiste, e cila u shndërrua gradualisht në një luftë mbarëpopullore. Dhe shkaku ishte agresioni dhe pushtimi fashist që çuan në likuidimin e pavarësisë së atdheut. Së dyti, nga objektivat që synohej të arriheshin. Objektivi themelor strategjik i luftës, detyra parësore imediate e saj ishte dëbimi i pushtuesit dhe rivendosja e pavarësisë. Dhe së fundi, lufta ishte nacionale e çlirimtare edhe nga forcat pjesëmarrëse, shumica e të cilëve ishin patriotë pa parti. Në fundin e luftës, PK kishte afërsisht 2.500 anëtarë, ndërkohë që në rreshtat partizane numëroheshin rreth 70 mijë luftëtare. Po të analizohen me qetësi të gjithë këta elementë, shihet qartë se shqiptaret nuk u ngritën në luftë as për ideologji, e aq më pak për të luftuar e për të asgjësuar njëri-tjetrin, por për të rivendosur pavarësinë. Dhe lufta e arriti këtë objektiv. Kësisoj ajo e kreu misionin dhe detyrën e vet, për rrjedhojë e mbylli dhe kohën e vet. Në këtë vështrim, ajo nuk ka lidhje me ato që vijnë pas, me ato që ndodhin pas saj. Përpjekjet për ta lidhur dhe identifikuar luftën me zhvillimet pas saj, për ta bërë luftën përgjegjëse për to, shkrimtari Ismail Kadare i quan kundërhistori.

***

Lufta, siç u tha, u bë në radhë të parë për të çliruar atdheun, që lëngonte nën pushtimin fashist, por dhe për të ndërtuar një rend demokratik e një Shqipëri demokratike. Detyrën e parë, çlirimin e vendit dhe rivendosjen e Pavarësisë, që kishte sigurisht përparësi, pasi lidhej me ekzistencën dhe me të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve, si vend e si komb, lufta e kreu me sukses. Edhe vendosja pas lufte e sistemit njëpartiak ka pasur shkaqet dhe arsyet e veta. Por, ajo që ka rëndësi të theksohet në këtë rast është fakti që, një zhvillim e një përfundim i tillë i luftës, me sa duket nuk krijonte ndonjë shqetësim, nuk përbënte ndonjë problem për aleatët, pasi nuk binte ndesh me interesat e tyre, me ndarjen e zonave të influencës që do të bënin më pas në Jaltë. Që në shtator 1944, Anthony Eden, ministër i Jashtëm britanik, i shpjegonte kryeministrit Çërçill se: “Ndoshta do të na duhet të pranojmë mundësinë e një qeverie të Frontit Nacionalçlirimtar dhe të përpiqemi që të forcojmë lidhjet me të”. Në Jaltë nuk u bë e ditur se çfarë u tha e çfarë u vendos konkretisht për Shqipërinë. Por një gjë dihet: e ardhmja e saj nuk u përcaktua me përqindje, siç u veprua me disa vende të tjera të rajonit. Me sa duket, Shqipëria, një vend i vogël, jo shumë i njohur, nuk tërhoqi sa duhet vëmendjen e të mëdhenjve. Për rrjedhojë fati dhe e ardhmja e saj u la disi evazive. Një qëndrim i tillë ka lënë shteg për interpretime të ndryshme. Gjykuar nga një shënim i Çërçillit për ministrin e Jashtëm britanik A.Eden, pas Konferencës, krijohet përshtypja se Shqipëria u harrua, pa u diskutuar për të ardhmen e saj. Vështirë të mendohet se gjatë qëndrimit disaditor, të rrethuar nga këshilltarë të vëmendshëm, tre të mëdhenjtë e harruan Shqipërinë. Një numër autorësh janë shprehur se, në këtë rast aleatët e shihnin Shqipërinë si pjesë të Jugosllavisë dhe të ardhmen e saj të lidhur me të, në formën e Federatës apo Konfederatës, që mendohej të krijohej pas lufte. Të tjerë kanë shfaqur mendimin – për mua të bazuar – se qëndrimi i marrë në këtë rast donte të thoshte që e ardhmja e Shqipërisë të përcaktohej nga zhvillimet e brendshme. Kështu anashkaloheshin lakmitë dhe evitoheshin përplasjet e mundshme në mes vendeve pjesëmarrëse në konferencë, të interesuara për pozicionin strategjik të Shqipërisë. Mirëpo zhvillimet e brendshme, të cilat mendoj se u ra dakord që të përcaktonin të ardhmen e Shqipërisë, me kohë kishin marrë rrugën e tyre të pakthyeshme, pasi Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar ishte e vetmja forcë e angazhuar deri në fund në luftë kundër okupatorit, përkrah aleatëve. Ndërkohë që forcat kryesore nacionaliste qenë rreshtuar tashmë përfundimisht në kampin tjetër, përkrah boshtit, si aleatë të Gjermanisë hitleriane. Në rrethana të tilla, përballë këtyre zhvillimeve, aleatët e patën të pamundur të ndryshonin diçka në rrjedhën e ngjarjeve. Ndërhyrja nuk mund të ishte kurrsesi në rendin e ditës, pasi do të krijonte ndërlikime, brenda e jashtë vendit. Udhëheqja e Frontit Nacionalçlirimtar qe deklaruar prerazi se ishte e vendosur që të mos lejonte e të mos pranonte asnjë ndërhyrje, asnjë diktat, që do të synonte të deformonte e të ndryshonte rezultatin e luftës. Në rrethana të tilla, aleatët me sa duket u pajtuan me realitetin, me përfundimet që solli lufta, të cilat mund të mos i dëshironin, por nuk mund t’i ndryshonin. Madje, ata do të përgatiteshin që të njihnin realitetin e ri politik, si një fakt tashmë të kryer, dhe gradualisht të shkonin dhe drejt njohjes së regjimit që po vendosej në Shqipëri, nëse ai do të respektonte principet bazë të demokracisë.

***

Paslufta është një periudhë tjetër, me probleme e me zhvillime të tjera që nuk lidhen me luftën, për rrjedhojë dhe jashtë objektit të këtij shkrimi. Por, edhe në dritën e tyre do të shiheshin vlerat e luftës. Kapitali që u fitua në luftë do të shërbente për të përballuar problemet me të cilat do të ndeshej vendi menjëherë pas çlirimit. Kështu, sapo përfundoi lufta, Greqia fqinje nisi të shfaqë hapur pretendimet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Për arritjen e këtij synimi, ajo ndërmori një fushatë të tërë sulmesh ndaj Shqipërisë, duke e akuzuar se kishte mbështetur, madje i qe bashkuar agresionit të fashistëve italianë kundër Greqisë, duke spekuluar kështu me vendimin e qeverisë Verlaci, vegël e okupatorit, për t’iu bashkuar agresionit. Për rrjedhojë, ajo duhej dënuar siç po dënoheshin dhe vendet e tjera satelite të Boshtit, jo vetëm me dëmshpërblime financiare, por edhe me gjymtime territoriale. Një akuzë e tillë false bëhej kur dihej fare mirë qëndrimi i popullit shqiptar në mbështetje të rezistencës greke dhe të luftës së popullit grek. Por qarqet vorio-epirote, të verbuara nga ambiciet e vjetra, mendonin se kishte ardhur momenti i duhur që të realizonin ëndrrat për aneksimin e territoreve të tjera shqiptare. Pretendimet greke u paraqitën nga krye ministri i atëhershëm grek, Caldaris dhe në Konferencën e Paqes në Paris, më 1946. Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Konferencës, më 21 gusht 1946, Enver Hoxha, me cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të delegacionit të Shqipërisë, deklaroi ndër të tjera se: “Populli shqiptar nuk ka ardhur këtu për të diskutuar kufijtë e Shqipërisë, por për të shprehur e për të kërkuar të drejtat e veta. Deklaroj solemnisht se brenda kufijve tanë nuk ka asnjë pëllëmbë toke të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse për ne janë të shenjtë”. (“Dy popuj miq”, Tiranë 1985, f.40). Kurse në deklaratën e shpërndarë për shtyp para largimit nga Parisi, më 16 shtator 1946, ai theksonte se: “As Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë. Kufijtë tanë janë të paatakueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë” (po aty, f.41). Në përfundim të debatit, Konferenca arriti në përfundimet e duhura. Ajo konfirmoi pozitën e Shqipërisë si pjesëmarrëse në luftë, përkrah aleatëve. Mbi këtë bazë, ajo rrëzoi pretendimet greke dhe mbylli përfundimisht të ashtuquajturën çështje Vorio-Epirote, e sajuar nga qarqet ekstremiste greke, me qëllim që të aneksonin Shqipërinë e Jugut. Mbështetja që aleatët i dhanë në këtë rast, në këtë çështje Shqipërisë, nuk ishte çështje simpatish. Simpatitë në atë kohë ishin për Greqinë, për shkak të lidhjeve të vjetra, por edhe të peshës në luftë. Por, aleatët u bindën se në këtë rast po kërkohej të penalizohej pa të drejtë, me akuza të pathemelta, një tjetër vend aleat i tyre që gjithashtu kishte kontribuar me të gjitha mundësitë e fuqitë, në shkatërrimin e nazifashizmit. Pa këtë kapital, pa angazhimin në luftë, përkrah aleatëve, çka siguroi dhe mbështetjen e tyre, do të kishte qenë e vështirë, madje e pamundur të përballohej kjo situatë dhe në rrethanat e krijuara, ajo mund të rezultonte fatale për vendin, pasi mund të çonte deri në një copëtim të ri, edhe më të rëndë të Shqipërisë. Zoti Sabri Godo, një figurë e respektuar ka shkruar: “Nëse nuk do të ishim rreshtuar në aleancën e madhe antifashiste dhe të kishim qëndruar neutrale, Shqipëria do të konsiderohej një vend kolaboracionist. Ne ishim shpallur pjesë e Perandorisë italiane dhe ishim akuzuar për bashkëpunim në luftën italo-greke. Të gjitha këto do të kishin çuar me siguri në copëtimin e vendit nga fqinjët” (“Panorama”, 14 korrik 2009). Vetëm kundërshtarët e luftës, ballistët, legalistët dhe kolaboracionistët tjerë nuk duan të pranojnë këtë realitet, nuk duan të njohin shërbimet që lufta i bëri vendit, çka tregon se ata vazhdojnë të qëndrojnë me kokëfortësi në pozitat e mohimit të luftës, pa asnjë reflektim e ndryshim, madje duke rrahur dhe gjoksin. Po përse, për çfarë? Për rrugën e gabuar që ndoqën, e cila i solli dëme vendit, por dhe vetë atyre? Gjithë këto vite duhet të ishin vite reflektimi për të gjitha palët, por në radhë të parë, kjo kërkohej prej tyre. Mirëpo ka ndodhur e kundërta. I dëgjon shpesh thirrjet e tyre se komunistët duhet të kërkojnë falje. Po përse? Për vrasjet e kryera sipas tyre gjatë luftës, duke menduar se në këtë mënyrë dhe kaq lehtë mund të kalojnë lumin e të shlyejnë mëkatet që u rëndojnë mbi supe. Gjeneral Rrahman Parllaku, një figurë e njohur dhe e respektuar e luftës dhe periudhës pas saj, ka shkruar se gjatë luftës bëhej kujdes nga komandat partizane që asnjë të mos dënohej pa u vërtetuar e pa u bindur se ishte kundër luftës dhe në shërbim të okupatorit. Kurse De la Roka shkruan se “shqiptarët vuanin më shumë nga masakrat që kryenin bandat e Xhafer Devës dhe forcat nacionaliste sesa nga vetë gjermanët”. Por megjithatë, nuk është sot koha që t’u rikthehemi këtyre çështjeve që të bëjmë këto hesape. Ato janë bërë në kohën e duhur, në mbarim të luftës. Përfundimet e saj i dhanë secilës palë atë që meritonte. Sot pas shtatëdhjetë vjetëve, ato nuk mund të ndryshohen as me kërcënime apo manipulime, me dokumente dhe as duke bërë rolin e viktimës së gjoja luftës civile. Sot vendi ka nevojë për afrimin, pajtimin dhe bashkimin e njerëzve rreth vlerave të vërteta, vlerave të mëdha të historisë kombëtare, njëra prej të cilave është pa dyshim dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila siç u tha, i bën ndere edhe sot vendit.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: