DURRËS- Kryetarja e LSI-së ka komentuar nga Durrësi, në një takim me strukturat e partisë zëvendësministrat e rinj, emrat e të cilëve janë publikuar dje në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Sipas Kryemadhit 33 zv.ministra janë përfaqësues të oligarkëve.

“33 zv.ministra në qeveri? Rama vërtetoi shprehjen qeveri e vogël, korrupsion i madh. 33 zv.ministrat nuk janë socialistë, por përfaqësues të oligarkëve për të mbrojtur interesat e tyre”, tha kryetarja e LSI-së.

Më pas Kryemadhi tha se LSI do të sjellë risi në politikë, pasi ofron një opozitë të bazuar tek alternativat dhe nuk përfaqëson interesat e oligarkëve.

“Edukata politike në këto 27 vjet e bazuar te konflikti dhe mohimi dhe kundërshtimi i gjithçkaje. Ne duam të sjellim risi dhe t’i japim fund kësaj tradite. Opozita jonë e bazuar te alternativat. Ne nuk duam të përfaqësojmë grupe interesi të mafiozëve dhe oligarkëve, por grupe interesi që lidhen vetëm me interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Edi Rama sulmon njerëzit e thjeshte, sepse i urren dhe ka neveri për ta”, deklaroi Kryemadhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb