* Berisha-Ramës: Çohu e fol këtu, mos sill çakejtë. Balla është i dënuar për përdhunim

* Meta: PD, iniciativa të njëanshme
TIRANË- Seanca e sotme e Kuvendit është shoqëruar nga debate mes opozitës dhe maxhorancës. Debatet në seancë janë ndezur epër çështjen e dekriminalizimit për të cilën si opozita ashtu edhe maxhoranca kanë paraqitur nismat e tyre. PD ka dorëzuar në Kuvend një draft për dekriminalizimin, ndërsa qeveria ka marrë një vendim dje për të përjashtuar nga postet publike të gjithë personat e dënuar për 73 vepra penale.

Ish-kryeministrin Sali Berisha tha se qeveria po merr kompetencat e Kuvendit, kur rregullorja e përcakton qartë. Kreu i Kuvendit deklaroi se iniciativat e PD-së janë të njëanshme dhe këshilloi që palët të uleshin të diskutonin pasi në shumë gjëra ka dakordësi.

Kryeministri Edi Rama tha se komisioni për dekriminalizimin prodhoi vetëm propagandë banale dhe se nuk mund të pranojë shpikje SHQUP-i që sipas tij bëhen vetëm për propagandë.

Berisha: Ju jeni shumicë, është kryesia e parlamenti që mbron rregulloren dhe ligjin, por nuk mund të ndodhë ministrja të lexojë nenin kushtetues që pikërisht e ndalon qeverinë. Ju vriteni në çdo grimcë të besimit që mund të ketë mbetur.

Meta: PD në mënyrë të njëanshme ka marrë iniciativat e saj që janë përfshirë në programin e punës. Ndërkohë që ne kemi një komision bipartizan dhe u kemi kërkuar edhe kolegëve të PD-së që kjo iniciativë të ishte diskutuar në komisionin e përbashkët dhe të kishte ardhur si iniciativë e përbashkët. Ndërkohë që edhe qeveria ka ndërmarrë një iniciativë. Të ulemi të diskutojmë të gjitha çështjet. Për shumë gjëra e shoh që biem dakord për ato që nuk biem dakord kemi miqtë, partnerët ndërkombëtarë.

Bylykbashi: Besoj që askush këtu nuk ka dyshim që konsensusi është më shumë se nenet që lexoi ministrja (Felaj). Ministres i duhet akoma kohë të kuptojë se është një proces konsensusi. Konsensusi për ministren është ai që mban nenet përpara.

Është detyra e këtij parlamenti. Ta harrojë qeveria se mundet me vendime qeverie të na tregojë ne si funksionon. Sjellja e djeshme është vijimi i kësaj arrogance qeveritare.

Për sqarim të opinionit publik, të gjithë e dinë që komisioni ka muaj që është ngritur por tentativat për ta bllokuar kanë qenë të shumta. Akti i djeshëm tregon më syhumë se sa sjellja e përfaqësues të maxhorancës në komision. Opozita në këtë komision ka bërë të qartë qëndrimin e saj nëpërmjet një platforme dhe ka bërë propozim konkret. Të ndryshohet kushtetuta, ti hapet rrugë dekriminalizimit me ligj. Na duhet ky ligj karantinë që kryeministri të mos ketë më mundësi të sjellë kriminelë në parlament.

Ka një pr/ligj të propozuar, por është e papranueshme që KM të marrë përsipër një kompetencë që parlamenti ja ka dhënë vetes.

Rama: Mbledhja e komisionit prodhoi vetëm propagandë banale. E kam deklaruar publikisht që në mes të shtatorit qeveria do të propozojë variantin e vetë. Nga ana tjetër jemi zotuar dhe në këtë pikë është zotimi i përbashkët, që ti referohemi ligjit Severino që është përpjekja më e avancuar në këtë drejtim. Jemi konsultuar me ekspertët që kanë ardhur enkas nga Italia, me shkuesit e ligjit. Është po kaq e vërtetë që ministrja ka qenë e ngarkuar të komunikojë më parafolësin për të ndërtuar një proces që çonte në një produkt.

Nuk e kam pritur që ju të pranoni një produkt të përbashkët. Në vend produkti i përbashkët, paraqisni draftet e PD-së jo të komisionit. E drejta juaj! Atëherë ku është problemi. Ka një draft të PD-së, ka një nismë të qeverisë që do ti bashkëngjiten deputetët e shumicës dhe procesi hyn në rrugën normale të ballafaqimit të dokumenteve. Jemi të gatshëm të biem dakord për çdo gjë që është brenda kornizës së paracaktuar, por shpikje SHQUP-i nuk pranojmë. Legjislacioni për këtë çështje në SHBA, në BE dhe kjo është e gjitha. Shpikje SHQUP-i harrojeni se mund të pranohen nga ne. I doni për propagandë. Ne jemi 100% të interesuar dhe të gatshëm ta votojmë, doni ju apo s’doni ju. përqindja më e madhe e produktit është e njëjtë. Ju keni parashikuar 34 vepra penale, ne 73. Nuk e besoj se kjo është problem për ju. Ne e kemi shtrirë në të gjithë sferën publike, jo vetëm drejtuesit.

Nëse jeni të interesuar baza për konsensus është më e gjerë se asnjëherë duke iu referuar drafteve, jo shprehjeve të vullnetit, të pasionit tuaj se kush jeni ju shqiptarët e dinë përmendësh, por duke iu referuar drafteve. Korniza nuk lëviz.

BALLA: I KANË HARTUAR PIKAT PËR 20 VITE QË MOS TË PREKEN KANDIDATËT E PD, POR DRAFTI DO JETË ME 73 PIKA
Deputeti socialist Taulant Balla është shprehur se PD me draftin e paraqitur për dekriminalizimin synon të mbrojë anëtarët e saj. Sipas Ballës, drafti i paraqitur nga Qeveria përfshin 73 pika për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës.

“Sali Berisha bëri personin e shqetësuar për marrëveshjen që riktheu PD në Parlament për shkak të bojkotit. Po kemi patur një marrëveshje në 3 pika, ku pjesa më e madhe e tyre është realizuar. Si nuk u çua njëri nga ju dhe të thonte PO kishim marrëveshje me ju për dy çështje, por nuk u kujtuat. Këta e kanë bërë ligjin për 20 vjet, që mos të preken vetë. S’duan t’u preket gjyqtari sekretar i përgjithshëm i partisë, se është i dënuar për korrupsion ky Ristani. Madje s’duan që t’u ikë Xhelal Mziu. E ndaj s’pranojnë ndryshe. Pr ne duam që ky draft për dekriminalizimin të ketë 73 pika. Do e vendosim si kriter që i pirë në sallat e Kuvendit nuk vihet”, tha Balla.

RAMA MBRON ROSHIN E BUSHIN: I ZGJODHI POPULLI

Kryetari i bashkisë së Kavajës është zgjedhur nga populli i Kavajës dhe është aty nga vullneti i qytetarëve. Si ai i Kavajës edhe ai i Fushë-Krujës janë të zgjedhur dhe unë nuk kam asnjë problem përkundrazi, të takohem e dal edhe fotografi”. Kështu u është përgjigjur sot Kryeministri Edi Rama, akuzave të radhës së opozitës për krerët e bashkive të inkriminuar.

EDI PALOKA: RAMA PËRGJEGJËS PËR INKRIMINIMIN E KUVENDIT, ËSHTË KUNDËR TESTIT TË DROGËS
Deputeti demokrat Edi Paloka ka akuzuar kreun e Qeverisë si përgjegjës për inkriminimin e Kuvendit dhe të Administratës.

“Rama është përgjegjës për inkriminimin e Kuvendit dhe administratës, i ka mbrojtur deri mbrëmë të inkriminuarit. Deputetët e tij i plasën në dorë, tani i ka në burg. Procesi i dekriminalizimit po bëhet i turpshëm nga Rama, pasi tashmë është ngritur një komision i posaçëm për këtë çështje, dhe propozimet duhet të bëhen atje. Jo të kalohen me një vendim qeverie, e të kalojnë te konferenca e kryetarëve. Po e bezdis ajo pika 5 e propozimit tonë për dekriminalizimin, e ka problem testin e drogës”, tha Paloka.

BERISHA: JU VARROSNI KONSENSUSIN DHE DEMOKRACINE
Partia Demokratike paralajmëron dështimin e negociatave për miratimin e një ligji për dekriminalizimin e institucioneve.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë një fjalimi në Parlament se me vendimin e Qeverisë për të çuar një ligj në Kuvend shkrin komisionin e posaçëm që po punon për këtë proces.

“Nëse ju ecni duke varrosur konsensusin të jeni të bindur se varrosim demokracinë në këtë vend, varrosim stabilitetin dhe të ardhmen e stabilitetit. Këtu ti bashkëkryesues i maxhorancës ke një përgjegjësi të madhe, ti nëse i përmbahesh kushtetutës, këtë akt të djeshëm të Qeverisë nuk mund ta lejoje. Me asnjë lloj mekanizmi që të arrijë të shkrijë komisionin të miratuar në parlament, kjo ishte marrëveshja e parë konsensuale konkrete”, deklaroi Berisha.

Deklarata e ish kreut të qeverisë vjen pasi Ekzekutivi dërgoi dje në Kuvend një draft për dekriminalizimin, ku në ndryshim nga varianti i PD­së, nuk parashikon testin e drogës për zyrtarët e lartë.

*Berisha-Ramës: Çohu e fol këtu, mos sill çakejtë. Balla është i dënuar për përdhunim

Ish-kryeministri Sali Berisha fillimisht është ndalur tek ky projektligj duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama të bëjë testin e drogës, por gjatë fjalës së tij ka ndërhyrë deputeti socialist Taulant Balla.

Kjo ndërhyrje ka mërzitur Berishën, i cili e ka akuzuar atë për përdhunim.

Berisha-Metës për Taulant Ballën: Nëse një i akuzuar për përdhunim më ndërpret fjalën, hajt t’i marrim nga burgu ata që kryejnë krime e t’i sjellim këtu.

Berisha- Ramës: Ça je ti, që sjell Çakej këtu, çohu e fol vetë.

Kuvendi diskuton në seancën e sotme plenare dy dekretet e Presidentit që kthen për rishqyrtim ligjin “Për arsimin e lartë” dhe ligjin “Për turizmin”. Të dy dekretet u rrëzuan dy ditë më parë nga mazhoranca në komisionet përgjegjëse parlamentare. Por në seancë pritet të ketë debate edhe për raportin sekret të OSBE-së, trafikun e drogës etj. Duke marrë fjalën në seancë, deputeti i Partisë Republikane, Agron Duka ka folur pikërisht për raportin e OSBE-së, duke deklaruar se do t’i drejtohet drejtësisë.

BERISHA: RAMA KA TË DREJTË MË SHUMË SE UNË TË FLASË NË KUVEND, MOS JAPË URDHRA ME SMS
Ish-kryeministri Berisha ka ftuar kreun e Qeverisë Edi Rama që të flasë personalisht nga foltorja e Kuvendit, dhe sipas tij të mos udhëzojë me sms deputetët e tjerë.

“Nëse ky zotëria zgjedh të funksionojë me sms nga salla për të folur cakejtë, kjo është sjellje banditeske. Ky zotëria ka të drejtë më shumë se unë ta marrë fjalën sa herë të dojë, e të thotë këtu çfarë të dojë. E lëshojnë nervat, s’e lëshojnë s’është faji im. Të mos lëshojë të tjerët. Ky nuk është han, por Kuvend”, tha Berisha.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: