* Harito: Përgjegjësia është individuale

TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, ka reaguar ditën e sotme lidhur me video-skandalin me ish-kreun e Bashkisë së Peshkopisë. Nisur nga ky rast, ku sipas saj në shkëmbim të një vendi pune kërkohen favore seksuale, deputetja Bregu tha se duhet të hapet një diskutim publik dhe të merren masa.

Sipas deputetes demokrate, problemi nuk qëndron vetëm tek rastet konkrete, por tek fenomeni i punësimit në administratë jo sipas standardeve dhe kritereve profesionale.

“Nuk kalon dot një javë pa minimumi 3 skandale. Një nga ngjarjet më të shëmtuara të javës së kaluar ishte ajo që panë të gjithë, historia e ngacmimit seksual për vendin e punës, që ndodhi me kreun e Bashkisë së Peshkopisë. Nuk është halli që “një gjysh ia lyp një 20-vjeçareje”, por problemi i madh që nxjerr në pah kjo ngjarje. Ndaj shqetësimi është çfarë ndodh me ligjin për administratën shqiptare, punësimin, shkarkimin. A ka mundësi që ne edhe të kërkojmë të shkojmë drejt BE, dhe në fund të ditës të ndajmë me sinore feudalizmi këto vendet e punës. Ne jemi vendi me lëvizjet më të mëdha të administratës në rajon, dhe kjo është një gjë e përsëritur.

A duhet ngritur një diskutim për nivelin e administratën në nivel lokal? Po për administratën publike në tërësi? Ishte flagrant rasti i ndodhur në Peshkopi, po sa raste të tilla, apo jo të natyrës së ngacmimeve seksuale, ndodhin në administratë publike? Nuk duhet të merremi me një rast të shkëputur, por me procesin e manipulimit për plotësimin e vendeve të punës. Kur ne në vend që të legalizojmë kriteret e punësimit, legalizojmë diskriminimin, atëherë një Shukri më shumë apo më pak, nuk përbën ndryshim”, tha deputetja Bregu.

Lidhur me këtë ka reaguar ministrja Milena Harito, e cila tha se për skandale të kësaj natyre, duke iu referuar rastit të Shukri Xhelilit, përgjegjësia duhet të jetë personale. Duke u ndalur tek punësimi në administratë, ministrja Harito tha se në qeverisjen Berisha nuk ka patur rregulla për punësim të ndershëm. Ndërsa shtoi se me qeverisjen aktuale punësimi bëhet sipas kritereve dhe mirëpërcaktuara.

Ministrja Harito akuzoi opozitën për qëndrim me dy standarde.

“Nuk e kuptoj, pse për Pangon ishte përgjegjësi individuale dhe për këtë keni tjetër qëndrim. Madje, atë edhe e promovuat e vutë në krye të inovacionit dhe shkencës. I rëndësishëm është qëndrimi që mbahet. Si Pango e si ky derëziu i fundit janë të zgjedhur por përgjegjësinë e kanë individuale, ju keni mbetur me kohën e Enverit, te përgjegjësia e klasës, apo kolektive”, tha ajo, duke shtuar se as Pango, e as derëziu i fundit nuk janë as të parët e as të fundit.

TOPALLI SULMON RAMEN: KUSH I EMEROI NE ADMINISTRATE SHUKRIUN, FRROKUN, PRENGEN, BALILIN
Deputetja e PD-së Jozefina Topalli ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka emëruar në administratë persona të papërshtatshëm, të cilët kanë abuzuar me detyrën, apo janë të përfshirë në trafiqe. Duke reaguar për rastin e Shukri Xhelilit, Topalli tha se ky nuk është rasti i vetëm.

Topalli ka përmendur edhe rastet e Frrokut, Prengës, Balilit, si dhe është ndalur tek denoncimi i deputetit Blushi për mesazhet kërcënuese nga Elvis Rroshi.

“Prisja në fakt që kryeministri të reagonte. (Rama flet) Mos fol se po flas unë. Mbylle gojën. Blushi denoncoi sot kërcënimin ndaj tij, dhe e pyeti Ramën me ironi për Elvis Rroshin. Kanë ngritur vulgun e vendit në majë të punëve. Po këto janë shumë raste. Një me mbiemrin Çelaj në administratë është arrestuar për trafik droge. Ky Mark Frroku në koalicion me ne apo ty ishte? Ky Armando Prenga ishte futur apo jo në listë nga ti? Ky është i lirë sot, ndërsa babai i ter fëmijëve të vegjël, dy prej të cilëve vdiqën në aksident, ishte në burg se po ndërtonte çatinë. Këtë Balilin e kemi emëruar ne apo ti? Po Shukriun kush e emëroi? Ajo që nuk më hiqet nga mendja është aksidenti i dy javëve më përpara. Ngrijeni kokën ju gra të Kuvendit, se ky këtu, Rama, nuk ka lidhje me të qenit baba, prind, nuk ka lidhje me dhembshurinë. Pajisja përgjuese është një gjë e vogël krahasuar me këtë që po ndodh në vendin tonë”, tha Topalli.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: