Ndryshe nga ç’pritej, gjatë muajve të fundit Gjermania nuk është treguar aq shumë mikpritëse me refugjatët, duke riatdhesuar mijëra prej tyre. Por, pas kthimit të bashkëkombësve në vendlindje, gjithmonë e më shumë refugjatë po ia kthejnë shpinën Gjermanisë. Deri tani më të zhgënjyerit kanë qenë irakianët, por sipas bilancit më të ri të gazetës “Der Spiegel”, një numër i madh i të larguarve me dëshirë nga Gjermania janë edhe shqiptarët. “Çdo ditë janë me qindra refugjatë që largohen nga Gjermania përmes aeroportit të Frankfurtit”, shkruan “Der Spiegel”.

Arsyeja kryesore e shqiptarëve të larguar është “frika nga ndalim-hyrja” në Gjermani. Nëse do të vazhdonin të qëndronin në Gjermani, atyre iu kërcënohet dëbimi kundër vullnetit. Gjermania së fundi ka futur në kategorinë e vendeve me origjinë të sigurt edhe Algjerinë, Marokun dhe Tunizinë, ndërsa disa muaj më parë në këtë kategori u vendosën Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo tregon se banorët e këtyre vendeve nuk kanë mundësi për të fituar azilin në Gjermani. Sidoqoftë, sipas medias gjermane, refugjatët e larguar nuk kthehen të gjithë në vendlindje. Shumë prej tyre provojnë fatin në shtete të tjera të Europës, me shpresën se do të arrijnë të marrin azilin atje. Aktualisht Gjermania është në kërkim të rrugëdaljes nga kriza e refugjatëve. 770.000 kërkesa azili të patrajtuara presin në sirtarët e autoriteteve gjermane të azilit.

Zyra Federale për Migracionin e Refugjatët ka një plan ambicioz për të përshpejtuar procesin. Sipas drejtuesit të Zyrës Federale për Migracionin dhe Azilin (BAMF), Frank-Jürgen Weise, mes 770 mijë refugjatëve bëjnë pjesë 370.000 persona, rasti i të cilëve nuk është vendosur ende, si edhe rastet e 300.000 deri në 400.000 refugjatëve, të cilët ndodhen në vend, por nuk janë regjistruar ende.

Autoritetet gjermane publikuan dy javë më parë të dhënat e plota në lidhje me azilkërkuesit për vitin 2015 dhe, ashtu siç edhe pritej, numri i shtetasve shqiptarë është në shifra rekord. Sipas të dhënave, rreth 55 mijë shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil, shifër kjo që e rendit vendin tonë të dytin pas Sirisë, duke lënë pas shtetin tjetër shqiptar, Kosovën. Numri i emigrantëve nga Shqipëria në 2015 shënoi një rritje me mbi 5 herë krahasuar me kërkesat për azil në 2014, të cilat ishin pak më shumë se 8 mijë. Në të njëjtin nivel kishin qenë dhe shifrat e azilkërkuesve nga Kosova.

Nga të dhënat zyrtare të autoriteteve gjermane vihet re se në tre muajt e fundit të 2015, numri i emigrantëve nga Shqipëria shënoi një rënie të ndjeshme, nga 4.680 në tetor, në 3.044 persona në nëntor dhe 1.801 në muajin dhjetor. Për të minimizuar flukset nga Ballkani, autoritetet gjermane vendosën t’i njohin këto vende si “vende të sigurta origjine”, duke shkurtuar procedurat dhe refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil. Dyndjet e para të azilantëve u regjistruan në muajt e parë të 2015-ës, pas përhapjes së lajmit të rremë për sigurimin e azilit ekonomik në Gjermani nga disa agjenci udhëtimi. Ky ishte edhe argumenti me të cilin u mbrojt qeveria shqiptare përballë kritikave për fluksin e azilantëve, tezë që e braktisi shpejt, duke i mëshuar më vonë asaj se, shumica e azilkërkuesve ishin shtetas shqiptarë që kishin jetuar në Greqi dhe që po e braktisnin atë pas krizës së thellë ekonomike.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: