Dalja e dhëmbëve është një nga shqetësimet më të mëdha. Mësoni si të kujdeseni për bebin, nga shenjat e para, te përdorimi i furçës së dhëmbëve.

Per disa, dalja e dhëmbëve është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, për të tjerë është histori që zgjat një natë. Dalja e dhëmbëve zakonisht fillon rreth moshës 7 muaj, për disa fillon shumë më shpejt ose më vonë.

Të parët dalin dy të mesit poshtë, më pas ata të mesit lart, pastaj dhëmbët anash tyre, fillimisht poshtë dhe pastaj prapë lart. Plasja e dhëmballës shkakton një ngjyrë të mavijosur, por kjo është normale.

Pak informacion mbi dhëmbët e parë të bebit:

1) Dhëmbi i parë tek bebet shfaqet në shumicën e rasteve rreth muajit të gjashtë, edhe pse simptomat e daljes mund të shfaqen më përpara. Ka raste kur dhëmbi del me herët ose më vonë muajit të gjashtë.

2) Në shumicën e rasteve dhëmbi i parë del poshtë, por ka raste që del dhe ai lart, shkruan “shëndeti”.

3) Dalja e dhëmbëve shoqërohet me ënjtje dhe skuqje të mishit rreth dhëmbit.

4) Për lehtësimin e simptomave të daljes së dhëmbëve është e këshillueshme përdorimi i xhelit gingivar për bebe (merret me këshillën e mjekut), përdorimi i lodrave të posaçme për bebe që vendosen në frigorifer dhe qetësojnë mishin e dhëmbëve.

5) Bebes i lahen dhëmbët që në momentin që shfaqet dhëmbi i parë.

6) Dhëmbët e bebes pastrohen me furçë dhe pastë të posaçme. Sasia e pastës së përdorur duhet të jetë sa një kokërr orizi derisa bebi bën 3 vjeç, pas 3-vjeçarit sasia e pastës së përdorur duhet të jetë sa një kokërr bizeleje. E rëndësishme është të pastrohet dhe gjuha.

7) Në mungesë të furçës dhe pastës, ose ne rastet e vështirësisë së përdorimit të tyre, dhëmbët dhe gjuha mund të pastrohen dhe me një garzë sterile të zhytur në ujë të vakët.

8) Fluori është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e dhëmbëve të bebes, ndaj është e rëndësishme konsumimi i ujit dhe ushqimeve me përmbajtje fluori. Në rastet e kequshqyerjes, është mjaft e rëndësishme marrja e fluorit nga jashtë, sipas dozës së përshkruar nga mjeku në recetë.

9) Fluori duhet të hyjë në dietën e fëmijës pas muajit të gjashtë.

10) Vizita e pare tek mjeku stomatolog është e këshillueshme të bëhet që kur bebes i del dhëmbi i parë. Kjo vizitë është e rëndësishme jo vetëm për monitorimin e ecurisë së daljes së dhëmbëve të bebes, por ka mjaft vlerë edhe për prindin pasi ai duhet të informohet saktë, nga një specialist i fushës, për mënyrën se si duhet të tregojë kujdesin e duhur ndaj dhëmbëve të bebes.

11) Edhe pse dhëmbët e qumështit janë të përkohshëm, rëndësia e tyre në sistemin dhëmbor është mjaft e rëndësishme, ndaj prindërit duhet të tregojnë kujdesin e duhur në lidhje me higjienën dhe ushqyerjen e shëndetshme të të voglit, në mënyrë që t’u lënë si trashëgimi dhëmbë të bukur, të shëndetshëm, por mbi të gjitha një, shembull të mirë përkujdesi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: