Në prag të zgjedhjeve në Maqedoni, mediat në vend shkruajnë se partia shqiptare BDI do të jetë ajo që do të vendosë se cila nga partitë maqedonase do të hyjë në qeveri pas 11 dhjetorit.

VMRO-DPMNE dhe LSDM e kanë të qartë se BDI do të ketë shumicën e deputetëve shqiptarë dhe do të jetë çelësi i shumicës së ardhshme parlamentare.

Mediat maqedonase shkruajnë për takimet e Ahmetit me diplomatët perëndimorë ku diskutohen mënyrat për daljen nga kriza, dhe se një nga planet është që Ahmetit t’i takojë posti i kryeministrit.

Ahmeti do ta shfrytëzojë këtë mandat për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për çështjen e emrit me Greqinë, gjë e cila do t’i hapte dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

Në të njëjtën linjë është edhe analisti amerikan Lluk Kofi, i cili ka parashikuar një presion mbi Greqinë nga ana e administratës së re të Presidentit Tramp me qëllim arritjen e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë.

“Ne mendojmë se nuk është e pamundur që Ali Ahmeti të zgjidhet kryeministër. Ka shumë gjasa që pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev të mos munden të formojnë shumicë parlamentare prej 63 deputetësh. Në atë rast mandati do t’i takojë BDI-së si parti e tretë në parlament”, janë shprehur burime të “Dnevnik” brenda BDI-së.

Për t’u arritur kjo duhet që së paku partitë shqiptare t’i përmbahen premtimit se nuk do të hyjnë në qeveri pa i fituar zgjedhjet dhe pa u plotësuar kërkesat e tyre nga partitë maqedonase.

Ndërsa “Zhurnal” sot solli edhe detaje të tjera, sipas të cilave BDI do të udhëheqë me Ministrinë e Financave dhe do t’i takojë edhe vendi i kryetarit të Kuvendit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb