Nga Brikena Metaj
Historia e familjes Dalipi në Gjirokastër, mund të quhet pa frikë një histori e denjë telenovelash.
Vajza e tyre e mitur, vetëm 17 vjeç është rrëmbyer dy herë brenda tetë muajve, ndërsa policia ende nuk e ka sjellë në banesën e prindërve. Absurdi i të gjithë kësaj historie qëndron në faktin se rrëmbyesi i saj është i afërm i tyre.

Shpëtim Muharremi u ndalua dje nga uniformat blu. Ai është burri i hallës së vajzës së mitur me inicialet A.D., por autori ka dy gra.

“Ka 8 muaj, erdhi në shtëpi ai burri i motrës, me gruan tjetër në shtëpinë time. Një ditë më pas e morën çupën e futën në makinë e çuan në Levan. E mora para dy muajsh e solla në shtëpi vajzën me polici. Para dy muajsh ma mori prapë vajzën në Sarandë, e mori te rruga. Shkova e denoncova në policinë e Sarandës. Tani u kap Shpëtimi është këtu në Gjirokastër. Vajza në Levan nuk erdhi”, tregoi babai i adoleshentes Skënder Dalipi.

Ndërkaq nëna e vajzës thotë se e morën me forcë dhe se do që vajza të vijë në shtëpi.
“E mori me pahir ai, tani e mori prapë, çfarë të bëjmë ne policia nuk merr masë. Do ta sjellin tani thanë, ata nuk e sjellin na gënjejnë kot policia”, tha ajo.

Muharremi ka deklaruar se vajzën e ka marrë si nuse për të birin. Por prindërit e 17-vjeçares ngrenë dyshime të forta mbi arsyet e vërteta të rrëmbimit të saj.

“Burri i motrës ka dy gra, kam frikë mos e ka marrë për rrugë vajzën? Unë kam 6 fëmijë, nuk mendon policia fare. Unë pres të vije çupa, prit-prit. Ai Muharremi ma mori vajzën për ta martuar me djalin e tij që është budalla, është i metë nga mendja, merr lekë nga bashkia”, tha babai i 17-vjeçares.

E ndërsa 40-vjeçari pret të gjykohet, nga gjykata e Gjirokastrës nuk ka asnjë sinjal për kthimin e vajzës pasi siç thonë prindërit, familja e kunatit nuk pranon ta kthejë
“I marr në telefon me shajnë”, thotë ai.

Pavarësisht “odisesë” së kësaj ngjarjeje, e gjithë historia është mbajtur e fshehtë nga policia e cila ka bërë të ditur vetëm ditën e djeshme ndalimin e rrëmbyesit duke mos shtuar asnjë detaj tjetër për këtë ngjarje.

Prindërit e 17-vjeçares akuzojnë policinë për neglizhencë të veprimeve. Ndonëse ata kanë bërë denoncim në polici në dhjetor të vitit të kaluar, për rrëmbimin e vajzës së tyre, uniformave blu u është dashur 7 muaj kohë që të ndalojnë rrëmbyesin, ndërsa prindërit presin ende kthimin e së bijës në shtëpi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb