TIRANË- Elona Gjebrea, deputetja e Tiranës dhe vartësja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri sqaron për herë të parë informacionet e përhapura në lidhje me një dëshmi të mundshme të saj tek Prokuroria e Krimeve të Rënda për çështjen “Habilaj”, në një kohë që janë lëshuar 3 urdhërarreste për 3 zyrtarë të policisë.

E kontaktuar nga News 24 dhe BalkanWeb zonja Gjebrea mohon të jetë marrë në pyetje në Prokurori.

“Nuk është e vërtetë që jam thirrur në Prokurori. Jam e hapur me mediat dhe prokurorinë. Nëse do më thërrasin jam e gatshme të dëshmoj”,- ka komentuar zonja Gjebrea.

Në media u përfol mbrëme se deputetja socialiste ishte thirrur në Prokurori për të dhënë deklarime për hetimet, pasi gjatë kohës kur vepronte banda e “Habilajve”, Elona Gjebrea ka qenë zv.ministre e Brendshme, pra numri dy pas Saimir Tahirit në Ministrinë e Brendshme.

Pritet që hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të zbulojnë më shumë se rreth kësaj dosje.

Mbrëmjen e djeshme Prokuroria për Krimet e Rënda ka lëshuar 3 urdhër-arreste për 3 ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Njëri prej tyre është Sokol Bode, ish-shef i Krimeve dhe ish-shef i kufirit në drejtorinë e Vlorës, për të cilin opozita ka publikuar edhe fotografi të tij me vëllezërit Habilaj, edhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë se arrestit me burg.

I dyti është Jael Çela, ish-drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës dhe i treti Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, në drejtorinë e Qarkut Vlorë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb