Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ëndrra e vjetër për mësues të mirë

Valbona-Nathanaili

Nga Valbona NATHANAILI
Vite më parë, ndoshta një qind vjet më parë, ngjarja duket edhe më e lashtë, pasi ka ndodhur në kohën e regjimit komunist, por unë vetë nuk jam aq. Pasi mbarova studimet për fizikë, pranë Universitetit të Tiranës, më emërojnë mësuese fizike në shkollën e mesme të Rrëshenit. Sapo kisha mbaruar studimet dhe isha e bindur që e njihja mirë lëndën, por jo. Njihja shkencën, por jo atomet e saj. Njihja ligjet, por më mungonte fjalori për ta thënë qartë dhe bindshëm. Me një fjalë, recitoja, nuk interpretoja. Për orën e parë të mësimit më janë dashur disa ditë përgatitje. Emocione plus frikë se si do dal përpara nxënësve për të shpjeguar një nga mësimet më të thjeshta, në fakt, “Hyrje në fizikë”, por që rezultoi të ishte më i vështiri, jo vetëm sepse flisja përherë të parë përpara një grupi më të madh se 30 veta, jo vetëm sepse isha mësuese për herë të parë, por ishin 45 minuta që duhej të flisja kryesisht unë, për t’u dhënë nxënësve mundësinë të më njihnin, si dhe për të qenë disi origjinale dhe të mos përsërisja veten, ndërsa do më duhej të hyja e të dilja në pesë klasa të ndryshme, ku do shpjegoja të njëjtën temë. Ndërkaq, një sy i vëmendshëm kolegu kishte vënë re, se që nga koha kur shkolla po rreshtohej dhe deri kur i erdhi klasës sime radha për të hyrë brenda, pjesën më të madhe të kohës e kisha mbajtur kokën ulur, sepse më afrohet dhe, me shumë qetësi e dashamirësi, më thotë: Suksese, por mjaft e përsërite mësimin me mend. Vërtet, gjithë kohën sillja nëpër mend skenarët që kisha krijuar për të përballuar me sukses këtë ditë të parë. Dhe sigurisht, pikat kryesore ku do përqendrohesha gjatë shpjegimit. Ditë të tilla në jetën time si mësuese u bënë shumë, ndoshta pesëmbëdhjetë, të cilave shtuar edhe ditët e një viti shkollor bëhen edhe më shumë dhe, sigurisht, erdhi një ditë kur në kokë gjithnjë e më pak më silleshin pikat rreth të cilave do shpjegoja, por nuk munguan kurrë skenarët se si t’ia dalë gjatë një ore mësimi për të qenë sa më origjinale, e qartë dhe frymëzuese në ato që them edhe për nxënësin më pak të interesuar, se si ta inkurajoja të nxënit nëpërmjet shfrytëzimit të një spektri sa më të gjerë mjetesh, detyrash e problemash. Ndërkohë në këta vitet e fundit, jam marrë më shumë me teori rreth nxënies e mësimit dhe, më pak, me mësim praktik direkt në klasë, por gjithnjë e lidhur me atë se çfarë ndodh në shkollën tonë. Dhe çfarë thuhet rreth shkollës dhe zhvillimit të saj. Në disa raste, shumë folës, në përpjekje për t’u hequr si reformatorë dhe ideatorë të teorive të ndryshme, e mbushin retorikën rreth mësimit me fjalë të tipit dixhitalizim, PowerPoint, shfrytëzim i internetit, mësim me projekte etj. etj.. Të gjitha këto, në pamje të parë të japin idenë se diçka e re po ndodh, diçka që do të tronditë themelet e shkollimit dhe do i japë gjithë shkollës sonë suksesin e munguar, por që, në fakt, nuk kanë asnjë lidhje me atë që është thelbi i mësimit, me të qenit mësuesi vërtet mësues dhe, nxënësi, vërtet nxënës, me krijimin e kushteve të qëndrueshme në ndërtimin e konsolidimin e dijeve, si dhe me marrëdhënien që krijojnë mësues e nxënës kur gjenden përballë njëri-tjetrit, aty, vetëm, në klasë.

Richard Elmore, në një studim të kryer për shkollat amerikane, shprehet: “Shumica e shkollave, në fakt, ndryshojnë vazhdimisht, nëpërmjet adaptimit të kurrikulave të reja, zbatimit të testeve të larmishme, grupimit të praktikave, ndryshimit të grafikut të veprimeve të nxënësve, krijimit të mekanizmave të rinj për pjesëmarrje në vendimmarrje, ndryshimit të numrit të mësuesve e administratorëve, a ndërruar rolin e tyre deri edhe duke ndërmarrë iniciativa a bërë modifikime të mëtejshme. Por në tërë këtë vorbull ndryshimi që sapo cituam, konceptimi ynë kryesor për njohuritë, rolin e mësuesit dhe nxënësit në ndërtimin e njohurive, brenda strukturave të tilla si klasa e shkolla, në procesin e të nxënit, mbetet relativisht statik. “Pra, çdo retorikë e mbushur me fjalë të fryra, jashtë realitetit, nuk i shërben as shkollës, as mësuesit dhe as nxënësit. Ëndrra për një shkollë më të mirë nuk lind nga fjalët e koklavitura që artikulohen në referencë të paradokseve që nuk frymëzojnë njeri. Ëndrra për një shkollë të mirë është e vjetër sa vetë njerëzimi. Ëndrra për një shkollë më të mirë fillon me kërkesën për mësues më të mirë. Mësuesit e mirë e bëjnë një shkollë të mirë. Dhe shembujt e mësuesve më të mirë fillojnë që nga koha e lashtësisë, kur të gjitha teknologjitë e mësipërme mungonin, ndërkohë që teorive të tyre për nxënien u referohemi dhe i sjellim si shembull sa herë shohim se diçka nuk shkon ose i përpunojmë dhe i përshtatim edhe për ditët tona. Mësuesit të mirë nuk ka nevojë t’i kërkosh të përdorësh internetin, sepse ai është në kërkim të mjeteve të reja që e bëjnë mësimin edhe më interesant a të thjeshtë. Mësuesi i mirë e kupton se pikërisht falë internetit, shpesh i duhet jo vetëm të ndërtojë dije, por edhe të rindërtojë kur ato janë asimiluar së prapthi. Mësuesin e mirë e fyen kur i thua pse nuk përdor PowerPointin, sepse ai e di se kur duhet e kur nuk duhet një aplikacion i tillë, që meqenëse e cituam, duhet të theksoj se në shumë teori komunikimi kërkohet të plotësojë atë që po ligjërohet, dhe jo ta zëvendësojë, sikundër ndodh shpesh me shumë mësues e profesorë. Një mësues i mirë e kupton se sa kohë që do të vazhdojë sistemi i mësimit me kohë të limituar(në shkollën tonë është 45 minuta), me lëndë që zhvillohen tre a katër herë në javë dhe, me fëmijë që largohen për në shtëpi sapo tingëllon zilja e orës së fundit të mësimit, detyra e tij kryesore është të bëjë një mësim sa më të mirë. Mësuesit e mirë janë ata që e bëjnë një temë të re të duket po aq interesante sa edhe për autorin që e ka shkruar, që shpikin edhe një herë bashkë me nxënësit ligjin që po shpjegojnë, që i ndërtojnë ngjarjet historike sikur po ndodhin sot, që i mësojnë nxënësit të kenë besim më shumë te libri se te interneti, më shumë se të citojnë portale, të citojnë autorë, më shumë se të shpenzojnë kohë në internet, të kalojnë në bibliotekë. Atëherë do të jenë në gjendje të vlerësojnë dijen dhe kohën që kërkohet për formimin e saj, atëherë do të jenë origjinalë dhe jo thjeshtë marrës me copy-paste të informacioneve nga burime të dyshimta, atëherë do të vlerësojnë e respektojnë te mësuesi, mësuesin. Ndërsa ne, mësuesin e mirë.


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.