Siç dihet, Kukësi është me mendje i tëri te finalja e Kupës me Egnatian. 14 maji po afron dhe në kampin verilindor janë vënë të gjithë në shërbim të kësaj sfide, e cila në njëfarë mënyre është historike për klubin, duke parë momentin në të cilin luhet.

Mirëpo, e tillë është edhe për vetë lojtarët me trajnerin, të cilët nuk është se janë mësuar shumë me trofe të kësaj natyre, pasi janë të gjithë thuajse të rinj në karrierë. Për këtë arsye, në Kukës e shohin si një shans të artë që duhet ta shfrytëzojnë, ndaj edhe ndeshjet e kampionatit, Devolli duket se po kursen lojtarët titullarë.

RIKUPERIMET – Në përballjen e fundit ndaj Erzenit ranë në sy disa mungesa të rëndësishme, me Devollin, që aktivizoi shumë djem të rinj dhe disa prej titullarëve që kanë mbajtur peshën e sezonit ishin lënë pushim. Mjafton të përmenden dy prej tyre, portieri dhe njëkohësisht kapiteni Anxhelo Tafas, si edhe ylli i skuadrës, Mustafa Salami, të cilët janë dy prej futbollistë bazë të bluve. Afrikani ka vuajtur edhe nga disa probleme muskulare për shkak të lodhjes, por gjithsesi nuk rrezikon për finalen, thjesht është lënë pushim për t’u qetësuar.

Mirëpo, ajo që ka shqetësuar më shumë teknikun dhe klubin ka qenë mungesa e mesfushorit Kleandro Lleshi dhe mbrojtësit Redon Dragoshi. Mësohet se të dy lojtarët janë në luftë me kohën për të qenë gati më 14 maj. Lojtarët kanë probleme muskulare dhe po bëjnë terapi intensive për të qenë në maksimumin e duhur ndaj rrogozhinasve. Gjasat janë që deri ditën e ndeshjes të mos kenë probleme, por gjithsesi po punohet që të vihen sa më parë në dispozicion të trajnerit.

Pjesa tjetër e skuadrës duket në rregull, por vetëm shpresohet që deri atëherë të mos ketë edhe probleme dëmtimesh, duke ditur që Devolli nuk ka një organikë të pasur dhe me lojtarë stoli. Nga ana tjetër, tekniku po përpiqet në këto ndeshje të kampionatit të shohë edhe ndonjë element, që mund t’i bëjë vërtet punë për në 14 maj dhe ta përdorë si një “as nën mëngë” që nuk ka spikatur shumë gjatë kampionatit. Me pak fjalë, mund të thuhet se verilindorët janë në luftë me kohën për të qenë në top formë dhe sjellë pas disa vitesh sërish një trofe në Kukës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb