Rrjeti social Facebook ka bërë të ditur se një operacion i kryer nga Rusia ka shpenzuar 100 mijë dollarë për reklamime politike në platformën sociale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjatë zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Facebook tha se paratë janë shpenzuar në rreth 3.000 reklama të cilat janë emetuar në periudhën qershor 2015-maj 2017. Reklamat, siç thonë nga Facebook, janë paguar nga një kolektiv prej 470 llogarish të cilat kanë përdorur informata të rreme për identitetin e tyre.

Facebook thotë më tej se të gjitha këto llogari dhe faqe kanë një lidhje mes vete, dhe sipas të gjitha gjasave janë drejtuar nga Rusia, por nuk saktësoi nëse të njëjtat janë inicuar nga qeveria ruse.

“Analiza jonë sugjeron se këto llogari dhe faqet ishin të lidhura me njëra-tjetrën, dhe me gjasë vepronin nga Rusia”, shkroi në njoftimin e tij Alex Stamos, shefi i Sigurisë në Facebook.

“Ne nuk lejojmë llogari joautentike në Facebook, dhe si rezultat, kemi mbyllur llogaritë dhe faqet që identifikuam se ishin ende aktive”, tha më tej ai.

Stamos tha se pjesa dërmuese e reklamave nuk kanë përmendur ndonjërin nga kandidatët presidencial apo zgjedhjet, por se kanë qenë të përqendruara në çështjet e brendshme amerikane siç janë emigracioni dhe e drejta për armëmbajtje.

“Reklamat ishin të përqendruara në amplifikimin e porosive të interesit shoqëror dhe politik në gjithë spektrin ideologjik”, tha Stamos.

Në mënyrë shtesë, Facebook ka bërë një rishqyrtim të reklamave politike të paguara gjatë fushatës zgjedhore, që kanë pasur lidhje me Rusinë, sepse të njëjtat kanë përdorur IP adresa amerikane mirëpo gjuha e përdoruesit ka qenë në rusisht.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: