TIRANE– Ish-truproja e Aleksandër Meksit në vitin 1992, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, hedh poshtë spekulimet se ka pasur një defekt të qëllimshëm me ndriçimin në Aeroportin e Rinasit, me qëllim eliminimin e Meksit.

Në një intervistë për ‘Panoramën’, ai thotë se përpara se delegacioni shqiptar të nisej me avion nga Roma, ishin informuar se Aeroporti i Rinasit nuk kishte ndriçim.

“Informacioni ishte se fshatarët kishin protestuar për pronat e tyre, që i kishte zënë aeroporti, duke thyer dhe dritat e pistës,” tha Ylli.

Ai shton se Meksi u informua për këtë çështje, por ishte Genc Ruli që këmbëngulte të ktheheshin atë natë në Tiranë.

“Kryeministri nuk tha as po dhe as jo, kurse Genc Ruli këmbënguli dhe u nisëm. Por ne e morëm vesh që para se të niseshim se në pistën e Rinasit nuk kishte ndriçim, nuk na ndodhi e papritur. Kur erdhëm në Rinas, autoritetet e aeroportit kishin nxjerrë në pistë 5-6 makina të Kryeministrisë për të ndriçuar pistën, imagjino se çfarë profesionalizmi. Pilotët, ndoshta të verbuar nga dritat e makinave, nuk u orientuan si duhet me pistën, në vend që të ulnin fillimisht rrotën e pasme të avionit, ulën rrotën e parë. Në goditjen e parë, piloti bëri një tentativë që ta ngrinte avionin përsëri, por nuk mundi, ndërsa avioni bënte kolpo si delfin mbi pirunin e rrotës së parë të këputur. Ishte një situatë tmerri në bord, por na ka ruajtur Zoti. Avioni u zvarrit me pirunin e rrotës së parë deri në fund të pistës, por pilotët arritën ta mbanin në balancë, sepse nëse do të ishte anuar, do kishte goditur depozitat e karburantit. Zoti na ka ruajtur dhe na ka shpëtuar. Ishte fat që avioni ishte një çarter i vogël 8 vendësh dhe nuk pati shumë peshë që të binte me turi përpara”.

Ylli thotë se me informacionin e tij, nuk ka asnjë skenar konspirativ pas kësaj ngjarje.

Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhiu dhe disa media pranë të majtës supozojnë se ky ishte një atentat i Berishës për të hequr qafe Aleksandër Meksin.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: