NGA: Darina Tanushi

Deputeti socialist, Erjon Braçe rrëfen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se me punën e tij dhe duke “përfituar” nga liria që dy kryetarët Fatos Nano e Edi Rama kanë lejuar është sot një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit. I pyetur në lidhje me atë që përflitet gjatë këtyre ditëve se mund të jetë kandidat për ministër Bujqësie, Braçe shpjegon se ka katër vite që e dëgjon, sa herë ka denoncuar ndarjen e padrejtë të parave publike për fermerët. Ai i cilëson “llafe”. Ndërkohë, Braçe vlerëson maksimalisht Gramoz Ruçin, duke thënë se atë që bëri ai, duke e vendosur veten në kufirin e minimumit të objektivit në qarkun e Fierit, nuk e bëri askush nga PS, në asnjë qark.

Zoti Braçe, jeni nga deputetët më jetëgjatë të Parlamentit pluralist shqiptar. Cili është sekreti i kësaj jetëgjatësie?

Të konsideruarit e qenies deputet-anëtar i Kuvendit, si detyrë, punë nën kontratë. Të konsideruarit e politikës në thelb të punës në Kuvend, si shërbim publik për njerëzit e zakonshëm; ligjbërja dhe kontrolli i qeverisjes si detyrë e përditshme, zhveshur tërësisht nga interesat personale, të cilat në mënyrë të qartë shkatërrojnë qëllimin e kësaj kontrate. Përmbushja e kësaj kontrate duke shërbyer për njerëzit e zakonshëm, ndarë me ta interesa të përbashkëta publike, shpesh tërësisht të kundërta me ato të një qeverie si ajo e Sali Berishës në kohët e tij, por në plot raste të ndryshme edhe me ato të qeverive të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, mendoj unë se është beteja që nuk mbaron kurrë. Nuk po them që koha nuk mjafton, domethënë që unë nuk kam gjatë në Kuvend. Por puna, shërbimi, veprat si produkt i tyre, duhet të jenë elementët që plotësojnë vitet. Pa to, vitet në Kuvend janë kot, renditen si mburrje e gjithkujt që ka kaluar aty dhe kaq.

Në fakt gjatë karrierës suaj ju kemi parë të jeni herë tejet kritik me kryetarin, cilido ka qenë ai, herë mbështetës, por një gjë është e dukshme që Edi Rama ju vlerëson. Si ndiheni në këtë raport të vendosur me kryetarin e partisë?

Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse bën kaq përshtypje kjo! Për mua është gjendja më normale në marrëdhënie mes dy njerëzish politikë, tamam kur secili prej tyre gjykon se duhet të thotë atë që mendon për parime, çështje, praktika, por edhe për punën e secilit nën një kontratë politike në parti apo më gjerë se kaq, tek njerëzit e zakonshëm që kanë të drejtën të gjykojnë gjithkënd. Për këto kam qenë edhe kritik, por edhe vlerësues, duke pasur vetëm një standard të vërtetën. Fatos Nano, Edi Rama gjithashtu, kanë qenë e janë njerëz të lirë, jo për shkak të pushtetit politik, ekzekutiv qendror apo vendor, por për shkak të respektit ndaj lirisë së tjetrit. Të dy e kanë vuajtur mbi kurriz cenimin e lirisë, dhunshëm e fizikisht madje, për t’i shtypur, izoluar e përjashtuar, ashtu siç Sali Berisha di të bëjë, por kurrë nuk u dorëzuan, luftuan dhe kurrë nuk e shtrinë këtë platformë dhune ndaj të menduarit, të menduarit kritik posaçërisht, në PS. As jashtë saj. Unë jam një ndër përfituesit, nëse mund ta them këtë. Por është më shumë se kaq, është Partia Socialiste, mjedisi institucional që e garanton këtë liri. Gjithnjë, nëse ti nuk e përdor lirinë tënde për të shtypur të tjerë si ty, për t’ju imponuar gjithkujt pa pranuar kurrë një herë të ndalesh për t’i dhënë mundësi vetes të mendojë, analizojë, reflektojë. PS ka treguar se ka një instinkt vetërregullues në të tilla raste. Unë jam munduar ta njoh nga afër, brenda, të gjithë këtë marrëdhënie në PS, është e njëjta, nuk ndryshon nga kryetari. Shpesh them: Mos ia bëj kurrë borxh PS-së! Socialistët kam parasysh me këtë dhe kjo vlen për të gjithë, nga anëtari më i zakonshëm deri tek kryetari i PS-së, për mua pa diskutim. A ndihem unë i vlerësuar? Po! Mundësia për të punuar, shërbyer, ndërtuar nuk i jepet kujtdo në këtë vend, posaçërisht në këto nivele. Unë e kam një mundësi dhe jam mirënjohës për këtë. Nuk ka si vlerësimi për punën që bën! E kam mësuar në Divjakë këtë, mes myzeqarëve e prej tyre. Nuk ka punëtorë si ata, punën kanë, me punën rrojnë, për punën kërkojnë t’u shërbesh, punën duan t’u lehtësosh, punën duan t’u vlerësosh.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/07/14/rrefehet-brace-une-minister-bujqesie-4-vjet-qe-degjoj-llafe-por-bej-punen-pd-lsi-te-ikin-nga-qeveria-po-bejne-deme/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: