Policia bashkiake është e kudogjendur në kryeqytet duke ndalur shitësit ambulantë që shesin ilegalisht. Por, aksioni për të ndalur gjyshen që ka thyer rregullat ka shkaktuar një rebelim në rrjete sociale. Gjyshja po shiste qepë dhe spinaq të bahçes së saj kur ia ka behur policia bashkiake në kryeqytet dhe e ka penalizuar për shitjen ambulante.

Qëndrimi dhe shprehja e fytyrës që ka marrë në këtë foton të realizuar ka prekur shumë zemra.
“Shikimi i asaj nene, qe ka brenda vuajtje, deshperim, skamje dhe mbi te gjitha pafajesine e njeriut qe eshte aty per buken e gojes, vlen me shume se 1000 fjale, ndersa gjoba e atij bashkiakut nuk vlen asgje. Mos u merzit moj nene, behu e forte.
P.s. Njerzilleku zero”, shkruan aktori Julian Deda.

“Kjo Nënë ka dale te shesi dy tufa qep te njoma me idene qe te mbledhi ndonje lek per te martuar djalin”, shkruan personi që ka realizuar këtë foto.

Nuk mbetet pas dhe gazetari Bledian Koka.
“Mire ta bejne neno!…
Me qepet e saj te njoma, me spinaqin e saj, dhe me bohçen e saj te çapës së bukës kjo armike e ekonomise se Bashkise mori sot denimin e merituar!… Mire ta bene neno, e meritoje nje gjobe per veprimtarine tende obskurantiste kunder politikave fiskale te Bashkise qe eshte kthyer ne pune!…”

Pyetja që rëndon është; ‘Sa kushtojnë qepët e nënës dhe a e lajnë dot gjobën e vënë nga Bashkiakët?”

BASHKIA
Nuk ka vonuar shumë dhe Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me ngjarjen, duke sqaruar se për rastin e së moshuarës ishin ankuar banorët e pallatit. Vetë ministri Veliaj ka marrë përsipër të paguajë gjobën e vendosur ndaj saj.

“Lidhur me rastin e gruas së moshuar, e cila u gjobit sot nga Policia Bashkiake për tregtim të produkteve ushqimore në trotuar, duke bllokuar hyrjen e shkallëve të një pallati, Bashkia e Tiranës dëshiron të informojë opinionin publik se rasti në fjalë ishte denoncuar nga vetë banorët e pallatit, të cilët kërkonin lirimin e hapësirës nga shitësit që tregtonin prej kohësh produktet e tyre ushqimore aty, edhe pse vetëm pak metra më tutje ndodhet tregu i Njësisë Administrative nr.10, i cili aktualisht është bosh. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vendosur që ta shlyejë ai gjobën prej 500 lekësh, që Policia Bashkiake vendosi sot ndaj gruas së moshuar”.

Mandati i pageses

Sakaq, Bashkia e Tiranës gjen rastin të informojë dhe t’u bëjë edhe një herë thirrje tregtarëve që vijnë nga jashtë Tiranës, që për të tregtuar produktet e tyre të shfrytëzojnë një nga 16 tregjet ekzistuese të bashkisë.” Bashkia e Tiranës po punon çdo ditë për krijimin e më shumë tregjeve me standarde në higjienë e infrastrukturë, në mënyrë që askush të mos detyrohet të shesë më nëpër rrugët e trotuaret e qytetit. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të përurojë nesër tregun e parë të këtij lloji në Njësinë Administrative nr. 3, si dhe po publikon edhe hartën e 16 tregjeve (bashkëlidhur) që ndodhen në gjithë qytetin e Tiranës”.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb