TIRANE- Politika pastrohet me votë. Kështu ka deklaruar kreu i partisë ‘Sfida për Shqipërinë’ në aktivitetin me rastin e edicionit të katërt të Forumit të Tiranës për Lirinë Ekonomike. Gjergj Bojaxhi tha se një politikë e pastër nuk mund të arrihet vetëm me reformën në drejtësi, por me votë.

“Reforma në Drejtësi, publikisht është shitur si mënyrë për të pastruar politikën. Por, politika pastrohet vetëm me votë. Kjo klasë politike ka ndërhyrë vazhdimisht në kushtetutë, me pretekstin për të sjellë ndryshime. Por, për të ndryshuar gjendjen dhe problemet, duhet të heqim dorë nga kornizat artificiale të krijuara nga politika”, është shprehur ai në fjalën e tij.

Bojaxhi, anëtar themelues i partisë Sfida për Shqipërinë, preku edhe temën e korrupsionit që sipas tij nuk lejon që Shqipëria të jetë një vend parlamentar, duke u kthyer në një sistem i kontrolluar nga ekzekutivi.

“Korrupsioni nuk fillon kur një parti është në pushtet. Për mendimin tim fillon që në gjenezë, sesi është krijuar një parti nga brenda. Ne pretendojmë se jemi një Republikë Parlamentare, përkundrazi ne jemi një Republikë ku vendimet merren nga ekzekutivi, nga Kryeministri”, u shpreh Bojaxhi.

Në vijim të diskutimit, Bojaxhi deklaroi se shoqërisë i duhen antitrupa ndaj problemeve që ka, por populizmi nuk është ajo që duhet dhe gjithmonë ka ekzistuar. Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike organizohet çdo vit nga Instituti Europian Pashko. Këtë edicion tema ishte populizmi dhe rreziqet, me të ftuar të tjerë si Dalibor Rohac, studiues i American Enterprise Institute, deputetët Ervin Bushati, Mesila Dode, akademikë etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: