TIRANE- Një ditë pas grabitjes së dy blindave që transportonin paratë e një banke të nivelit të dytë, burime policore bëjnë me dije për “BalkanWeb” se i kanë hequr licencën Policisë Private të Sigurisë Fizike.

Mësohet se po sot e njëjta shoqëri kishte në axhendë transferimin e një tjetër ngarkese me para në Rinas, por kjo gjë i është refuzuar.

Kujtojmë se pesë grabitësve të veshur me kamuflazh iu janë dashur vetëm dy minuta që të neutralizojnë 2 mjetet e më pas të grabisnin të gjitha lekët.

Ngjarja
Ngjarja ndodhi dje në orën 11:30, në Qafë-Kashari, pranë rrugës për në Rinas. Pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh të zi arritën të merrnin nën kërcënimin e armëve një shumë nga 100 mijë euro deri në 2 milionë euro, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.

Pesë autorët pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para. Më pas ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë-Kasharit.

Skema e grabitjes
“BalkanWeb” mësoi dje se në momentin e përplasjes nga fuoristrada kanë dalë tre grabitësit, të veshur me kamuflazh të zi e kambale ushtarake dhe nën kërcënimin e kallashnikovëve, kanë detyruar shoferin e blindit dhe shoqëruesin e tij të zbresin. Makina shoqëruese, në të cilën ndodheshin forcat e sigurisë së shoqërisë private, nuk ka mundur të reagojë, pasi është goditur nga mbrapa nga një makinë tjetër po fuoristradë, në të cilën dyshohet se ndodheshin dy grabitës të tjerë. Këta të fundit, mëson “BalkanËeb” kanë dalë nga automjeti dhe kanë neutralizuar punonjësit e sigurisë. Vetëm njëri nga rojet private, ka mundur të largohet, me vrap nga vendi i ngjarjes. Dëshmitari shpjegon për “BalkanWeb” se grabitësit qëlluan me armë dhe kanë mundur të marrin 6-7 thasë me para.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb