Mauro Icardi është rikthyer më i fortë se kurrë pas dëmtimit, duke shënuar katër herë në ndeshjen me Sampdorian. Ai ka gjetur golin e 100-të me fanellën e Interit. Për të ka interesim të madh nga shumë klube, ku Real Madridi mbetet në krye të listës.

“Për rinovimin duhet të pyesni drejtuesit, pasi ata e dinë fare mirë se çfarë dua unë. Jam tifoz me Interin dhe dua të fitoj me këtë fanellë, por nuk jam Francesco Totti. 110 milionë janë pak? Ndoshta po, por unë dua të rri gjatë këtu dhe të fitoj me fanellën e Interit, ndaj nuk dua të mendoj për vlerën e klauzolës”, ka thënë Icardi.

Sulmuesi argjentinas tregoi se Massimo Moratti ishte i pari që e vlerësoi.

“Moratti besoi shumë te unë, duke më sjellë te Interi kur isha vetëm 19 vjeç dhe sapo kisha shënuar golat e parë në Serie A. Ta vesh fanellën zikaltër është një kënaqësi, ndërsa të mbaj edhe shiritin e kapitenit, është përgjegjësi dhe motivim akoma më i madh. Mendoj se kam personalitetin e duhur për të bërë kapitenin, por mbi të gjitha, më ndihmon fakti që jam zikaltër”, ka thënë sulmuesi i Interit.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb