Nga: BUJAR VANI
Kohëve të fundit bashkitë e vendit, nga jugu në veri, duket se janë vënë në garë me njëra-tjetrën kush e kush të institucionalizojë një “idhujtari” karshi të huajve, që në të vërtetë ngjan të jetë një sindromë epidemike mbarë popullore. Format janë të ndryshme, që nga vendosja e busteve në sheshe publike, emërtimi i rrugëve dhe shëtitoreve, titujt e “qytetarisë së nderit” e deri tek “çelësat e Tiranës” të dhëna pa hesap nga bashkia e kryeqytetit. Jo se ky fenomen nuk ka ekzistuar më parë, por nën shembullin e bashkisë së Kamzës, që për nga emërtesat e rrugëve i ngjan ndonjë guide të OKB, tashmë kjo është intensifikuar dhe pasuruar larmishëm nga të tjerat, duke u pasqyruar dhe si lajme “kulturore” në kronikat e ditës.

Me këtë nuk kemi aspak ndërmend të kontestojmë emrat apo personazhet në fjalë, që mund të jenë individë të nderuar e të respektuar në vendin e vet, apo të kenë qenë ndonjë moment të veprimtarisë e të detyrave të tyre edhe pjesëmarrës apo protagonistë në zhvillimet shqiptare, por të nxjerrim në pah fenomenin në fjalë, fenomen, i cili, në bashkëshoqërim edhe me reklamat, tabelat e lajmërimet e biznesit në turlifarë gjuhësh (me epërsi të anglishtes, kuptohet), është kthyer gati-gati në një normativë të mjedisit urban shqiptar, por mesa duket edhe në një normativë të mendësisë së përgjithshme të shoqërisë. Madje po kalohet në përshtypjen e “anakronizmit” dhe të “orientalizmit” për ata që ende ngulmojnë të përdorin gjuhën shqipe apo të shfaqen me vlera shqiptare figurativisht në mjediset apo shërbimet e tyre.

Pra, krijohet ideja (dikush mund ta interpretojë edhe këtë shkrim në këtë hulli) se në këto kohë “demokratike” ka një ndeshje mes “orientalizmit” dhe “oksidentalizmit” edhe në sferën e figurativitetit apo dekorit urban, e në këtë ndeshje ka epërsi të ndjeshme ky i dyti, tashmë edhe me mbështetjen e institucioneve vendore, ndërsa arkaikët, mbrojtës të vlerave shqiptare, po humbin terren dita-ditës. Në fakt, kjo “ndeshje” më tepër duhet parë si një betejë mes vetëdijes identitare të qytetarëve të një shoqërie kombëtare dhe vetëdijes apo nënvetëdijes mercenare të individëve të pangritur në rangun e qytetarit, duke të kujtuar postulatin e një filozofi të një shekulli më parë: “Madhësia e madhështia e një vendi nuk matet me numrin e banorëve që e popullojnë, por me numrin e qytetarëve që ka”.

E kur stigmatizojmë vetëdijen e kësaj kategorie si “mercenare”, nisemi nga një kriter dallimi me dukuri të tilla si kozmopolitizmi, ksenomania etj., pasi këto të fundit mund të jenë prirje normale në një shoqëri, në kundërpeshë të ekuilibruar me prirjet e tradicionalizmit e ksenofobisë, duke sjellë dhe simbiozën e nevojshme në zhvillimin civilizues e kulturor të një vendi. Ndërsa vetëdija mercenare nuk sjell civilizim, ajo është përherë në kërkim të shprehjes së zellit shërbyes, të shfaqjes së mllefit e mosrespektit për veten, të demonstrimit të të qenit individ apo turmë pa identitet apo me identitet inferior. Në këtë kontekst, individët me vetëdije të tillë nuk e kanë problem që të kalojnë nga idhujtaria për Leninin e Stalinin, tek ajo për Uillsonin apo Klintonin; nga mbjellja e “pemës së Hrushovit” te puthja e gomave të makinës së Bejkerit; nga emërtimi i rrugëve me emra komunistësh të huaj ateistë, tek emërtimi i rrugëve e shesheve me emra papësh me kombësi të huaj; nga dekori kinezëror e gjuha ruse, te dekori oksidental e gjuha angleze. Dhe në këto kalime pindarike shihet një kujdes i madh që të mos kenë asnjë stacion reflektimi ku të ndalen tek vlerat e shoqërisë së cilës i përkasin, a thua se shprehin në këtë mënyrë një urrejtje patologjike për të.

Natyrshëm që në këtë vërejtje jemi larg të qenit refraktarë në promovimin edhe të elementit të huaj, sidomos të atij që mund të ketë kontribute edhe për vendin tonë. Por përherë ka një raport të drejtë në këtë drejtim. Në shembullim të kësaj, po sjellim kriterin e vendosjes së shtatores së Skënderbeut në Bruksel, e cila nuk mund të kalonte në përmasa, por duhet të ishte më e vogël se shtatoret e personazheve vendas. E pra, Brukseli nuk mund të quhet as ksenofob e as “anadollak”, madje është kryeqyteti i Europës. Apo më tej për kriterin e gjuhës së përdorur nëpër tabela e reklama biznesi, kujtojmë fushatën e ndërmarrë në Francë vite më parë për të ndërruar deri dhe emrin “Coca-cola” në frëngjisht!

Po në lidhje me raportin, mund të themi se vërtet ka rrugë e sheshe me emrin e Skënderbeut në shumë vende të Europës, por asnjëherë ndër ato kryesoret e qyteteve, të cilat u rezervohen personaliteteve vendas. Ndërsa në Tiranë kemi edhe Bulevard “Zhanë D’Ark”, edhe sheshe kryesore “Uillson” apo “Ataturk”, kemi edhe shtatore të huajsh që kapërcejnë në përmasa ato të shqiptarëve, kemi edhe sheshe “Italia” apo “Bukuresht” etj., pa folur për emërtimet e rrugëve, apo për sheshet dhe mjediset e tjera urbane nëpër qytete të tjerë të Shqipërisë.

Ndërsa, si për të vërtetuar se këtij vendi i mungojnë “qytetarët”, mjafton të evidentohen listat e “qytetarëve të nderit” nëpër njësitë vendore për të parë epërsinë e personazheve të huaja kundrejt atyre shqiptarë. Ndërsa “Çelësi i Tiranës” është shumëfishuar dhe dhuruar në aq kopje, sa ka zhvlerësuar tej mase vetë “Portën e qytetit”, duke të kujtuar drynat proverbialë të Shkodrës…
E kur kujtuam shqetësimin dhe fushatën franceze për ndryshimin deri të emrit nga “Coca-cola” në frëngjisht, për të frenuar prirjen kozmopolite të dekorit urban, por dhe zhvlerësimin perspektiv të gjuhës vendase nga fryma globaliste, nuk mund të mos pretendojmë që një nismë e tillë të marrë udhë edhe te ne, aq më tepër që si vend më i vogël dhe me popullsi më të vogël se Franca, gjuha dhe kultura vendase është shumë më e rrezikuar. Në këtë kontekst, sjellim ndërmend një episod nga “koha e Zogut” në Shkodër. Një tregtari që kishte vënë mbi dyqan një tabelë në serbisht, i vinte përditë xhandari dhe i vinte gjobë se e kishte dyqanin të papastër, edhe pse dyqanxhiu kujdesej fort për pastërtinë. Pas këshillave të tregtarëve të tjerë, ai e ndërroi tabelën në shqip dhe e la dyqanin pa pastruar. Xhandari që erdhi si zakonisht hodhi sytë mbi tabelë dhe i tha: “Sot po, sot dyqani është i pastër!”.

Natyrshëm që ithtarët e globalizimit apo ajo kategori “mercenare” që thamë, edhe në këtë rast mund të luajë me kartat e “lirisë” e “të drejtave të njeriut”, por ruajtja e gjuhës dhe e trashëgimisë edhe në dekorin urban nuk ka lidhje me këto postulate propagandistike që ngrihen si mjegull hera-herës për të mbuluar dhe stimuluar dukuri që dëmtojnë tërësinë identitare të shoqërisë. Institucionet vendore duhet t’i kushtojnë vëmendje edhe kësaj dukurie, aq më tepër që ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës është edhe një detyrim kushtetues. Edhe pretendimi pa shtrat, në këtë drejtim, se bizneset përdorin gjuhën e huaj për ta kuptuar turistët, që janë një prioritet i politikave qeverisëse, bie poshtë nëse shohim grupe turistësh urbanë që më tepër vizitojnë zgarat apo qebaptoret “orientale” sesa restorantet apo butikët “oksidentalë”.
Ndjehet e nevojshme një “reformë” edhe në këtë drejtim, qoftë edhe në zbatim institucional kushtetues, por edhe si reflektim i vetëdijes identitare të shoqërisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: