TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për herë të parë sot në emisionin “Studio e Hapur” në News 24 se per vendimin e marrë nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin u kërkuan prova që e lidhnin me përgjimet e trafikantëve të drogës, ka pasur 100% mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, çështja është tërësisht në duart e drejtësisë dhe nëse vërtetohen akuzat për Tahirin ai do t’i duartrokiste.

“Të gjithë ata partnerë ndërkombëtarë që kanë ndjekur çështjen janë 100% dakord për mënyrën se si kemi proceduar. Jetojmë akoma në një shtet demokratik”,- deklaroi Rama.

E ndërsa nuk pranoi të komentonte gjetjen e patentave të Tahirit ne mjetin e biznesmenit të arrestuar në Elbasan, Rama tregoi edhe faktin se nuk ka folur me Saimir Tahirin që nga koha kur dosjes së tij iu shtua edhe çështja e patentave.

A ke folur me zotin Tahiri pas çështjes Sota?

“Jo nuk kam folur”,- u përgjigj Rama.

Gjatë intervistës kryeministri vazhdoi të mbronte idenë e tij se pse mediat në vend janë të pabesueshme. I pyetur nga Eni Vasili se pse gazetarët janë për t’ju qarë hallin, Rama me një gur qëlloi dy zogj. Ai u shpreh se sot në opinionin publik, mediat janë po aq të pabesueshme sa dhe gjykatat.

INTERVISTA E PLOTE

Kaq shumë nuk ju pëlqejnë kritikat?
Kur isha në shkollë, rrija në fund kur bënim gjimnastikën e mëngjesit, ai që drejtonte gjimnastikën ma bënte me gisht mua, pse nuk i bën lëvizjet si duhet pavarësisht se të tjerët ishin përgjumësh. Por është efekti i gjatësisë që të vë në qendër të vëmendjes. Ka ndryshim të madh mes kritikës dhe shpifjeve të pabazuara. Kush më njeh e di që unë stimulohem nga kritikat dhe kundërshtimet në diskutim, por kritikat ngrihen mbi ide, ndërsa balta e shpifjeve nuk është kritikë. Ka gjithnjë një moment kur duhen thënë disa të vërteta, që s’janë absolute por janë të miat. Nuk janë strategji për të denigruar ndokënd, por është e vërtetë, për të cilën gjithkush ka arsyet e veta, por këto i kam dhe unë, jo vetëm ju.

Media e vendit tuaj është e pabesueshme, gazetarët për të qarë hallin? Pse t’ju besojmë juve për këtë që thoni?
Bëji një pyetje vetes, se pse ajo që thashë unë në konferencë nuk skandalizoi askënd. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur nëse edhe kryeministri shpreh opinione. Bëni një anketim e do çuditeni, sot në opinionin publik mediat janë po aq të pabesueshme sa gjykatat, niveli më i ulët i besueshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Këto janë fjalët e mia. Ju s’jeni të detyruar t’i merrni për të vërteta, por ju ftoj të pyesni publikun, të merrni opinionin e tij lidhur me besueshmërinë e mediave, dhe do nxirrni konkluzione vetë.

Mediat e kanë një mënyrë për të bërë sondazhet e tyre…
Audienca nuk është kriteri më i mirë për të kuptuar besueshmërinë. Unë flas për mediat në tërësi. Nëse ju do t’i drejtoheni opinionit publik me një anketim serioz, do të kuptoni se ajo çka unë them nuk është larg përceptimit të opinionit publik për mediat. Janë sot po aq të pabesueshme sa gjykatat, që janë niveli më i ulët i besueshmërisë të qytetarëve te këto institucione. Në botën e medias, jo çdo gjë është për t’u hedhur poshtë. Ka shërbime të mira ndaj publikut, por është njësoj si ato materialet e vlefshme në një kazan ku shumica e gjërave janë për t’u hedhur.

Ju keni bërë sondazh sa i besueshëm jeni?
I kam bërë, por nuk më takon mua ta them. Por po ua përsëris, mediat janë sot po aq të pabesueshme sa gjykatat. Nuk ju kërkoj ta besoni këtë gjë, nuk keni nevojë të konsultoni sondazhet e mia, por të bëni tuajat.

Ky është qëllimi t’i delegjitimoni ato?
Nëse ka diçka në punën time, është që të bëj më të mirën. Nuk përbën objektiv për mua, krijimi i një klime negative për një fushë të caktuar. Nuk është ky qëllimi im. Nëse unë shpreh një opinion, ju duhet ta merrni si të tillë, dhe si një të drejtë që ju nuk ma hiqni dot, dhe as ma shkelni dot. Unë ju siguroj, ka vetëm një bumerang që unë i trembem, atij të vendimeve dhe veprimeve të mia, që në këtë punë që bëj janë të panuërmta, dhe duke bërë këtë punë, jo gjithmonë je në kushtet që të mos gabosh. Bumerangu nga veprimet e mia është e vetmja gjë që unë shqetësohem. Të bësh këtë punë nuk është aspak diçka që lidhet me rehatinë, apo të bërit të gjërave me siguri. Kjo është një punë që ka një kosto të jashtëzakonshme shpirtërore, fizike dhe mendore, në kuptimin e një stresi që është permanent. Patjetër që në këtë punë është e rëndësishme që të bësh gjënë e duhur dhe të drejtë.

Unë nuk kam shpifur kurrë. Kurrë nuk e kam parë shpifjen si instrument politik. Nëse kam fyer dikë, nuk ka qenë ky qëllimi ynë. Ajo që është themelore, është se unë përpiqem të jem as më i vërtetë, në gjithçka shpreh. Kam dhënë opinionin tim, dhe atyre që kam thënë, nuk i heq asnjë presje.

Skandalet e mëdha në Shqipëri a nuk i ka denoncuar media? Si për shembull fushat me kanabis?
Unë flas për gjendjen e medias dhe kam thënë atë që kam meduar.

Nuk jeni përgjegjës se po krijoni psikozë anti-media?
Unë kam një mendim timin, që e kam bindje të fortë. Këtë publik, shqiptarët nuk ka asnjë forcë që t’i bësh për budallenj. Nuk i bën dot të mendojnë në një formë të caktuar duke i manipuluar. Unë nuk kam asnjë fuqi ta bëj këtë. Mbi të gjitha nëse mediat do të ishin të besueshme në sytë e publikut, do ishte ajo që ju e quajtët bumerang për mua. Nuk është ky qëllimi im.

Ju sulmuat Top Channel
Nuk e kam sulmuar

Ju i keni dedikuar një status në facebook
Këto janë të pavërteta. Nuk e kam quajtur ish-media të madhe, kam ekspozuar një fakt të po asaj dite ku shpreh keqardhje. Nuk i kam mbështetës a kundërshtarë kanalet mediatike. Nuk kam pasur qëllim të sulmoj një media apo gazetar në mënyrë të qëllimshme për ta delegjitimuar apo fyer.

Konflikti juaj me Top Channel, u pasua me heqjen e Sokol Ballës. Opinion për këtë, a ka pasur një lidhje?
Janë teori konspiracioni. Prodhojnë argumenta për atë që unë e quaj kazan. Publiku vetëm fiton nga ballafaqimi i të vërtetave. Kur unë shprehem, flas me të vërtetat e mia. Publikon shikon, gjykon, vendos. Nuk i shmangem kurrë të vërtetave të mia

Ju cituat në konferencën per median e lirë një gazetar polak: “Fjalët vrasin para, pastaj vinë pushkët”
ERTV është një video pasqyrim në Facebook i aktiviteteve të mia, dhe ndonjëherë i aktiviteteve të Lulit, nuk informon publikun për gjithçka ndodh. Nuk është kanal që konkurron me kanalet e tjera, apo t’i zërë vendin. Nga ana tjetër ajo që thotë gazetari i famshëm lidhet me peshën që ka fjala. Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Shfrenimi i gjuhës në arenën e debatit politik, por pastaj i pasur si një bisht në arenën e debatit mediatik është një arsye për të qenë të shqetësuar. Sepse media ka edhe një rol tjetër, që publikut t’i bëjë me dije disa vlera që kur i shkelin politikanët, të ndjehen keq, dhe jo në shoqëri të madhe, se këtu kushdo nxjerr gjuhën në ekran, mund të shpifë akuzojë pafund. Duke e bërë Shqipërinë të duket ajo që nuk është. Shqipëria nuk është atdheu i të gjitha të zezave, i drogës, korrupsionit etj. Edhe po ekzistuan këto fenomene, ka të tjera gjëra që meritojnë respekt në vendin tonë. Media ka përgjegjësinë e vet për këtë.

Cfarë qëllimesh ka media për ta nxirë situatën?
Patjetër ka qëllime, por për të vrarë një njeri nuk duhet patjetër kriminel, mjafton edhe një mjek i paaftë. Ka në media gjobaxhinj, shumë gjoba që janë si ato gjobat mafioze që dërgohen me kode. Publikut i jepet si shqetësim i madh për një çështje, ndërkohë që i dërgohet mesazhi dikujt, që na jep këtë ose do vazhdojmë të bëjmë këtë. Ka ardhur një kohë që dera nuk hapet më me këto mesazhet e koduara, që ne do të të bëjmë zi ty para publikut, nëse ti nuk na jep këtë.

Ju ka ndodhur personalisht juve një shantazh i tillë?
Nuk kam ardhur këtu të flas në funksion të asaj që ju e quajtët goditja e njërit apo tjetrit. Unë kam ardhur këtu të flas për fenomenin. Të jetë për mua, çdo pronar dhe çdo media të jetojë 100 vjet e gjemb mos t’i hyjë në këmbë. Edhe unë kam qenë pjesë e një rrethi që gjerë për median e lirë në vend.

Pse vishet Rama si asnjë tjetër kryeministër në Europë me poture?
Do i quaja shallvare, më habit fakti që akoma nuk janë mësuar me mua. Kur isha në shkollë shkonim me tren në plazh, njerëzit hidheshin nga treni sa afroheshin në stacionin e plazhit. Pse? Se dilje dhe ishin dy radhë…ajo më kujtohet sa herë flasin si u vesh, pse u vesh, dy radhë njerëzish në të dyja anët me gërshërë në duar dhe shikonin të rinjtë nga pantallonat. Kishte dalë flama kundër pantallonave kauboj. Ua fusnin gërshërën, iu çanin pantallonat dhe për flokësh i çonin në polici. Ajo kohe ka vdekur

Ju s’jeni njeri i thjeshtë, jeni zgjedhur kryeministër… ka një protokoll
Mos u shqetëso për protokollin, nuk shqetësohen as ata që e kanë krijuar protokollin. Këtu bëhen më katolik se Papa

Po jeni bërë lajm gjithandej..
S’ka pasur asnjë lajm pse ky me këto, pse me ato. Dhe të jeni e sigurt unë di çfarë bëj. E kam pasur ëndërr t’i kemi një palë të tilla kur pashë kostumet e myzeqarëve. Shyqyr që erdhi koha i bëra. Tani do merreni edhe me pantallonat e mia

Ju i bëni, nuk i bëni kot e thatë vetë…
Po të vishej Saliu kështu edhe unë do thosha çfarë pati.

Çfarë kërkoni të na komunikoi me stilin tuaj?
Keni parë ndonjë kryeministër 198 cm? Keni parë ndonjë tjetër që quhet Edi Rama dhe flet shqip? Ky jam unë. Njerëzit më njohin. Ma kanë dhënë besimin se s’ua kam marrë votën t’ju imponoj si vishem por për të bërë punët për të cilat më kanë besuar

Keni pasur komente në rrjetin social për këtë veshje?
Aty komentohet çdo gjë. Populli që voton është shumë më shumë se ata që kanë kohë e nerva për të bërë cicmice në rrjet.

I planifikoni veshjet para se të shkoni në takim zyrtar?
Jo nuk i planifikoj, por të jesh e sigurtë se nuk stonoj.

Takimet në shtëpitë e qytetarëve apo fshatarëve, i ngjan filmit kur diktatori vizitonte shtëpiat e tyre. Ju pse i bëni këto? I flisni kujtesës kolektive?
Kam keqardhje për kujtesën tuaj kolektive. Së pari diktatori nuk shkonte kështu në shtëpia. Është karikaturë e diktatorit por nuk bënte kështu. Përpjekja për të kategorizuar këtë që unë e bëj e që më jep kënaqësi, tregon përbuzje ndaj atyre njerëzve. Nëse ka disa gjëra që mua më japin kënaqësi, energji, sens të dobishmërisë në këtë  punë, nuk është kjo që po bëj me ju tani, është ajo që bëj atje. Nëse ka një gjë që e bën politikën pasiononte janë njerëzit, ndërveprimi. Për një kryeministër këto takime janë ilaç i shkëlqyer për të qenë vazhdimisht në kontakt me realitetin. Nuk shkoj në restorante, shkoj vetëm me Lindën, Zahon, e njerëz të afërt. Unë mora dhe projektin që ata kishin dhe projekt, dhe kjo është një zgjidhje që nuk zgjidh gjithë problemet e Shqipërisë, por të atyre njerëzve atje. Unë i bëj këto sepse i kam të nevojshëm dhe besoj se sa më shumë ne njerëzit e politikës të bëjmë nga këto, aq më shumë ne në vendimet tona dhe në planifikimin tonë për të nesërmen do të jemi me këmbë në tokë.

Për shumë të tjerë ky është teatër. Për shembull rasti i atij fëmijës së vogël….
Një tjetër manipulim i pandershëm në fakt, sepse e vërteta është krejt ndryshe. Unë e mora në krah atë djalin dhe ai donte të shkonte të e ëma. Dhe unë i thashë ti qenke si Zaho se sa e marrin në krahë të tjerë kërkon të shkojë te mami.

Po ju e pastruat xhaketën…
Po normal që do ta pastroja baltën.
Më tha ajo gruaja do ju bëjë me baltë. Dhe unë i thashë s’ka problem. Por ky është një moment shumë i vogël, por domethënës. Dhe kur e bëni këtë manipulim me një detaj kaq të vogël, imagjino çfarë bëni me çështje të mëdha.

Ky stil komunikimi me kundërshtarët politikë, duke mos marrë përgjegjësi me vete, duke pasur parasysh që jeni aktor i politikës në 20 vite, dhe fajin ia vini të tjerëve?
Unë kam përgjegjësinë time nga dita kur mora këtë detyrën, s’kam faj unë se si është qeverisur më përpara. Se kam qenë në politikë për 19 vjet, s’kam unë përgjegjësi se si është qeverisur vendi. Nuk akuzoj gjithnjë të tjerët. Unë flas me referencë për gjërat që bëj.

Keni demaskuar edhe median italiane gjatë takimit tuaj në Bulqizë…
Demaskim thotë kjo…E di çfarë më kujton kjo, një herë në lidhjen e shkrimtarëve isha në atë fazën e rebelimit tim akut, i ndjeri Dritëro Agolli drejtonte mbledhjen, unë e ngrita dhe bërë një deklaratë. Ai tha një shprehje: Liria është armë dhe arma jepet me leje. Pra, kështu ishte ajo kohë, armën e lirisë partia e jepte me leje sipas biografisë. Ndërsa në kohën tonë demokracia ia jep kujtdo, pra gjuha kocka s’ka por kocka thyen, mënyra se si transmetohet nga mediat tek publiku është një gjuajtje në ajër. Sa për reportazhin unë nuk e kam parë vetë, unë e mora si informacion. C’ka kam thënë është se rastet janë sporadike. Mu kujtua historia e një reportazhi tjetër që është bërë për kanabisin kur gazetarët paguanin njerëz që të gjuanin ne kallashnikov, unë pa e parë fola me një paragjykim, kam bërë gabim për sa i përket reportazhit në fjalë e kam bërë padashje, kam gabuar.

Pak javë pas ardhjes së dosjes “Habilaj”, një tjetër skandal ka goditur ish-ministrin tuaj të Brendshëm. Dy patentat e Saimir Tahirit u gjetën në makinën e një biznesmeni në Elbasan, i cili u kap me 863 mijë euro të pajustifikuara. Ju s’keni folur për këtë çështje…
Për çfarë duhet të prononcohem unë. Kjo është një çështje që i takon ekskluzivisht Prokurorisë, nuk më takon mua, nuk i takon qeverisë, nuk i takon PS. Jam konsekuent në atë që kam bërë gjithmonë, dhe që kam thënë që në ditën e parë, që është drejtësia që duhet të na thotë të vërtetën. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kjo është një çështje që i takon Saimir Tahirit dhe avokatëve të tij. Unë nuk jam avokat i Tahirit, as qeveria nuk është avokat i tij, dhe as PS nuk është avokat i tij. Përpara drejtësisë duhet të sillemi të gjithë si të barabartë. Ndërkohë nga ana tjetër, sigurisht kam parë dhe kam dëgjuar, por as kam parë dhe as kam dëgjuar asnjë përpjekje për një shpjegim racional për këtë çështje nga ata që kanë të drejtën dhe detyrën të flasin që janë njerëzit e medias. Nuk i takon politikës sipas meje që të futet në mes, aq më tepër kur rasti është i tillë..

Pate ndjesi personale?
Ndjesi konfuzioni, mund të jetë e rëndë por edhe krejt pa lidhje. Çfarë komenti duhet të bëj unë…

A ka shumë koincidenca në këtë ngjarje zoti Kryeministër?
Kjo s’është detyra ime, s’do hy të komentoj në është e çuditshme apo nuk është e tillë. Unë e kam parë gjithmonë më përbuzje të hy në të tilla gjëra. Nëse duam drejtësi, kur vjen puna edhe tek ne vetë duhet ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vetë.

Ju nuk e latë zotin Tahiri në duart e drejtësisë…
Ky është një tjetër argument që më vërteton se media është kthyer në një tjetër kazan pa u bazuar në fakt. Ne e lamë çështjen në duar të drejtësisë. Ne pranuam 1, 2, 3, 4 kërkesa, për arrestimin s’kishim argument të qenësishëm që ta pranonim. Është e para herë që një parti politike në qeveri nuk bën asnjë lëvizje, asnjë fjalë, ndërkohë që është në proces një figurë e rëndësishme e saj, po ju kujtoj s’ka ndodhur kurrë. Saimir Tahiri është jashtë grupit, jashtë forumeve është një deputet i lirë. Kjo është përgjegjësia politike

Pse duket sikur ka dy standarde në këto çështje? Përshembull gjyqtari Shkëlqim Miri u kap dhe u fut në burg pas përgjimit të dy kriminelëve, ndërsa Tahiri jo…
Kjo është për të vënë duart në kokë. Është një rast i ndjekur prej shumë kohësh nga Prokuroria është lidhur përgjimi me provën

Ju nuk e latë kontrollin në banesën e Tahirit…
Kush e tha këtë, o zonjë mos flisni përçart! Vendimi i kontrollit të banesës nuk jepej atë ditë por kur të mblidhej seanca e parlamentit, të cilën rregullorja thotë në këto raste mund ta thërrasë kryetari edhe brenda një muaji, por u thirr që në rastin më të parë

Unë kam të drejtë në atë që them, morët kohë për të bërë kontrollin

Jo s’keni të drejtë, është tjetër arsye pse thuhet që media është një kazan

Pse të nxituara?
Po të përsëris në rastin e gjyqtarit kemi një përgjim

Ato që quani ju provë, gjykata ende nuk e ka cilësuar të tillë
Prokuroria shkon dhe jep masën, shkon dhe arreston me një vendim. Ka marrë nga gjykata vendimin për të shkuar për të arrestuar. Në rastin e Tahirit ishte krejt tjetër

Pra me dy standarde…
Mos më sillni këtu në tryezë llafet e kazanit, kurrë askush nga ne në shumicë qeverisëse s’kemi anatemuar askënd as për tropojan as për irlandez. Të gjithë ata partnerë ndërkombëtarë që kanë ndjekur çështjen janë 100% dakord për mënyrën se si kemi proceduar. Jetojmë akoma në një shtet demokratik.

A ke folur me zotin Tahiri pas çështjes Sota?
Jo nuk kam folur.

A keni ju një ide për këto që po ndodhin me ish-ministrin Tahiri?
Unë mund të kem shumë ide, si çdo njeri për një çështje të caktuar. Por nuk marr guximin të them ide, duke krijuar insinuata. Nuk mund të bëj atë që bëjnë mediat. Dalin aty, dhe thonë po doli kjo gjë, dhe ky është fajtor tani. Media e ka dhënë tashmë gjykimin e saj, që këtu bëhet fjalë për një kriminel, kolegë tuaj e kanë thënë këtë. Me paturpësinë më të madhe. Nuk jam unë që mund të flas për situatën, apo rastin me patentat e gjetura. Vetëm media mund ta bëjë këtë. Mund të futet në mes. Nuk kam parë apo dëgjuar asnjë mënyrë argumentimi, për këtë gjë.

A është e vërtetë që ju dinit gjithçka për Tahirin që para se ta largonit nga qeveria..
(Heshtje)

Kaq e vështirë është të përkthehet dosja e ardhur nga Italia?
Unë kam përkthyer ca faqe, dhe më është dashur ca kohë. Nuk besoj se kjo përbën një ngërç.

Nuk vazhdon hetimi sepse po pritet përkthimi i dosjes…
Po si ka mundësi që hetimi filloi që me botimin e ca pjesëve në italisht edhe në media, dhe tani qenka ndalur hetimi sa të përkthehet dosja. Kjo gjë nuk përbën sens për mua.

Ç’mendoni për komentet, si “Tahiri ish-ministri më i korruptuar”, apo “ish-ministri më i përndjekur”…
Do të zbardhet kjo ngjarje, e pastaj do të flasim për këtë hit parade. Por di të them se ka të tjerë mbi të cilët rëndon gjaku i njerëzve të vrarë, rëndon gjaku i njerëzve të djegur, ka të tjerë që rëndojnë akuza për sasi të mëdha parash. Pavarësisht të gjithave, nuk ka lidhje kush është më shumë apo më pak korruptuar, se nuk jemi në këtë garë. Dhe nëse Tahiri është siç thuhet në këtë version, atëherë patjetër që është turpi më i madh i familjes së PS në 30 vjet. Por ama nga ana tjetër, është edhe versioni tjetër, që e vërteta mund të jetë krejt ndryshe. Por këtë nuk jam unë që e vendos. Politika e një vendi që pretendon të anëtarësohet në BE nuk e bën kurrë këtë që bëri kjo opozitë sot. Kjo opozitë sot po sulmon shtetin, po sulmon bankat. Asnjëherë më parë nuk i është thënë popullit që sistemi bankar në vend është një lavatriçe që pastron para.

Nëse faktohen akuzat çfarë do bëni?
Nëse faktohen akuzat unë do të duartrokas i pari suksesin e prokurorisë. Nuk o ishte hera e parë e politikës, që një ministër i suksesshëm qëlloi në një shkelje fatale të ligjit. Dhe fataliteti është i tiji, nuk është as i imi, as i qeverisë.

Pra është përgjegjësi personale.
Po. Pse çfarë është?

Përgjegjësi politike zoti kryeministër.
Çdokush që kalon moshën e parashikuar nga ligji është përgjegjës për veprimet e veta. Është njësoj si t’i thuash një prindi për fëmijën e tij të rritur se mban përgjegjësi për veprimet e tij.

Ju thatë që lufta ndaj kanabisit ka dhënë rezultat…
Për situatën me kanabisin kemi marrë përgëzime nga të gjithë ata që janë me sytë katër, ndërsa në vendin tonë vazhdon historia e përbaltjes. Tashmë të gjithë duhet të ndihen të çliruar së lufta ndaj kanabisit është një sukses. Nuk ka vend tjetër në botë, ku njëri palë të hedhë gjithë llumin e mllefit për vendin e vet. Nuk fitohen zgjedhjet duke u përpjekur të diskreditosh vendin tënd tek të huajt.

Ambasadori Lu gënjen për 4 klane mafioze dhe 20 familje…
Kur të vijë ambasadori Lu pyeteni. Unë po flas për luftën ndaj kanabisit, po them që ndërhymë në Lazarat, dhe ngritëm një polici që ishte përtokë. Nuk ka asnjë grup kriminal nga këto që ne kemi skeduar, që janë krijuar mbas 2013. Janë të gjitha të krijuara shumë kohë më përpara.

A ka patur një marrëveshje mes teje dhe Visho Ajazit për largimin e tij nga SHISH?
Mua nuk më pëlqen kur më duhet të flas disa gjëra copë, kur vjen fjala të puna e mediave. Këtë ide e krijoi opozita dhe kazani që zjeu përsëri duke thënë i bëri presion. Ja do të marrë gjithë pushtetet ky. Ja mori dhe një pushtet. Kjo iu tha publikut, nga ata që janë këtu për ta sqaruar këtë situatë dhe për të thënë fakte. Dhe pasi ai u bë ambasador në NATO doli tjetra, ja pazaret, e shiti, e bleu. Dhe kjo është ajo që unë them. Kazanët e marrin esencën nga PD që është kampionia e vjeshtës për këtë histori, pastaj e zien. Ajazi ka ardhur tek unë para disa muajsh, dhe më ka kërkuar ta mbështes për një detyrë në NATO, pasi NATO kishte hapur një konkurs për Shef programesh për mbrojtjen Kibernetike, dhe ai ka kërkuar një referencë nga qeveria shqiptare. Ai synonte këtë pozicion duke u bazuar tek fakti se koha e tij në këtë detyrë ishte drejt përfundimit, dhe ne i dhamë gjithë mbështetjen. Do të ishte një krenari që një shqiptar, pavarësisht se ku ka punuar, do të merrte një pozicion të rëndësishëm në një institucion të NATO-s. Pra historia e largimit të Visho Ajazit nga Shërbimi fillon më përpara, me vetë iniciativën e tij. Dhe krejt normalisht, unë nuk jam një kryeministër që do të ndjehesha mirë nëse Drejtuesi i Shërbimit Sekret të Shqipërisë, të dilte në rrugë i papunë. Kjo nuk është e denjë për shtetin. Kemi lënë rrugëve shumë figura. Ajazi më ka dërguar një letër dorëheqje që unë nuk e kam bërë publike, se nuk jam këtu për të provuar sa banalitete prodhoni ju çdo ditë, apo si PD ata të tjerët, por më ka dhënë një dorëheqje të denjë. Dhe nuk ka qenë absolutisht një pazar apo detyrim i imi.

Deklaratë e fortë për 4 familjet mafioze që kontrollojnë 20 klane

Krimi i organizuar në Shqipëri është i instaluar kohë më parë. Dhe është larg së qenit krimi i organizuar i filmave, i krimit italian. Nuk është aq i sofistikuar dhe i gjithëpushtetshëm, dhe ne i kemi të gjitha kapacitetet për ta shkatërruar. S’po themi që s’do kemi më krim, se krim ka kudo, në Amerikë e kudo. Po të shihni shifrat e drogës në SHBA, janë marramendëse.

Marrëdhëniet me ambasadorin Lu?

Shumë të mira. Nuk jemi në afatet e vlerësimit, se presim të arrijmë disa rezultate të tjera. Pa SHBA dhe pa këtë, reforma në drejtësi dhe Vettingu, do ishte më vështirë të bëhej.

Basha: Programi 1 mlnd dollarë, programi i krimit
Luli nuk di çfarë flet. Ka shqiptar këtu, qoftë dhe demokrati më i madh, ta hajë këtë broçkull? Kjo është t’i thuash shqiptarëve o budallenj, se nuk e hëngrët me kanabisin, tani do e hani me krimin e organizuar.

Taksat, nga 1 prilli, regjimi për biznesin e vogël? A ka rritje taksash?
TVSH është detyrim që e paguan konsumatori final. Po mirë më këta shqiptarë që janë shumica, që paguajnë energjinë, ujin, të gjitha detyrimet, budallenj janë këta?

A është akti i fundit i marrëveshjes me Bashën kërkesa e PS për shkarkimin e Klement Zgurit?
Për mua ajo marrëveshje është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur vendit. Sikur forcat politike të bënin më shumë bashkërisht dhe me pak në këtë luftë absurde llogoresh Shqipëria do ishte më e mirë. Këtë e tregon çdo njeri që shihni në rrugë. Fatkeqësisht Luli nuk është lider dhe nuk u bë kurrë lider. Ajo marrëveshje ishte i vetmi akt lidershipi që ka bërë. Po të ishte për interesin e ngushtë dhe për pushtet nuk e bëja atë marrëveshje. Ne i kishim garancitë dhe të ndërkombëtarëve, amerikanët u dorëzuan. Unë shkova në atë takim nga Elbasani për t’i dhënë shansin e fundit Shqipërisë, që të mos hynim në një proces ku do fitonim 100 deputet. Ishte dhe një shans për Lulin që të bëhej lider. Pas atij akti s’ja doli të bëhej lider. të merrte përgjegjësinë e humbjes. Me këtë rrugë po thellon gropën ku ka rënë disa herë e do zhytet edhe më thellë.

A vdiq marrëveshja juaj me atë që po kërkoni për Klement Zgurin?
Për këtë duhet të pyesni varrmihësin, unë i them ta shikojë mirë, ti bëjë pak frymëmarrje me gojë dhe të mos e varrosë. Se do jetë fundi i kësaj përpjeke për të fituar diçka Luli në të ardhmen. Kjo lloj beteje është një sorrogato e betejave që bënte dikur Sali Berisha.

Gjëja që ju bën më krenar në jetë?
Zaho Rama

Për çfarë do mbaheni mend në politikë?
Nuk e di. Di se për çfarë dua të mbahem mend dhe jo se për do të mbahem. Dua të mbahem mend si njeriu që bëri çfarë mundi për ta bërë vendin më të mirë. Shumë mendojnë se të jesh në majë është rehatllëku madh, por të jesh në majë, do të thotë të jesh vetëm, do të thotë të përballesh me të gjitha erërat, e s’ke ku të fshihesh. Është punë me kosto të madhe. Të largon nga njerëzit me të cilët do doje të rrije. Të bën të rrish me persona që s’do i thoshe as mirëmëngjes. Të konsumon fizikisht, ja shiko (tregon flokët), por është dëshira njerëzore për të lënë gjurmë në jetën e njerëzve. Politika është pasion për mua, s’është për të bërë para, e të jetosh në luks.

Si ka mbetur marrëdhënia me Fatos Nanon?
Nuk është si ka qenë atëherë, është ndryshe por është e bukur në një mënyrë tjetër. Ai nuk ka pasur fatin të ketë një paraardhës nga arena që ta këshillojë. Unë e pyes për këshilla të vlefshme.Unë pyes kur dua të dëgjoj. E pyes dhe është fat që ke një paraardhës që ka kaluar në të njëjtën rrugë që e njeh fushën e betejës por e sheh nga lart. Më kujton atë personazhin e Heminguej tek “Plaku dhe Deti” për mënyrën se si i sheh gjërat.

A ka diçka që e vlerësoni te Sali Berisha si lider, pavarësisht se s’keni gjë pa thënë për të?

Që Sali Berisha është lider kjo nuk diskutohet, por është lidership krejt tjetër nga natyra ime, apo nga ai që unë pëlqej. E shoh lidershipin si lloj shahu, ai e sheh si valle me shpata. Për të më e rëndësishme rruga që duhet të bëhet, është kundërshtari që e konkurron. Ai e jeton betejën në çdo sekond, në rradhë të parë për të shkatërruar kundërshtarin pastaj të bëjë rrugën. Ai merret më shumë me shkatërrimin e kundërshtarëve, ai më shumë hidhërohet nga sukesesi i të tjerëve se sa gëzohet nga fitorja e vet.

Ilir Meta President, Monika në parti, ku ngjajnë dhe çfarë note do i vinit?
Ilir Meta është politikan rrace, Monika thjesht bashkëshortja e tij, kapaku pa tenxhere. Ilir Meta mund të të jetë një president shumë i mirë dhe e kam besuar, dhe deri tani po e vërteton. Monika, kapaku pa tenxhere mund të bëjë vetëm zhurmë

Lulzim Basha, sipas jush nuk është lider dhe sipas jush i vetmi akt lidershipi ishte marrëveshja, mendimi juaj për të përpos luftës në politikë
Fatkeqësia e tij është që përpiqet të imitojë të paimitueshëm. Bëhet qesharak

Ben Blushi humbi bastin me ju, krijoi parti të tij, por s’hyri ne parlament, doli fjala juaj. Ju vjen mirë?
Ben Blushi krijoi një sherr, u largua nga sherri, por ishte pjesë e familjes dhe i takon familjes, nuk kam asnjë kënaqësi që ai nuk e fitoi dot bastin e tij. S’them as që jam mërzitur. Guxoi e për këtë meriton respekt, por i takon kësaj familje. Unë nuk dua të flas për sherre që mund të ishin evituar. Bëra çmos ta evitoja. Ai e pa ndryshe. Kjo është politika

Cilët janë 3 politikanë të Partisë Demokratike që vlerëson më shumë?

Aty ka pasur dhe ka njerëz me vlerë, problemi është që vlerat mund të shfaqen kur krijohen kushtet. Edhe Luli e bëri këtë kur i doli kushti. Alfred Sarreqi, ministri i parë i jashtëm i qeverisë demokratike, njeri i kulturuar e dinjitoz. Një tjetër që më dukej si i vetmi që përdorte lapsin ishte Ridvan Bode,pavarësisht të gjithave ishte një person që bënte diferencën. Po të mos ishte ai, Berisha do vazhdonte të ndërtonte piramida.
Të tretin do thoja Jozefina Topalli, për një fakt që meriton respekt, një njeri konseguent deri në fund edhe në gabimin e vet.

Media e vetme që e konsideroni jo-kazan.
Çdo media si në çdo kazan ka gjëra me vlerë, por duhet t’i nxjerrësh. Në këtë media ka gjëra me vlerë (për News24)

(e.f/el.sp/m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb