TIRANE- Përpara protestës opozitare të 27 janarit, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji flet për një detyrim kombëtar, që sipas tij duhet të përmbushin të gjithë aleatët e PD-së, të pakënaqur nga faktorizimi i LSI-së. Në një intervistë për “BalkanWeb”, Salianji sqaron se bashkimi i çdo force opozitare kundër qeverisë është detyrimi që të gjithë duhet të përmbushin.
Ai i ftoi më tej aleatët që zgjedhin të gjykojnë politikisht, të mendojnë fillimisht politikisht, ndërsa shtoi se LSI-ja, e ka forcuar më shumë opozitën. “Shumë prej faktoreve qe sot shohin LSI si problem deri dje luteshin per prishjen e koalicionit PS-LSI. Nëse na gjykojnë politikisht le të mendojnë politikisht. Gjërat kanë rend dhe zhvillohen me rend. Aktualisht një gjë është e qartë që bashkimi i LSI me kauzat e PD e forcon më shumë opozitën”,- thotë deputeti për “BalkanWeb”.

Gjatë sesionit parlamentar të vitit të shkuar ju spikatët në sallën e Kuvendit si një nga deputetët e rinj që s’u kursyet për replika, qoftë edhe kur përballë kishit një kryeministër? Si do ju shohim përgjatë 2018-ës? Do jeni po aq aktiv?
Politika duhet kryer profesionalisht sigurisht, por është ndoshta profesioni i parë që nuk kryhet pa pasion dhe pa një thirrje të brendshme. Ju siguroj që kushdo që qëndron i qetë sikur nuk ndodh asgjë kur shikon që abuzohet, shkelet dhe dërrmohen interesat e shqiptarëve, nuk po e kryen politikën si profesion aq më tepër si përfaqësim. Ne jemi ne parlament jo thjesht si individë që përfaqësojmë grupe sociale, mendime të ndryshme, qasje të ndryshme por jemi si përfaqësues të zgjedhur nga populli, i zërit dhe gjendjes së tyre. Nëse populli lëngon ne s’mund të vëzhgojmë lëngatën e tyre me qetësi.

Pasur parasysh këtë unë në çdo reagim apo qëndrim që mbaj përveç bindjes time të brendshme dhe vendimmarrjes së grupit reagoj dhe flas ashtu siç çdo qytetar do të bënte nëse do të ishte në vendin tim në ato momente. Deviza dhe vendimi im që në momentin e parë që kam hyrë në politikë ka qenë të jem i drejtpërdrejtë dhe pa bërë kompromise, për çdo qëndrim që ndihmon në zhvillimin e shoqërisë. Aktivizimi im në politikë në nivele përfaqësuese ka nisur në opozitë, i jam bashkuar PD-së kur një pjesë e madhe e përfituesve të pushtetit të djeshëm largoheshin.

Që prej momentit kur mora detyrën e koordinatorit dhe më vonë të drejtuesit të departamentit apo të sekretarit për aksionin qytetar, kam qënë në çdo cep të Republikës për të dëgjuar, ndihmuar apo ngritur në publik shqetësimet që kishin qytetarët, shqetësime të cilat disa prej politikanëve i shihnin vetëm në televizione. Mendoj dhe besoj, që i tillë do të jem në gjithë rrugën time politike, e madje do të përpiqem të jem edhe më aktiv në sallën e parlamentit, për të përfaqësuar dhe pasqyruar pikërisht gjendjen që është jashtë asaj salle; gjendjen e nevojës dhe reagimit të ashpër të qytetarëve në ndihmë të të drejtave të tyre.

Opozita ka në plan të protestojë më 27 Janar, a e mbështesni ju kryetarin Lulzim Basha?
Vendimmarrja për protestat që është udhëhequr nga Partia Demokratike, ka gjetur unanimitet në gjithe spektrin e forcave politike opozitare por mbi të gjitha është një vendim i mirëpritur nga shoqëria dhe qytetarët.
Protesta e 27 Janarit është veçse fillimi i përballjes me padrejtësinë, pamundësinë për të jetuar ndershëm.
Është fillesa e tregimit që qeveria s’mund të bëjë zotin e keq, me njerëzit vetëm sepse ia ka blerë votën. Shqiptarët po presin drejtësinë dhe shpresuan që pas 27 vitesh, votimi me 140 vota i reformës në drejtësi do të largonte politikën nga drejtësia. Sot mjet pas mjeti u shkel dhe kushtetuta dhe drejtësia u bë jo më politike por partiake.

Sot shqiptarët janë të pambrojtur dhe askush nuk është më i mbrojtur. Ajo çka është më e keqja është varfërimi dhe denigrimi i tyre. Varfërimi dhe shkretëtimi i shqipërisë i shërben këtij pushteti autokratik që sot pa asnjë nevojë për dokumenta pronësie, ka privatizuar vendin. Nuk ka mbetur sektor, institucion, para që prodhohet, njeri që promovohet apo qindarkë që qarkullon në ketë vend, ku familja Rama mos të fusë hundët. Një vend si Shqipëria ku përpjekja për tu larguar nga orientalizmi është thuajse sizifike, ka fatkeqësinë t’i vijë një njeri që tenton ta kthejë në zakonet më degraduese e prapanike.

Çfarë mendimi keni për qëndrimin e disa prej aleatëve tuaj që nuk shohin me sy të mirë faktorizimin e LSI?
Shumë prej faktoreve që sot shohin LSI-në si problem deri dje luteshin për prishjen e koalicionit PS-LSI. Nëse na gjykojnë politikisht le të mendojnë politikisht. Gjërat kanë rend dhe zhvillohen me rend. Aktualisht një gjë është ë qartë që bashkimi i LSi me kauzat e PD e forcon më shumë opozitën. Sot bashkimi i opozitës dhe i gjithkujt kundër një kryeministri që ka aleancë me krimin dhe që merr forcë nga krimi i futur në administratë, është detyrim kombëtar. Sa i përket koalicionit, në të ardhmen do të pyetet anëtarësia.

Duke iu referuar protestës së parë të opozitës për zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku, mendoni që protagonizmi i kryetares së LSI-së la disi në hije kreun e PD-së, Lulzim Basha? A i frikësoheni një gjëje të tillë edhe në protestën e radhës?
Mendoj të kundërtën, bëri efekt sepse nuk pritej një opozitë e tillë nga LSI, LSi rrëzoi paragjykimin që ekzistonte për atë forcë. PD është opozita dhe kjo nuk ka nëvojë as për argumentim dhe as për retushim, LSI e di dhe e pranon rolin e parë të PD në vendimarrje dhe gjithçka. LSI i është bashkuar kauzave tona dhe për këtë duhet parë pozitivisht. Drejtuesi i opozitës është kryetari i PDSH.

Një sherr në Komisionin e Sigurisë me kolegun socialist Pjerin Ndreu ka vijuar me replika e akuza në distancë mes jush, kjo edhe për shkak të vendimit të marrë nga Byroja e Kuvendit, por nëse do t’i ktheheshit asaj dite çfarë do bënit diçka ndryshe?
Tani kam kuptuar qartë që njerëz pa asnjë profil politik si rasti në fjalë duan të marrin vëmendje që të përmenden diku, siç patën fatin të përmendeshin duke mu drejtuar mua. Edhe pas kësaj interviste ata mund të përmenden përsëri për ndonje sherr por kurrsesi për politike. Rama ka futur në Kuvend një takëm e tillë që nuk flasin me mend por me gjymtyrë.

Në parlament nuk duhet ruajtur ky model antiedukativ.
Modeli i forcës që duhet të japim është vetëm një; nuk duhet të ketë më të tillë individë përfaqësues të popullit në parlament. Ka këllqe ai që e ndalon këtë, jo ai që përfundon këtu. Shqipëria nuk do mbahet peng për interesa personale dhe për komplekse frike. Çdo ditë duhet të përpiqemi me forcë që të ketë parlamentarë që diskuojnë për ide dhe mendime se si zgjidhet zhvillimi në këtë vend.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb