TIRANE- Tre persona të dyshuar si autorë të grabitjes së bankës në ish-Bllok, në javën e parë të gushtit, janë vënë në pranga nga policia e Tiranës. Sipas policisë, grabitësit e kasafortës së bankës janë arrestuar në Tiranë, ndërsa njëri prej tyre mësohet se është djali i Nehat Kullës, Robert Kulla.

Po sipas burimeve, mësohet se janë gjetur edhe një pjesë e parave të vjedhura nga kasaforta e bankës.

Në total, nga grabitja e bankës në 8 gusht u vodhën rreth 200 mln lekë.

KREU I POLICISE SE TIRANES JEP DETAJE PER ARRESTIMIN E AUTOREVE TE GRABITJES SE BANKES
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, në një konferencë për mediat në orën 19:30 ka dhënë detaje për ngjarjen dhe ndalimin e autorëve.

“Pas një pune intensive hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Tiranë, Sektori për Krimet e Renda Ndaj Jetës dhe Pronës, Sektori për Operacionet Speciale dhe Kërkimit, në Drejtorinë Vendore te Policisë Tiranë ka zbuluar autorët e vjedhjes së Bankës BKT në Tiranë, ngjarje e datës 8 gusht 2016.
Sot, më dt 31.08.2016 informojmë publikun se pas një pune operativo-proceduriale intensive njësitë e Policisë kanë zhvilluar operacionin e koduar ”DEPERTIMI” dhe si rezultat, ne orën 17:30 të ditës së sotme, u ndaluan, autoret e dyshuar të kësaj ngjarje, shtetasit:
1- Roland Liti (Zekaj) 37 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, me arsim 8-vjeçar, i dënuar më parë për vjedhje,;
2-Alan Babamato 23 vjeç lindur ne Fier dhe banues ne Tirane, me arsim te larte, i padënuar;
3-Robert Kulla, 35 vjeç lindur dhe banues në Tiranë, me arsim 8-vjeçar, i dënuar më parë për rrëmbim mbajtje peng personi, armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit të banesave të këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale:
-një automjet i markës Benz tip ML me targë AA205KA
-një automjet i markës Opel tip Corsa me targë AA178NC
-një shumë prej 16.730 dollarë amerikanë
-një shumë prej 10.480 euro
-2,625.000 leke të vjetra shqiptare
-karta sim dhe aparate celulare
-një sasi fishekësh arme gjahu’
Si dhe sende të tjera që shërbejnë për hapje dyersh brava çelësa të ndryshëm.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë ne këtë ngjarje
Në përfundim janë kryer veprimet procedurale dhe materialet do t’i dërgohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor, Tirane, për veprën penale te ”vjedhjes se bankave dhe arkave te kursimit”, kryer ne bashkëpunim parashikuar nga nenet 136/2 te K.Penal”.

KUSH ESHTE NEHAT KULLA
Nehat Kulla, ose siç njihet ndryshe si ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapsht 1997, me nofkën “Gjenerali” ishte kreu i një bande në atë kohë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij mbajtën të pakrekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë.

Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb