TIRANË- Policia holandeze ka vënë në pranga një shqiptar të shpallur në kërkim nga Interpol Tirana dhe të akuzuar për disa vepra penale, po ashtu edhe anëtar i të shumëpërfolurës “Banda e Babagjyshëve”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Interpol Haga në bashkëpunim me Z.Q.K.Interpol Tirana, u bë i mundur arrestimi provizor në Holandë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë , i shtetasit shqiptar Fatmir (Fatjon) Pjetri, 31 vjeç, lindur në Pukë.

Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me Vendim Nr.559, datë 19.12.2014, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes me armë”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 140, 333/a, dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Grabitjet e realizuara nga banda e “Babagjyshëve” u shtrinë në të gjithë vendin si, Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër, ku grabitjet kishin një të përbashkët: ato kryheshin pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe në një kohë prej 3 minutash nga keqbërësit.

Policia ra në gjurmët e tyre gati 1 vit pasi grabitën një argjendari në një qendër tregtare, duke përfituar nga veshja e babagjyshit të Vitit të Ri. Banda është përgjegjëse për nëntë grabitje, 7 prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb