TIRANE- Analisti Andi Bushati e sheh me skepticizëm lojën që sipas tij, po bën aleati i Edi Ramës në qeveri, Ilir Meta kur e ndajnë pak kohë nga dita kur duhet të vendosë për koalicionin e zgjedhjeve të 18 qershorit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Bushati thotë se kjo parti është bërë qesharake me deklaratat e saj kontradiktore.

“Këtej regjistrohet që të futet në zgjedhe, nga ana tjetër bën sikur nuk do futet në proces pa opozitën. Kemi një deputet të LSI që thotë do shkojmë me Ramën dhe tjetri do dalim më vete. Pra vazhdojnë një lojë, një farsë jo vetëm që po bëhet qesharake por edhe ne që e komentojmë rrezikojmë të kthehemi në qesharakë”,- tha ai.

Sipas tij, çfarëdo vendimi të marrë kjo forcë për koalicionin, qëndrimet e saj shpeshherë kundër Ramës tregojnë se janë të kundërt.

“Problemi është që as vendimi i 18 prillit nuk i shpëlan gjithë zigzaget që ka pasur gjatë kësaj periudhe. Ka thënë reforma në arsim ka dështuar, vendi është mbushur me kanabis, ka bllokuar ligjin e plehrave. Pra ka treguar që është kundër Ramës. Pikëpyetja që ngrihet është pse duhet të jenë bashkë kur qenkëshin kaq të kundërt? Sido që të vendosë është vonë 18 prilli që LSI të bëjë të virgjërën”,- sqaroi analisti.

Bushati shtoi se, mesazhet e fundit të LSI-së askush nuk është gjendje t’i dekriptojë. “Duke qenë parti klienteliste, qëndron mes dy të mëdhenjve, LSI nuk do nga pikëpamja politike të marrë goditje të forta. as nga njeri krah, as nga tjetri ndaj bën këtë lojën njëherë e shkel syrin majtas, njëherë djathtas që të shkojë me qetësi dhe dashuri në zgjedhje”,- shton analisti.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb