Nga Sokol HAZIZAJ
Në fjalorthin e përditshëm, përvitshëm apo dhe çdo katër vite, kur kanë zanafillën fushatat elektorale më tepër se çdo gjë tjetër dukshëm vihet në shënjestër nga subjektet politike goditja e korrupsionit të viteve të kaluara dhe premtohet pafundësisht ndryshimi i sistemit apo modelit qeverisës si i korruptuar, si dhe premtohet se sistemi dhe metodat qeverisëse do të ndryshojnë me ardhjen e tyre në pushtet. Kaq tipike është ky model sa parë me vëmendje që pas vitit 1998 të lindjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kodi Zgjedhor prej viti 2003 ka ndryshuar më shumë se gjashtëmbëdhjetë herë. Ndryshimet kanë qenë të përqendruara në llogaritjen e mandateve, në mënyrën dhe krijimin e komisioneve zgjedhore, apo në vendqëndrimet e tyre.

Pra, gjithë impenjimi i ligjbërësit ka qenë i përqendruar në “dukje”, në krijimin e kushteve sa më të favorshme për qytetarin për të votuar, ndërsa në të vërtet si gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre, përtej dyshimit të arsyeshëm, politika e ka quajtur sistemin të korruptuar, zgjedhjet të korruptuara me produkt të ndotur.

Përpos këtyre dilemave politike ligjbërësi ka vepruar dhe vepruar edhe mbi të drejtat procedurale dhe materiale si në fushën civile edhe penale, të cilat së bashku janë ndryshuar rreth njëqind herë, ndonëse janë dhe kanë qenë nën monitorimin e vazhdueshëm dhe të rreptë të asistencës ndërkombëtare. Gjithashtu, falë vetë stimulimit politik dhe fushator, pse jo edhe interesash, të gjitha aktet ligjore të formatuara pas viteve nëntëdhjetë ose kanë ndryshuar tërësisht, ose kanë kaluar në seri ndryshimesh të panumërta. Duke mos i renditur të gjitha normat ligjore në mënyrë të detajuar, si dhe duke mos përmendur të gjitha ndryshimet që kanë pësuar të gjitha institucionet apo organet si të qeverisjes, vendore edhe asaj qendrore, duhet pohuar me siguri se të gjitha përmirësimet kanë pasur sigurisht vetëm një qëllim në pamje të parë, reduktimin e korrupsionit.

Po kaq e sigurt është dhe ka qenë fakti dhe përvoja se ky fenomen nuk është zhdukur, as nuk është minimizuar, por ka forcuar radhët e veta, duke e shndërruar veten në krim të vërtet, institucional, qeverisës, të sipërmarrësve, organeve lokale, agjencive etj. Nëse nuk do të zhvillohej në mënyrë të tillë dhe të perfeksionuar?, do pyes dikush, shoqëria njerëzore nuk do të zhvillohej dhe nuk do të kishte këtë dinamikë dhe temp përmirësimi. Në të vërtet e kundërta ndodh, siç dhe ka shfaqur në vendin tonë, ku në mënyrë vijuese përsëritet i njëjti faj, por në forma të ndryshme, në fund janë të njëjtët aktorë, madje profesionistë; të njëjtët emra që flasin e bërtasin sërish ndaj korrupsionit, kundër hajdutërisë, kundër të quajturve kundërshtarë apo ortakë në sistem, kundër ligjeve të sajuara apo prodhuara po prej tyre.

Pa u endur në metastazat e sëmundjeve të deritanishme, nënvizoj se është e sigurt dhe e provuar gjithandej se fajin nuk e kanë sistemet apo sistemi, por mënyra e përdorimit prej njerëzve të sistemit, fakt i cili duhet kuptuar mirë. Është shumë i rëndësishëm vullneti i përbashkët për të respektuar një sistem, pse jo dhe ligjor, të zgjedhur prej shumicës, me qëllimin e vetëm që çdo veprimtar i kundërt ose i “zgjuar” nëse do të vepronte kundër shumicës, nuk do të gjente vend jo vetëm te pakica, por do t’i minimizoheshin në maksimum përfitimet e padrejta dhe perverse nga mosdakordësimi i shumicës së qytetarisë. E kundërta ndodh në realitetin tonë, ku mazhorancat e dakordësuara dhe ligjore stimulojnë haptazi veprime korruptive, të cilat kanë lidhje ose shfaqen duke filluar nga përdorimi i kompetencave qeverisëse për përfitime të paligjshme, me veprime abuzive në zyra, ose duke ndërmarrë nisma ligjore me ndikime personale, pasuar këto me vese të tilla si ryshfeti, grabitja, neopotizmi, përvetimi padrejtë, keqpërdorimin e pushtetit, represioni, brutaliteti i organeve ligjzbatuese etj., etj.

Të gjitha këto janë dhe përbëjnë korrupsionin politik. Ky i fundit, duhet thënë, nuk është sistem, është sjellje ndaj sistemit, ky nuk është thelb ligjor, por është shtrembërim i misionit të shoqërisë dhe demokracisë së aspiruar. Në këtë kuptim, përgjigja e pyetjes mbi shkaqet e sundimit dhe përligjjes së veprimit korruptiv vjen thjeshtazi, kur konstaton se ende ekzistojnë raste të bollshme të financimeve politike aspak ose pak transparente, apo kompromise “xhentëlmenësh” krahinor dhe klanor gjithashtu. Është fare e thjeshtë kur ulesh mbi dispozitat ligjore, të konstatosh akte nënligjore tërësisht të kundërta me frymën e ligjit dhe çdo dispozitë të tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për rregullore të brendshme të institucioneve apo organeve të ndryshme. Pra, këtu nuk është fjala vetëm për paratë e pista, konflikt interesash, por edhe për ndikimet joligjore të dhe ndaj nëpunësve civilë nëpërmjet formave të ndryshme të presionit gjithashtu. Përpara gjithë sistemit të së drejtës, ne ndodhemi të ballafaquar me sjellje të normuara interesash ende aktive, që nuk mund të kenë emër tjetër përveçse kleptokraci, ose korrupsion politik ndryshe, që do të thotë “sundimi hajdutit”, nëpërmjet korruptimit të sistemit.

Në shembull të gjithë retorikës së sipërcituar do të përmend dy raste, për të kuptuar se çdo të thotë të veprosh, të sillesh në mënyrë institucionale në kundërshtim me ligjin, ose ta korruptosh sistemin.

Siç përmenda më sipër, një nga shkaqet e vjedhjes së të drejtës, ose korrupsionit institucional që e bën gjithë sistemin juridik dhe administrativ të sëmurë është neopotizmi. Në të gjitha vitet e pas-nëntëdhjetës është folur dhe stërfolur për rekrutimin e punonjësve në administratë sipas ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar mbi katër herë, ose Ligjit nr.152/2016 “Për Nëpunësin Civil”, të cilët në ezaurim të frymës së tyre, e përjashtojnë mundësinë e rekrutimit të familjarëve brenda një institucioni apo organi.

Ndonëse pas çdo procesi zgjedhor, premtimi politiko-ligjor është largimi i frymës neopotike, sot haptazi dhe duke i bërë karshillëk ligjit dhe shoqërisë, rekrutimet kanë vetëm një linjë, ose të jenë brenda gjinisë, fisit apo familjes. Mjafton të hedhësh sytë nga fakultetet publike, konstatohet një ves i tmerrshëm, ku një lëndë ose në një departament, ose shefa në katër departamente ndodhen katër familjarë të një familjeje, babë, nënë, djalë dhe nuse djali ose e kundërta. Madje, do të guxoja të pohoja që të gjithë prindërit, në cilësinë e pedagogut, sot marrin fëmijët në fakultetet e tyre, duke i trashëguar lëndën e tyre pse jo për të qenë të qetë fare vendosin dhe rojet si bilbilfryrësa te porta e fakulteteve, të cilët mund të jenë nipër apo rreth familjar të tyre. Nuk përjashtohet dhe posedimi apo pronësia e kioskave të shitjes së librave të tyre.

Në administratën publike tmerri thellohet kur renditja neopotike ka zënë më shumë se pesëdhjetë për qind të zyrave në organe, agjenci apo institucione të ndryshme të varësisë. Në këtë vështrim, përballë këtij realiteti ligji është i pavlefshëm, deri në tallje pse jo sarkazëm. Ndonëse kam dyshimet e mia mbi konceptin e qeverisjes së vogël në numër, por “punëmadhe”, sepse realiteti historik i qeverisjes shqiptare na ka mundësuar të njohim të gjitha menutë e një administrimi të kufizuar në numër, por të shtrenjtë në shpenzime, jemi bërë me dije se për shkak të ndryshimeve dhe bashkimit të ministrive apo organeve qeverisëse, Departamenti Administratës Publike ka njoftuar nëpunësit civilë për ndryshime dhe ristrukturime/mbyllje të ministrive, duke paralajmëruar transferimin ose përfundimin e marrëdhënies me shërbimin civil. Në kuptimin formal duket sikur njoftimi nuk ka asgjë jashtë barazisë dhe paritetit të të gjithë nëpunësve civilë përpara ligjit, por nga ana tjetër, duke parë situatën në të cilën ndodhet shërbimi civil i sëmurë për shkak të infeksionit nepotik, origjina e të cilit nuk ka rëndësi si ka ardhur, vështirë se ndonjë nëpunës i ministrive të shkrira të gjejë një vend punë paralel me të mëparshmin në një organ apo institucion të barazvlefshëm tjetër, po nuk është racë, gjini, fis, kushëri, familjar, nip, mbesë, apo ku di unë.

Nisur nga kjo gjendje është tërësisht e gabuar të pohosh që kemi sistem të korruptuar, ndonëse ka dhe plotë të meta ligjore, që sipërcitova, por e vërteta është se korrupsioni i çfarëdo natyre që është, e ndot sistemin. Mjafton të shohësh pamundësinë e plotësimit të gjykatave supreme në vendin tonë, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Përmballë një rrebeshi dosjesh të pagjykuara, mundimshëm ata pak gjyqtar, qoftë dhe në kushte mizerabël, gjykojnë në mënyrë të përgjysmuar.

Mjafton të hedhësh sytë nga gjykatat administrative të shkallëve të para dhe asaj të apelit Tiranë, konstaton se dosjet rinë të magazinuara jashtë të gjitha kushteve ligjore dhe të pagjykuara në kohë, duke thyer dhe fyer çdo kërkesë ligjore. Për këtë gjendje, fajin nuk e ka sistemi, por njerëzit që punojnë me sistemin, ose ata që furnizojnë sistemin. Hidhuni një sy vendimeve të tyre dhe konstaton lehtë se një çështje me të njëjtat të dhëna, objekti dhe subjekti, kanë marrë zgjidhje të ndryshme jashtë ligjore. Por edhe për këtë, duhet pranuar nuk e ka fajin sistemi, por ne të gjitha bashkë që punojmë me sistemin dhe nuk dimë dhe nuk duam të zgjedhim rrugën për kufizimin e vesit ndaj sistemit, ndonëse kriteret janë shkruar në ligj, por vullneti nuk ekziston.

Jeta të cilën bëjmë dhe të cilën duam ta jetojmë kërkon domosdoshmërish respektimin e kufijve ligjorë, kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar, por e kundërta ndodh, sepse ashtu duam, ose kështu duhet nga ndotësit e sistemit, ndaj verbëria arsimore, kulturore, sociale etj., mbulohet me bukuritë e shesheve ku njerëzit hanë vetëm fara dhe kuvendojnë mbi tavlla apo domino, të lodhur nga krijimi i shumicave që korruptojnë sistemin në mënyrë të vazhdueshme, duke mbjellë individin me injorancë të adhurueshme deri në mediokritet. Por, gjithsesi në fund fare, duhet kuptuar se ndonëse një votues individual mund të ketë të zhvilluar në mënyrë të imponuar injorancën tërësisht racionale në lidhje me politikën dhe produktin që vjen pas saj, pasi me sistemin kushtetues të ndryshuar në vitin 2008, ku çdo votë ka fare pak peshë ndaj blihet lehtazi, por jam i bindur se shumë shpejt çdo sistem i dakordësuar nuk do të vuaj gjithmonë nga ritme të ngadalshme të reformave, nuk do të vuaj as nga sundimi i vogël i ligjit, as nga profesionisti i dobët ligjor, as nga pavarësia e dobët e gjyqësorit dhe as nga mungesa e përgjegjshmërisë së qeverisjes, sepse në këtë vend, si ky i yni, ku çdo sistem korruptohet, pjesa më e madhe janë njerëz të mirë, të cilët dinë të dallojnë shumë mirë ndryshimin midis korruptuesve të sistemeve dhe sistemit të korruptuar, ndaj nuk është e largët koha që do t’i largohen stilit të konformizmit dhe të shtypurit, për të treguar të vërtetën e ndryshimit midis vesit dhe arbitraritetit të korruptimit të sistemit nga vetë sistemi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: