Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur poshtë çdo mundësi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. “Gjykata ekziston, është krijuar me votë në Parlament. Janë votuar ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin “Zona e Konfliktit” të DW, që transmetohet në Klan Kosova. Haradinaj ka thënë se ideja e deputetëve është e lidhur me procedurat, por nuk është në nivel të ndalimit të gjykatës.

“Ideja e deputetëve është e lidhur me procedurat, është e lidhur me atë gjykatë, por nuk është në nivel të ndalimit të gjykatës. Deputetët duan ta amendamentojnë ligjin ekzistues, por jo ta ndalojnë gjykatën. Gjykata ekziston, s’vihet në pikëpyetje”, ka thënë Haradinaj, kur është pyetur për iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit për Gjykatën Speciale.

Gazetari i Deutsche Welle e ka pyetur shefin e ekzekutivit kosovar edhe se a i frikësohet Gjykatës Speciale. “Ekziston një shqetësim në lidhje me Gjykatën tek një numër njerëzish këtu”, ka thënë Haradinaj. “Ata e konsiderojnë atë të padrejtë, si institucion të drejtësisë, që merret vetëm me raste të caktuara, dhe jo gjithçka çfarë ka ndodhur këtu në të kaluarën”, ka deklaruar kryeministri kosovar. “Unë personalisht nuk kam frikë”, është shprehur Haradinaj. Kryeministri i Kosovës ka thënë se nëse kjo gjykatë ngre aktakuzë kundër tij, ai do t’i dorëzohet asaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: