LEZHE- Gjykata e Lezhës ka lëshuar 23 urdhër arreste që lidhen me abuzimet e pronave tek ‘Rana e Hedhun’. ‘BalkanWeb’ mëson se vetëm 8 prej këtyre masave janë ekzekutuar, mes tyre kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Kryebashkiaku Frrokaj, përfaqësues i PD-së që u zgjodh në vitin 2015, akuzohet për ‘shpërdorim detyre’, pasi ka dyshime se ka tjetërsuar prona tek ‘Rana e Hedhun’. Gjithashtu, pas hekurave përfunduan edhe nënkryetari i Bashkisë Enver Hafizaj, kreu i Hipotekës Gjelina Bacaj, bashkë me dy juristët Eduard Lekaj e Armando Dakaj.

Mes të tjerash Gjykata vendosi sekuestro preventive për dy prona me sipërfaqe 25.146 m² dhe 13.730 m². KLSH zhvilloi një javë inspektim në bashkinë e Lezhës, ku konstatoi se ishin bërë shkelje të mëdha ligjore. Në hetimin e kreut të bashkisë Lezhë u përfshi dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Deri më tani nuk dihet roli i saktë i kryebashkiakut Frrokaj në çështjen e abuzimit me pronat, ndërsa gjithçka mbetet për t’u përcaktuar në vijim. Në një kohë kur pothuajse të gjithë zyrtarët e bashkisë së Lezhës janë shoqëruar, problem ngelet edhe fakti se kush do ta drejtojë këtë institucion. Gazetarja Vitore Ndoi në një lidhje telefonike me ‘News24’ tha se bashkia e Lezhës ka dy nënkryetar, ndërsa postin e mban Alfrida Marku, pasi Enver Hafizaj dhe Frrokaj ndodhen në pranga.

PERSONAT E ARRESTUAR:
Fran Frrokaj – Kryetar i Bashkisë Lezhë
Enver Hafizi – Nënkryetar i Bashkisë Lezhë
Gjelina Bacaj – Drejtore e Hipotekës
Eduard Lekaj – Jurist te Hipoteka
Armando Dakaj – Jurist te Hipoteka
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb