Nga: ZONJA VJOLLCA
1 kg bukë misri
800 gr – 1kg spinaq
Majdanoz, koper
1.2 litër qumësht i nxehtë
200 gr gjalpë ose vaj
Kripë
700 gr kos

Lajmë, thajmë spinaqin dhe e grijmë atë imët së bashku me erëzat. Thërrmojmë bukën e misrit shumë hollë dhe e ndajmë ateë në dy pjesë (në dy tasa). ½ e qumështit të nxehtë e hedhim tek tasi i parë me bukë misri. E trazojmë derisa buka të zbutet dhe të marrë trajtën e një brumi. Shtojmë në të ½ e gjalpit të shkrirë dhe e trazojmë mirë. Lyejmë tepsinë me pak yndyrë dhe hapim brumin e përgatitur duke e niveluar mirë në të gjithë sipërfaqen. Mbi shtresën me brumë misri vendosim spinaqin duke e niveluar dhe atë mirë në të gjithë sipërfaqen, e spërkasim më pak kripë dhe me pak yndyrë. Të njëjtën veprim bëjmë dhe me tasin tjetër ku kemi bukën e misrit shtojmë qumështin e nxehtë dhe pjesën tjetër të gjalpit e trazojmë derisa të krijohet një masë si brumë dhe e vendosim më pas mbi shtresën me spinaq. E shpojmë në fund me majën e një luge, lugë – lugë me qëllim që të piqet mirë. E lyejmë sipër me pak yndyrë dhe e vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 40-45 minuta. Në fund pasi të piqet laknuri e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë mirë të gjithë sipërfaqen me kos. E lemë të ftohet pak dhe e shërbejmë.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb